Mitrush Kuteli: Bie shi, Adrianë!

Bie shi,
Adrianë,
bie shi i qetë mbi qytet,
shi që më bluan e më vret,
dhe s’di ku të shkoj
nëpër Tiranë.

Të kërkoj,
Adrianë,
me ankth nëpër qytetn’ e shkretë,
ku shtrydhen retë
dhe diell s’lind e s’perëndon
përmbi Tiranë.

O sa çudi,
Adrianë,
të duash të mos jesh njeri,
dhe gurëve t’u kesh zili,
-se gurët s’vuajnë kur bje shi
përmbi Tiranë!

ObserverKult

————————-

Lexo edhe:

MITRUSH KUTELI, I BURGOSURI I DIKTATURËS ME AKUZËN “ARMIK I POPULLIT”

Mitrush Kuteli, pseudonim i Dhimitër Paskos, ekonomist, shkrimtar, publicist dhe përkthyes, i spikatur për pikëpamjet e tij demokratike, nuk mund t’i shpëtonte dorës së hekurt të diktaturës.

U diplomua më 1931 dhe në shkurt 1934 mori doktoratën në shkencat bankare dhe monetare. Ai mori vlerësimin më të lartë “Diplomam Magnam cum Laudæ” në Universitetin e Bukureshtit.

Ai u burgos në vitin 1947 me akuzën “Armik i Popullit”. Ndërsa u lirua nga burgu pas prishjes së marrëdhënieve diplomatike me Jugosllavinë, 1949

Kushtet në të cilat do të ndodhej pas lirimit nuk do t‘i jepnin atij mundësinë e botimeve. Duke i mohuar kështu shprehjen e talentit të tij në letërsi.

Deri vonë ai do të merrej me përkthime duke gjetur në këtë mënyrë një ngushëllim ndaj zvetënimit të vullnetit të lirë që karakterizonte atë kohë absurde.

Mitrush Kuteli vdiq më 4 maj 1967 duke lënë pas vepra të një gjuhe të pasur dhe personazhe të pavdekshëm.

Lexo edhe:

RRËFIMI RRËQETHËS I GRUAS SË MITRUSH KUTELIT: TMERRET QË I PËRJETOI NË KOMUNIZËM…