Nga Milan Kundera
Franz Kafka, sipas asaj që ka thënë vetë, e ka shkruar novelën e gjatë Vendimi në një natë të vetme, pa ndërprerje medemek me një shpejtësi të jashtëzakonshme, duke e lënë veten të kaplohet nga një fantazi po kaq e jashtëzakonshme.
Shpejtësia, e cila u bë më vonë metodë programatike për surrealistët (“shkrimi automatik”), duke lejuar të çlirohej subkoshienca prej kontrollit të arsyes dhe të shpërthente imagjinata, ka luajtur për Kafkën pothuajse të njëjtin rol.
Imagjinata kafkiane, e zgjuar prej kësaj “shpejtësie metodike”, ngarend si një lumë, lumë ëndrre që nuk gjen prehje veçse në fund të një kapitulli.
Kjo dalldisje e gjatë e imagjinatës pasqyrohet tek veçoria e sintaksës: në romanet e Kafkës ka thuajse një mungesë të dy pikave (me përjashtim të atyre rutinoreve, kur futet dialogu) dhe një prani jashtëzakonisht modeste të pikëpresjes.
Nëse kundrojmë dorëshkrimin (shiko botimin kritik, Fischer, 1982), vërehet që edhe presjet , të domosdoshme nga pikëpamja e rregullave sintaksoret, mungojnë shpesh. Teksti është ndarë në shumë pak paragrafë.
Kjo prirje për ta dobësuar lidhjen-pak paragrafë, pak pauza të rënda (duke rilexuar dorëshkrimin, shpesh vetë Kafka i ka ndryshuar pikat në presje), pak shenja që nënvizojnë organizmin logjik të tekstit (dy pikat, pikëpresjet)-është thelbësore për stilin e Kafkës; në të njëjtën kohë është një cenim i pareshtur i “stilit të bukur” gjerman (si edhe “stilit të bukur” të çdo gjuhe, në të cilën Kafka është përkthyer).
Kafka nuk e ka bërë një redaktim përfundimtar të Kështjella për të bërë përshtypje dhe, me të drejtë, mund të hamendësohet se ai mund ta bënte këtë, apo atë korrektim, duke përfshirë edhe pikësimin.
Pra nuk jam më i tronditur jashtë mase (i magjepsur jo e jo, dihet) që Maks Brodi, si botues i parë i Kafkës, për ta bërë tekstin më të lehët për t’u lexuar, pati krijuar hera-herës një kryeradhë, apo ka shtuar një pikëpresje.
Në të vërtetë, edhe në vetë këtë botim të Brodit, karakteri i përgjithshëm i sintaksës së Kafkës mbetet qartësisht i dukshëm, dhe romani e ruan dalldinë e madhe.
Kthehemi tek fraza jonë e kapitullit të tretë: ajo është relativisht e gjatë, me presje, por pa pikëpresje (në dorëshkrim dhe në të gjitha botimet gjermane). Ajo çka më bezdis më shumë në versionin vialatien të kësaj fraze është, pra, pikëpresja e shtuar.
Ajo përfaqëson kufirin e një segmenti logjik, të një cezure që të fton të ulësh zërin, të bësh një pushim të vogël. Kjo cezurë (anipse e korrigjuar nga pikëpamja e rregullave sintaksore) e mbyt dalldinë e Kafkës.
Davidi e ndan frazën në tri pjesë, me dy pikëpresje. Këto dy pikëpresje bëhen më të pahijshme ngase Kafka, gjatë gjithë kapitullit të tretë (nëse kthehemi tek dorëshkrimi), nuk ka përdorur veçse një pikëpresje të vetme.
Në botimin e hartuar nga Maks Brodi ka trembëdhjetë sosh. Vialatte-i arrin në tridhjetë e një. Lortholary në njëzet e tetë, më shumë se tre dypikësha.
(Shkëputur nga libri ‘Testamentet e tradhtuara’ –ese, nga Milan Kundera)
Përktheu: Balil Gjini
Përgatiti: ObserverKult
Lexo edhe: