Në rubrikën Personale, në ObserverKult, mysafir yni është shkrimtarja, Irena Dragoti.
– Si ndodhi takimi i parë me letërsinë?
-Ishte krejt rastësor, me ato pak libra që ime motër ruante me fanatizëm në një raft të improvizuar. Fëmijëria ime i ngjan asaj të vendeve të lindjes, në sistem kolektivizimi, ku edhe mendja ishte e tillë ndaj shijet injektoheshin pa mundim. Si fëmijë kurioz do kisha dashur të kopjoj Heminguejin, (të cilin ime motër e adhuronte ), kur familja e tij para fillimit të shkollës i mësoi violinçelin. Dëshirat nuk janë gjithmonë shkaku i realizimit në jetë, pra nuk munda të mësoj pianon, të preferuarën time, dhe pse shkoja në shkollë muzike, ndaj fillova të lexoj çka të mundem. Në fëmijërinë time mbizotëronte kryesisht letërsia e Evropës lindore ndaj vazhdimësia e takimit ishte me:
1- Çuku dhe Geku i Arkadi Gajdar
2- Djemtë e rrugës Pak i Ferenc Molnar.
.. pa harruar Petro Markon me librin për fëmijë “Shpella e piratëve”.
– Kur ratë në grackën e saj?
Prezantimi në një konkurs të shkollës me një ese për heroin Misto Mame, vlerësuar me çmim më intrigoi të vazhdoj e pesë muaj më pas të thur poezinë e parë. Vëmendja që ajo mori nga mësuesja ime u bë gracka që i ngrita vetes për të mbetur në orbitat e poezisë. Romani “Si u kalit çeliku” i Nikollaj Ostrovskit, që shënon dhe romanin e parë të lexuar himnizoi fjalën shkrimtar në mendjen time. Kisha filluar të kuptoj që veç të shkruarit, më dhuronte një përjetim si Liza në botën e çudirave.
– Kur niset të ndiheshit shkrimtare?
Është pyetje që ia bëj në çdo kohë vetes:- A jam shkrimtare? Diçka më rëndon kaq shumë mbi shpatulla kur më thërrasin të tillë.
Kam një guxim të marrë për të shkruar, pa dëshirën për t’u krahasuar, po aq sa së brendshmi ende kuptoj se i mungon diçka kësaj fjale tek unë.
Jam ende ai fëmija çapkën që nuk e njeh fjalën “jo” por pa pretenduar “dekorimin” shkrimtare. Franz Kafka dogji 90% të veprave të tij nga ky vetëdyshim. Çka kemi sot nga ai si “Metamorfoza” dhe “Procesi” ia bëri dhuratë njerëzimit miku i tij. Ndaj druaj edhe unë në këtë emërtim e jo vetëm sot. Shkrimtar nuk është titull gjykoj, madje Homeri duhet të ketë ndërruar jetë pa e dëgjuar këtë fjalë për veten apo vlerën e asaj që i la botës. Shkrimtar do të thotë fuqia e letërsisë që bën, dhe kur ajo është sipërore, nuk vdes me autorin veçse pas vdekjes së tij vihet në provë e vërteta e aspiranteve të saj ndaj këtë emërtim e pres nga koha, lexuesi dhe kritika pas vdekjes.
– A ja keni shtruar atë pyetjen shumëdimensionale vetes “Pse shkruaj”?
-Madje kam hedhur edhe disa ” pyetje retorike” rreth kësaj në një ese, një vit më parë. Më ka munduar kjo gjë sepse ka qenë e ndryshme në kohë të ndryshme. Të shkruaj është proces i pakontrollueshëm. Ndodh të zgjohesh me një motiv, ndjesi a ngjarje që të bën të shkruash me një frymë për të dritësuar mendimin. Arsyeja pse shkruaj nuk ekziston si përkufizim i kornizuar, por si alternativë e mendimit të përshkallëzuar, apo për të ekuilibruar vetminë, për të konkretizuar lirinë e retorikat e brendshme që duket sikur më degdisin në tjetër planet dhe për të mos përplas arsyen pas murit për pamundësitë. A nuk ia japim kuptimin dhe substancën heshtjes kur shkruajmë?
– Çfarë ju bën të veçantë si shkrimtare?
-Kur kam lexuar Balzakun me “Evgjeni Grande“ zbulova se ai ishte shkrimtari që solli shkencën e ekonomisë në letërsi si dhe kam kuptuar se duhet krijuar individualitet për të qenë ndryshe. Natyrisht unë nuk pretendoj nivelin e Balzakut, apo poezisë së Pushkinit por modelin e tyre mendoj se mund ta ndjek. Liria ime në të shkruar mendoj më bën autentike. Nuk fus veten tek të zakonshmit e rregullave strikte. Unë mund të nis një poezi si ndjesi por kurrë nuk do ta publikoja nëse ajo nuk transmenton një mesazh apo një të vërtetë nga jeta ime. Allen Ginsberg, poeti i madh amerikan shkoi deri në gjykatën e lartë amerikane, pse u akuzua për gjuhë abuzuese në poezinë “Kuja”. Por ja doli të fitonte mbi klishetë e kohës. Ky është shkrimtari i vërtetë dhe modeli që ndjek për të shkruar ashtu si ndihem së brendshmi.
– Ç’ka keni thënë me shkrimet tuaja?
-Në rininë time kam parë një film hit mbi triumfin e një populli mbi fashizmin, filmi “Amore mio Libera”. Në një sekuencë të tij, partizani i burgosur Sandro Poxhi, (Bekim Fehmiu) në një takim me të dashurën e tij Libera Valente, (Klaudia Kardinale), i thotë asaj – Libera, ç’mund të të them për pesë minuta?- (aq zgjaste takimi në burg).
Kështu dhe unë. Shpesh kam pyetur veten, a e përmbushi vetveten Emily Dickinson me 1800 poezi shkruar nga ajo, në pak vite, kur dihet që vdiq në moshë relativisht të re?
Aq kam mundur të them edhe unë, sa “5 minutat” e Sandro Poxhi, pra kam mundur t’i jap dritë vetëm majës së ajsbergut të shpirtit tim, i cili rrit volumin te pjesa nën ujë. Por në kaq sa kam thënë kanë qenë fragmente reale nga jeta ime, botëkuptimi im, parë me filtrin e lirisë. Unë jam e lirë …– këtë thonë poezitë e mia
– Çfarë u ka mbetur ende pa thënë?
-A e kam përqafuar krejt botën me çfarë kam thënë? Sa larg meje është ajo duke më lexuar?
Është pjesa nënujore e ajsbergut për të cilin nuk do mjaftonin as 100 jetë ta mbaroj së zhveshuri si mbreti në ”Perrallat e Andersenit” e ta lexoj për ta vargëzuar. Këto janë pengjet e poetit.
Ka gjithmonë arsye pse pengjet mbeten dualitet mes qenies dhe shfaqjes së tij dhe askush nuk e di kufirin real ndarës mes tyre.
Dhe pse përdor shpesh gjuhën e metaforave, dhe pse përpiqem t’i ngjaj një astronauti letrar nuk do arrij dot kurrë të vizatoj detin në ”Kashtën e Kumtrit”.
– I besoni muzës apo përvujtënisë së punës së parreshtur?
-Në Greqinë e lashtë kishte perëndesha frymëzuese të letërsisë, shkences dhe arteve, ku më e famshmja ishte Urania.
Muzat supozohen të jenë të pamartuara, por Orfeu i famshëm ishte biri i një muze dhe kjo më bind se edhe partneri apo partnerja e shkrimtarit presupozohet të jenë muzë e tij si psh ajo që shtyu Oriana Fallacin të shkruajë një letër të famshme për të dashurin e saj grekun Aleko. Muzë është një lloj leximi emocional por unë i besoj po kaq kultivimit të poezisë si zbutje e marrëzisë dhe naivitetit të muzës. Ditën që një aktor i madh më mësoi këtë, poezia ime është gjallë!
– Sa jeni sistematike në të shkruar?
-Unë nuk administroj dot muzën! Sinjifikativ eshte Kafka. Romanin “Procesi” ai e ka shkuar për 8 orë në harkun kohor 10.00 e mbremjes deri në orën 6.00 të mëngjesit. A jam kaq e marrë? Brenda tri orësh mund të shkruaj dhjetë poezi e më pas mund të rri tri javë pa prekur laps me dorë. Kam shkruar poezi në avion, natën mbi Atlantik në një kafe me miket, në vdekje. Duke menduar se e ekuilibroj me të lexuarin sistematik pohoj se në të shkruar nuk kam mundur të jem sistematike fatkeqsisht.
– Sikur të fillonit nga e para do të bëheshit përsëri shkrimtare apo jo?
-Është pyetje që disa përgjigjen “ok” për konformizëm apo kur nuk kanë përvojë tjetër. Unë them po sepse kam humbur kohë për t’i dhënë frymëmarrje të plotë lirisë sime e do të doja ta rikuperoja. Dhe pse mendoj se njëherazi mund të isha bërë një diesnjatore e mirë veshjesh apo arreduese dhe pse kam ushtruar për 22 vite profesionin fisnik të mësuesisë, letërsia mbetet ajo që për mua kërkon më tepër forcë morale se çdo profesion që mund të zgjedhim në jetë. Më ka ndodhur të kem hedhur në kosh 40 poezi njëherësh, që para dy vitesh i quaja të realizuara. Pra vetëm të shkruarit nuk ngopet në kërkimin pa limit të së përkryerës brenda vetes.
Të shkruarit është subjektiv, lind me vetë personin dhe kjo më thotë se stacioni i fundit i saj qëndron përtej jetës. Unë dua të shkoj përtej saj.
ObserverKult
Lexo edhe:
IRENA KUKA DRAGOTI: KUR TË KTHEHEM, A DO MË MBAJË MEND NJERI…