Me shkrimtarin e mirënjohur Skender Rusi
(Bashkëbisedoi Mark Simoni)
Krijimtaria letrare e Skënder Rusit ka hyrë në panoramën artistike të vendit tonë, duke u bërë simbol i poezisë lirike bashkëkohore dhe duke lidhur lexues të panumërt në vend dhe jashtë tij. Pjesa më e madhe e këtyre poezive janë përkthyer dhe janë përfshirë në antologji të përmasave të rëndësishme brenda dhe jashtë vendit, duke fituar çmime të para dhe vlerësime të tjera të rëndësishme për vlerat e veçanta të tyre.
Poeti Skënder Rusi ka drejtuar për 14 vjet si kryetar, Klubin e Shkrimtarëve “Bota e re” Korçë, duke krijuar modelin e afrimit, nxitjes, promovimit të vlerave poetike për autorët e Qarkut Korçë, dhe duke u përfshirë në proceset e botimit dhe promovit të librave të këtyre autorëve në Shqipëri dhe më gjerë.
Zoti Rusi është autor i një prej librave të rrallë që një poet i kushton qytetit të lindjes, Korçës, me përmbledhjen poetike “Korçës një fjalë dashurie”, ku të gjitha poezitë janë himne për këtë qytet.
Aktiviteti i tij në fushën e kulturës ka një shtrirje profesionale 27 vjeçare, duke nisur si drejtor i Pallatit të Kulturës së këtij qyteti për periudhën 1991-1996 dhe drejtor i Bibliotekës së qytetit nga 1997 e deri më 2017.
Për ata krijues të spikatur, që janë autoriteti dhe mbështetja e tërë letërsisë së shkruar në arealin e tyre është përdorur termi Patriark. Ndërsa Borges përdor titullin “Princat vezullues të qyteteve të largët” për këta shkrimtar. Po të referojmë Shqipërinë në këtë llogjikë, na vijnë në mendje Hamit Alija i Tropojës, Ndoc Gjetja i Lezhës, Milianov Kallupi i Elbasanit, Skender Rusi i Korçës, Agim Mato i Sarandës etj.
Brenda këtij konteksti desha të dijë klimen letrare në Korcë, autorë dhe vepra, problematikat që shqetësojnë letërsinë dhe botimet atje, si dhe diçka rreth një formati poetik që keni ju në Korçë, që është Konkursi i përvitshëm i Poezisë.
Përcaktimi i Borges për poetët ka diçka të ëndërr e të mjegullt, të tejdukshme si shpirti që është brenda secilit prej nesh. Vetëm poeti nuk dihet nga vjen e ku shkon. Mbase tani ai nuk është në tokë, është në qiell, nga do të zbresë pësëri, duke u mbështetur bmi një pemë që vuan bashkë me të, apo duke u grindur me një gjethe që ikën prej saj. Mua më pëlqen të mendoj se gjithmonë poeti banon brenda një shpirti që nuk vdes dhe poezia edhe në realitetin e sotëm e ka një logjikë të sajën, poezia është liri, rebelim, por edhe gjuhë intime e zemrës, diell e dashuri. Në pyetje vura re një lloj identifikimi që e kam fort për zemër: midis meje dhe qytetit të Korcës. Duhet të them që edhe poetët që kanë kanë qenë të lidhur, jetojnë dhe krijojnë në Korcë, krijimin e kanë si një nevojë për t’iu drejtuar jetës, vdekjes, dashurisë, ditëve të mjegullta dhe trishtimit të brishtë. Korca ka qenë e mësuar me poetët dhe brenda kapriciove të saj është ndier madhështia edhe e Asdrenit edhe Gramenos, edhe e Nolit kur ka qenë deputet edhe e Seferisit kur ka qenë konsull, edhe e Lasgushit që lëvizte bashkë me liqenin edhe e Ilir Belliut, brenda kafkës së të cilit rridhte vazhdimisht një lumë i verdhë vetmie. Korça është për mua dashuria e moshës së pjekurisë, e cila lindi brenda meje dhe do të vazhdojë të jetojë gjatë, unë them, sa jeta ime. Nuk ka ndonjë sekret midis meje dhe Korçës. I kemi thënë të gjitha hapur dhe unë po e përsëris, Korça është krijuar për t’u dashur:
“Nuk dua, moj, ende të flesh,
Nuk kemi kohë as për të vdekur!
Shiko ç’ylberë para nesh,
Gjer lart në qiell duhen ndjekur!
Ti sytë i çel, oh, ç’sy që ke!
Oh, ç’fat kush rron e vdes atje!”
Kjo ndoshta ka qenë dhe frymë që më dhe frymëzimin për të themeluar 25 vjet më parë në Korçë aktivitetin poetik “Netët Korcare të Poezisë”. Ky festival poetik është një tregues që dëshmon se Korça e do artin, e do poezinë, i do poetët. Dhe kjo nuk është ndonjë çudi, ashtu si nuk është çudi t’ju them që gurin e parë në `themelet e këtij qyteti e ka vënë një poet. Po kështu, ka qenë poet ai që thuri kalldrëmin e parë, ai që mbolli blirin e parë, jargavanin e parë, ai që çeli shkollën e parë, që këndoi serenatën e parë; ai që solli kitarën e parë; pasi s’mund të jetë rastësi që Korca është një poezi e gjallë.
A mendoni se poezia është e mjaftueshme për një shkrimtar për të shprehur gjithë korpusin e tij letrar, tërë ato ndjesi dhe figura, subjektë dhe imazhe, probleme dhe ndjenja? Pavarësisht që Historia e letërsisë njeh disa që janë gjenitë e vargut, enciklopedia e emrave të shkrimtarëve të mëdhenj ka shumë më shumë autorë që kanë lëvruar disa gjini letrare, proza dhe studime, ese dhe teatër, estetikë dhe manuale orientuese për letërsinë.
Mendoj që forma e zërit që del nga një shpirt krijues lidhet me ndjeshmërinë që është intime dhe personale tek cdo krijues që bëhet gati të shprehë një pjesë të ekzistencës së tij. Letërsia është një mënyrë e daljes në sipërfaqe të njeriut, e kjo mund të bëhet duke zgjedhur një kumt lirik, duke vënë në skenë dramën e jetës tënde, duke u thelluar në qëndrime kritike mbi gjithçka që të rrethon. Mes këtyre mjeteve shprehëse, personalisht më pëlqen theksimi që i bëhet poezisë nga Jean Kokto, i cili e vlerëson poezinë të çmuar e të pazëvendësueshme: megjithëse nuk e dimë asnjëherë deri në fund se përse ajo është e tillë.
Ka një kontradiktë pajtuese në këtë mes, të ushtrosh një formë komunikimi artistik, pa qenë e nevojshme të rrokësh plotësisht atmosferën. Kjo intuitë, që poezia e zotëron në komunikim me lexuesit, besoj është formë e jashtëzakonshme e lidhjes së njeriut me përhershmërinë., Pa dyshim që një krijues mund të gjejë vetveten në mënyra të ndryshme të aktivitetit artistik, por herët a vonë ka për t’u ndalur tek ajo që është më thelbësorja dhe i përshtatet më tepër unit të tij njerëzor dhe krijues. Kjo është e domosdoshme, për të thënë deri në fund atë që shpirti kërkon me cdo kusht ta nxjerrë prej vetes. Për ta përmbyllur, e gjej plotësisht veten tek një kumt lirik i poetit Fatos Arapi i cili shprehej: “Poezi, ti ishe gruaja, të tjerat dashnore ishin!”
Më, shumë se çdo gjë, viti ‘90 ndau periudhën e kufizimit të fjalës me lirinë e mendimit dhe të shkrimit. A mendoni se letërsia jonë përfitoi nga kjo liri dhe realizoi vepra të pëlqyeshme, apo shkrimtarët tanë u gjetën të pa përgatitur me lirinë dhe nuk realizuan pritshmërinë që kish lexuesi dhe shoqëria?
Kanë kaluar tridhjetë vjet nga përmbysja e regjimit ku censurohej liria e fjalës dhe gjymtohej ekzistenca e njerëzve që donin të ishin të lirë dhe kishin një përfytyrim fisnik për jetën dhe të ardhmen, ku krijuesit dhe artistët mund të rrëshqisnin në honet e persekutimit, përndjekjes, burgut dhe harresës, e prapëseprapë mua sot më tingëllojnë aq pranë nesh fjalët e Shekspirit tek “Makbethi” i tij: “E gjatë është nata që nuk do të gjejë kurrë ditë”. Kjo më lejon t’iu afrohem të gjitha kundërshtive, rebelimit, shtegtimit lodhës të krijuesëve për të ndërtuar një marrëdhënie të pandashme le lexuesit dhe shoqërinë shqiptare që kërkonte një fillim të ri dhe shpresëplotë. Fillimvitet nëntëdhjetë e gjetën vendin tonë si një botë të verbër, e shoqërinë shqiptare të hedhur në hone të thepisur errësire. Akoma dhe sot, kjo botë me errësirë, nuk do që të mësohet plotësisht me ëmbëlsinë e zërit të poetit, me brishtësinë e të bukurës dhe të mirës që duhet ta kemi mes nesh.
Kush janë shkrimtarët tuaj preferencial, dhe cili është kriteri juaj përzgjedhës apo shija juaj që i ka dalluar këto autorë?
Një nga pikëpyetjet e mia më të qëndrueshme, në këtë drejtim, ka qenë rreth dilemës: përse shkruajnë krijuesit? Çfarë është poezia? Kjo pyetje, e drejtuar ndaj kujtdo, mund të marrë forma të çfarëdollojshme, por unë përgjigjen e kam marrë që shumë kohë më parë, e më ka ndriçuar butësisht gjithë jetën. Poeti është ai individ që di dhe mundet të japë për të tjerët, gjithë ekzistencën e vet. Nuk bëhet fjalë për gjëra të vogla, të matshme, materiale, sjellje apo reagime çfarëdo: e imagjinoni dot shpirtin e një poeti, tallazin e trazuar të një deti të tërë, që derdhet e ofrohet në fronin e një gote, për të shuar etjen e njerëzve? Këta krijues kanë qenë përherë udhërrëfimi im në lexim. Përherë kam qenë i prirë të kem këtë lloj tërheqje ndaj poezisë dhe kjo ka qenë mënyra ime e afrimit me poetët që kanë lënë shenjë të fortë në ekzistencën time. Shkrimtarët dhe poetët që kanë qenë një tërheqje e jashtëzakonshme e vëmndjes dhe intelektit tim, janë të panumërt, e përtej emrave, më duhet të them që letërsia e tyre ka një vërtetësi që e bën të tejdukshme dhimbjen dhe ekzistencën tonë.
Ç’mendoni për letërsinë që bëhet në Shqipëri, dhe cilat janë defektet apo “sëmundjet” që bien më shumë në sy nga kjo letërsi?
Sot në Shqipëri botohet letërsi shumë e mirë, e mirë, mesatare dhe mediokre. Të katërta këto kategori (nëse mund t’i quajmë të tilla!) kanë lexuesit e vet. Kur një poet lexon, ai bëhet i lexuar nga të tjerët. Sa më tepër dritare që të hapësh, aq më shumë do të shohësh botë me sy.
Megjithatë ka një kontradiktë të fortë në këtë mes. Nëse deri para pak vitesh diskutohej që sikur poezia thuajse kishte vdekur, që ishte elitare, që ishte e kapërcyer, sot botimet e shumta dhe ndonjëherë pa kriter të përmbledhjeve me poezi e kanë zhvlerësuar rëndësinë që ky art ka pasur dikur për lexuesit. Prirja për t’i kumtuar botës vjershat e shpirtit, më duket ndonjëherë sikur lidhet me një delir të përkohshëm nga i cili duhet të dalim herët a vonë.
Poezia duhet të jetë më shumë se kurrë e gjallë dhe komunikuese, por orvatja për të quajtur poetike gjithçka që ndahet publikisht me të tjerët, në rrjetet sociale, internet apo edhe në botim fizik libri, më ngjan se i bën fjalët që të humbasin gjithnjë e më shpesh domethënien dhe forcën e tyre. Poezia mbetet një nga qëndresat e fundit kundër varfërimit dhe banalitetit të gjuhës dhe ekzistencës sonë, si një art që depërton mes fjalës në skajet e shpirtit, e pikërisht banaliteti si varfëri intelektuale dhe shpirtërore, besoj është honi i errët ku jemi ndalur përkohësisht si shoqëri.
Ç’raport kanë krijuesit korçarë me autorët e traditës , si mësuesit e parë të zejes së shkrimit, si pjesë e pa shmangshme e idolatrisë që cdo krijues ka për paraardhësit e vet letrar? Diçka në kuadrin historik, edhe rreth traditës korçare në letërsi, që prej fillesave të veta?
Nëse flasim me gjuhën e shkencës, toka do jetë gjithmonë në rrugëtim rreth diellit, në pritje të marrë prej tij ngrohtësinë dhe dritën, ndërsa njerëzit dhe kombet do të presin gjithmonë nga poetët ngrohtësinë e fjalës së tyre, zjarrin e shpirtit që t’i ngrohë dhe t’iu ndriçojë ekzistencat. E kështu nga ata krijues korçarë që në kohë të ndryshme kanë arritur të pohojnë unicitetin e shpirtit të tyre poetik, duke fituar vëmendje dhe lexues përtej kornizës së Korçës, mund të përmend Dritëro Agollin dhe Koci Petritin, Petraq Zoton dhe Vangjush Zikon, Natasha Lakon, Sotir Andonin, Ali Bregun, Ilir Belliun. Por, pa dyshim edhe poetët Rakela Yzeiri, Artur Balli, Entela Safeti, Mimoza Marko, Klito Fundo, Ylber Merdani, Kristaq Turtulli, Arjan Kallço, Gerta Bandilli, Agron Elezi, Theodhoraq Ciko, Kozeta Zavalani, Ziko Kapurani e shumë të tjerë, si dhe krijues të rinj që kërkojnë me çdo kusht të shtrijnë përmasat e përfytyrimit të tyre tek lexuesi më i afërt. Elementët e poezisë që gjejnë vend te këta autorë, shkojnë përkrah me muzikalitetin e serenatës që ka qenë karakteristike për Korçën; dëshira për t’i kënduar dashurisë, ka qenë një nevojë e përhershme e njeriut dhe Korça ka mbrujtur këtë pasion edhe në ndërgjegjen letrare të krijuesve në kohë.
Një qytet i vogël i brishtë, i përkundur brenda një shpirti i cili kufizohet nga muzika dhe nga poezia. Tingëllon bukur dhe ndodh shpesh që të jetë kështu. Në funksion të kësaj ideje, Korça sot e ka një hapësirë fizike të emërtuar “Lëndina e poetëve”, ku çdo vit në organizimin e aktivitetit “Netët korçare të poezisë”, një poet i përzgjedhur mbjell një pemë të vogël e cila i bashkëngjitet pemëve të viteve të mëparshme. Tekefundit, edhe kjo është e veçanta e Korçës që fton rregullisht poetë nga brenda dhe nga jashtë Shqipërisë, njerëz të kulturuar, intelektualë, krijues me një shpirt që ngroh lexuesit edhe shijuesit e krijimtarisë së tyre.
Ju sillni shpeshherë një trajtim thuajse të dhimbshëm dhe të përbotshëm të dashurisë, e cia nuk është asnjëherë e lidhur me fiziken, por sheh përtej. Si mund ta përkufizoni poetikisht vetveten në sferën e lirikës intime?
Unë jam poeti i dhimbjes së bukur (ky është përcaktimi im për dashurinë dhe nëkëtë sens bashkohem me mendimin e Markesit që thoshte”Dashuria është ideologjia ime!”) . Edhe në poezinë që del rpej meje, dashuria është thuajse gjithnjë lunatike,të krijon imazhin e një hëne të ngrënë,para sëcilës gjithsecili nga ne është një i verbër që sheh,një shurdh që dëgjon,një i etur që thith ajër të kaltër. Por unë dua të them se nuk ka rëndësi të dashurosh,rëndësi ka të jesh i dashuruar!Në qoftë se kjo të ndodh në jetë, me siguri ka për të ndodhur edhe në krijimtarinë tënde. Për ta përmbyllur, pavarësisht profilit intimnë shumë vëllime të miat poetike, unë do të thosha se idetë më të rëndësishmetek poezia ime janë ato që kanë të bëjnë me raportet midis jetës dhe vdekjes,raporte ekzistenciale këto që rezonojnë në të gjithë botën.
A mund të ketë lexuesi ynë një panoramë mbi veprën tuaj të deri sotshme dhe cilat janë projektet krijuese për të ardhmen.
Çdo libër i shkruar prej meje ka qenë si krijimi i një bote unike, ku poezitë renditen si ditët dhe mbrëmjet e mia. Lirikat janë si stinët e shumëfishuara të botës, e ndjej frymëzimin që lëviz nga qielli drejt tokës dhe nga toka drejt qiellit; që shndërron gjërat abstrakte në imazhe tokësore dhe iu jep atyre një emër të ngrohtë që ta njohin të gjithë. Poezia është vetë jeta ime, e kur të mos jem më, do jetë përjetësi!/mapo