Intervista e Isa Boletinit në Le Temps
“Le Temps” ka botuar, të shtunën e 29 qershorit 1911, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me një intervistë të zhvilluar asokohe me patriotin dhe luftëtarin e shquar shqiptar, Isa Boletinin.
Aurenc Bebja e ka sjellë për publikun shqiptar:
Turqi – Kryengritja në Shqipëri
Na shkruajnë nga Shkupi: Shefi i famshëm shqiptar Isa Boletini, për të cilin autoritetet turke besonin se e kishin shkëputur nga kryengritja, e la Sokolicën pak ditë më parë. U tërhoq sërish, i armatosur, me tridhjetë prej të afërmeve dhe shokëve të tij, në kodrat e pyllëzuara, që ndodhen afërsisht dy orë me kalë nga Mitrovica.
Ata që e pyetën mbi arsyet e vendimit të tij të ri, morën përgjigje prej Isa Boletinit.
“U ktheva në Shqipëri disa muaj më parë i vendosur për të zbatuar të gjitha aspektet e ligjit.
Pata shpresë se qeveria, nga ana e saj, do të bënte çdo përpjekje për të përmbushur kërkesat kombëtare të vëllezërve të mi.
Jo vetëm të atyre që ende luftojnë në kufirin turko-malazez, por edhe kërkesat e popullsisë urbane dhe rurale të Shqipërisë Veriore që kërkon edhe emërimin e zyrtarëve shqiptarë.
Adoptimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, shërbimin ushtarak të shqiptarëve në krahinën e tyre, me pak fjalë, privilegje të kërkuara nga vetë kushtet e ekzistencës së racës shqiptar. Asnjë nga këto nuk na është mundësuar.
Amnistia perandorake dhe disa koncesione që pasuan dëshmuan se ishin të pamjaftueshme në të gjithë Shqipërinë. Prandaj jemi betuar, ne shqiptarët, të mbajmë këtë qëndrim derisa të na plotësohen dëshirat tona.”
I pyetur nëse ai synon t’ua dorëzojë armët autoriteteve, Isa Boletini është përgjigjur: “Kurrë nuk do të dorëzoj pushkën dhe kamën (thikën) time. Shokët dhe të afërmit e mi do të bëjnë të njëjtën gjë“.
Shefi shqiptar aktualisht qëndron i tërhequr, por në gatishmëri. Ai shprehet se do të veprojë vetëm kur situata të jetë e nevojshme.
Thuhet se pothuajse çdo ditë emisarë nga autoritetet e Mitrovicës vijnë tek ai për t’i kërkuar që të kthehet në fshatin e tij.
Qeveria ka vendosur të dërgojë pesë batalione për të shkatërruar bandat që infektojnë rajonin nga Gjakova në Pejë.
Shqiptarët e Gjakovës armatosen shumë; kontrabandistë të shumtë kalojnë armë në sasi të mëdha nëpërmjet kufirit serb, sepse pushkët shiten tani në Shqipëri për 20-30 lira turke.
Kolera sapo është përhapur midis trupave në Shqipëri. Dje ka pasur 14 raste dhe 12 vdekje.
ObserverKult
Lexo edhe:
ISA BOLETINI: “UNË JAM MIRË KUR ASHT MIRË SHQYPNIA”
lexo edhe:
ÇAJUPI: MËMËDHE, TË DUA DHE KSHTU SI JE!
E dashura mëmëdhe,
të dua dhe kshtu si je!
Po kur të të shoh të lirë
do të të dua më mirë.
Qani pyje, fusha, gurë,
qani male me dëborë!
Shqipëria mbet e gjorë
dhe nuk sheh dritë kurrë;
një mjegull e keq’ e shkretë
e ka mbuluar përjetë!
Një gazep, një errësirë,
vetëtit edhe gjëmon!
Rrojmë me zemër të ngrirë,
nga frika kërkush s’gëzon!
Njerzit kurrë s’këndojnë
dhe bilbiletë vajtojnë!
Qiameti, shkretëtira!
Zogu vetë zë folenë,
njeriu lë mëmëdhenë,
se mbretëron egërsira!
Për Shqipëri dëshirojmë
se në vend të huaj rrojmë.
Robërinë si duron,
o moj Shqipëri e mjerë?
Shpëtove vende të tjerë,
vetë nën zgjedhë rron!
Shqipëtarë bëni benë
të lëftoni për atdhenë.
E dashura mëmëdhe,
të dua dhe kështu si je!
Po kur të të shoh të lirë,
do të të dua më mirë!
*Titulli i origjinalit: “Robëria”
ObserverKult