Intervista e fundit me Roberto Bolanon: Jemi spartanë në mjete jetese, por, njëherazi, jemi athinas në gëzimin e jetës…

(Intervistuar nga Eliseo Alvarez pak para se Roberto Bolanjo të vdiste.)

Bolanjo është autori i fundit i Boom-it latinoamerikan, i cili la gjurmë të thellë në nivel botëror. Ai flet këtu për fillimet e tij letrare, për trashëgiminë e kobshme të Nerudës, për piedestalin që zë Borhesi, për kontradiktat e shkrimtarëve.

MJESHTËRIA E TË SHKRUARIT

E. Alvares: Kur mendove se mund të jetoje duke shkruar?

R. Bolanjo: Kur isha 20 vjeç doja të jetoja si poet. Tani nuk mund ta përcaktoj dot se çfarë ishte kjo. Për mua, të ishe poet donte të thoshte të ishe revolucionar, domethënë, i hapur për çdo lloj shfaqjeje kulturore, seksuale apo për eksperiencat e drogës. Besonim në diçka plotësisht utopike, te një lloj vëllazërimi universal.

E. Alvares: Ke menduar se me prozë nuk mund të arrish dot thellë ndjeshmërisë sate?

R. Bolanjo: Proza gjithmonë kërkon më shumë punë dhe, përgjithësisht, ne jemi kundër punës. Jemi përtacët e palodhshëm. Punoja kur nuk më mbetej më rrugë tjetër. Shiko, ne gjithashtu pranojmë të jetojmë me pak. Jemi spartanë në mjete jetese, por, njëherazi, jemi athinas në gëzimin e jetës. Të varfër por nepsqarë. E gjitha kjo lidhet me modelin amerikanoverior të hipive*, me majin e ’68-s, etj.

E. Alvares: Ke thënë se, për formimin tënd sentimental, i detyrohesh Meksikës.

R. Bolanjo: Mbi të gjitha i detyrohem për formimin tim intelektual. Për formimin sentimental i detyrohem më shumë Spanjës… Isha 23 apo 24 vjeç kur mbërrita aty. Atëherë besoja se dija gjithçka, por nuk dija asgjë. Këtë e mora vesh kur dola për herë të parë me një vajzë. Dija për pozicionet por jo për seksin.

E. Alvares: Mbërrite në Spanjë në kohën kur njerëzit, pas 40 vjetësh diktaturë, po dilnin nga ajo tenxhere me presion ku kishin qenë.

R. Bolanjo: Në vitin 1977, në Barcelonë, takova njerëz nga e gjithë Spanja, Europa dhe Amerika e Jugut. Kishte punë me të cilën mund të jetoje, trysnia shtetërore kishte nisur të flashkej dhe kishte goxha hapësira lirie. Për një të huaj si unë, kjo ishte një dhuratë të cilën ende nuk kam mundur ta falënderoj mjaftueshëm.

E. Alvares: Dhe atëherë mendoje se letërsia rrotullohet rreth Pablo Nerudës?

R. Bolanjo: Nuk është tamam ashtu. Për mua poeti më i madh i Kilit është Nikanor Parra (Nicanor Parra). Pastaj vijnë të tjerët. Neruda është ndër ta. Është pak a shumë ai çfarë unë mëtoja të isha, kur isha vetëm 20 vjeç. Të jetosh si poet, pa shkruar. Ai ka shkruar dy-tre libra shumë të mirë. Të tjerat janë të këqija. Neruda jetonte si poet dhe bënte si “poet mbret”. Ajo çka la pas është ajo çka lënë pas ata “meshkujt e moçëm”: një gjurmë vdekjeje, gjurmë pikëllimi dhe toke varfanjake. Dashtë Zoti, qoftë vetëm për letërsinë. Rasti më i freskët është ai i Fidel Kastros, i “mashkullit plak” që do të vdesë i vrarë. I tillë ishte edhe Frankoja.

E. Alvares: Si e lanë terrenin ata që themeluan të famshmin Boom të viteve ’60? A mund të nderohet letërsia latinoamerikane me ata emra?

R. Bolanjo: Besoj se po. Ndryshe nga poezia, e cila është një disiplinë që priret nga endogamia, në të cilën poetët i shkruajnë, i lexojnë dhe i komentojnë ata, në prozë duhet të rrihet bakri me lexuesin, ashtu thatë. Dhe ka pak lexues të mirë që duan gjëra të reja. Letërsia latinoamerikane ka pasur fatin e madh, një fat me shkronja të mëdha, që ka pasur Borhesin. Besoj se zemra e modelit latinoamerikan dhe, po të duash, e gjithë letërsisë në gjuhën spanjolle, është Borhes. Qysh nga Kevedo (Quevedo) e deri sot nuk ka pasur prozator tjetër më brilant se Borhesi. Lartësia që ai arriti është e pashembullt, çka është fatale për ne, sepse na u deshën 400 vjet, pra shekuj të humbur midis, për të shtuar emrin e tretë: Servantes, Kevedo, Borhes.

E. Alvares: Më duket se ka një ngjashmëri midis Nerudës dhe shkrimtarëve meksikanë si Oktavio Pas e Karlos Fuentes për nga mbështetja e dukshme e shtetit, direkt apo indirekt. Janë mbështetur nga establishmenti, por kur i lexon duket se nuk janë të tillë.

R. Bolanjo: I vetmi vend ku kjo nuk ndodh është Argjentina. Aty ka një status profesionalizmi që i jepet shkrimtarit dhe që shteti përpiqet ta injorojë. Në vendet e tjera kërkohet që shkrimtari të jetë i pavarur, ama paguhet nga shteti. Kjo i ngjan frazës së presidentit meksikan Eçeverria (Echeverria) që thotë “as nga e majta, as nga e djathta, por krejt e kundërta”. Pra, edhe të jesh i pavarur edhe të paguhesh nga shteti. Dhe shkrimtarët protestojnë për mungesë ndihme të drejtpërdrejtë nga shteti, që në thelb përkthehet me atashime kulturore apo me detyra të ndryshme, përfshi edhe pushtetllëk.

E. Alvares: Në këtë shquhet edhe Vargas Josa.

R. Bolanjo: Shiko, Vargas Josa kërkon presidencën e Perusë. Askush nuk mund ta imagjinojë Manuel Puig, Osvaldo Sorianon apo Kortasarin (Cortázar) të paraqitej si kandidat për president i Argjentinës. Ka pasur presidentë latinoamerikanë që kanë qenë shkrimtarë. Rasti më i spikatur dhe më i trishtë, sepse, në krye të dy javëve, e përzunë, ishte ai i Romulo Gajegos (Romulo Gallegos).

LA GACETA Literaria – Buenos Aires.

Në shqip: Bajram Karabolli

ObserverKult