Mund të dashurohemi për motivet më të zakonshme dhe të imta me një eufori të pakuptimtë. Dashurohemi me zërin që na flet në telefon, me siluetën që mezi duket në dritare, me rrobën që ndërsa thahet tundet, me tingullin e hapave që dëgjojmë gjatë natës. Iluzioni ynë ndizet nga çdo mundësi që na shfaqet, iluzion që i ngjan barit që mbin në asfalt.
Nga Irena Vallejo
Clarin e shkruajti qartë në tregimin e tij me titullin e paharrueshëm ¨Duo e kollës¨. Ngjarjet zhvillohen në një hotel që ndodhet në buzë të rrugës, plot me klientë të vetmuar. Dikush pi cigare në dritare.
Dy ballkone më tej, zhytur në errësirë, një grua fik cigaren. Të dy të mbytur në të njëjtin kat, të dy vuajnë nga tuberkulozi, të dy të huaj, kërkojnë ajër të pastër për mushkëritë e tyre të sëmura. Tanimë gjenden brenda dhomave, nuk i zë dot gjumi, dëgjojnë tik-tak-un e orës dhe kollën e tjetrit.
Përmes mureve ndarëse, secili ëndërron që zëri nga ana tjetër të pëshpërisë e kështu t’i bëjë shoqëri. Kolla e dhomës 36 i duket si kolla e një gruaje energjike, të guximshme. Kolla që vjen nga dhoma 32 i duket poetike dhe e ëmbël. Njëra dhe tjeri ndjejnë mëshirë dhe simpati të përbashkët, nisin dhe kollitjen në duo.
Të shtrirë në shtretër të ndryshëm, pa e parë kolegun e gëlbazës, e imagjinojnë vetën sikur janë në takim me tjetrin. Ajo mendon ¨Ke ardhur vetëm? Edhe unë. Të tmerron vdekja në vetmi? Edhe mua. Po sikur të ishim njohur! Jemi dy gura që thyejnë qafën. A nuk e kupton që nga mënyra se si unë kollitem që jam e mirë¨?
Por Clarin thotë, as ata që kolliten nuk janë romantikë të qëndrueshëm, por askush nuk guxon të dalë nga dhoma e tij në pikë të mëngjesit, në kërkim të përqafimit që i mungon. Të nesërmen i duhet të lërë hotelin, nuk do ta harrojnë kollaj atë kollitjen në duo. Atë rënie në dashuri.
Fjala pasion vjen nga folja në latinisht ¨padecer¨, ka të njëjtën rrënjë me fjalët që përshkruajnë sëmundjen ose vdekjen.
Përgjatë shekujsh është përshkruar dashuria si sëmundje që penetronte trupat përmes infektimit ose përmes dehjes.
Në legjendën tragjike të Tristan-it dhe Iseo-s, protagonistët nuk duhet të dashurohen sepse ajo i kishte dhënë fjalën një familjari të tij, megjithatë gabimisht pinë verë dhe dashurohen shumë me njëri-tjetrin. Dashuri e shfrenuar aq shumë sa dukej sikur ishin të lidhur me zinxhirë.
Tristani kujtonte xhaxhain e tij dhe mundohej t’i ‘parkonte’ ndjenjat që e kishin pushtuar tashmë. Pasioni sa vinte e fuqizohej, atyre nuk iu ngeli rrugë tjetër veçse t’i dorëzoheshin atij. Pasioni i padukshëm, i fuqishëm, toksik, dëshira i ngjante murtajës.
Platoni përshkruan një nga dialogjet më erotike që zhvillohet në një festë të madhe. I varfri kërkon lëmoshë ndërsa mahnitet nga një ¨sharlatan, gjuetar, guximtar¨.
Zhytur në nektar, ai varet në oborrin nën yje, lypësja shtrihet përkrah tij. Atë natë lind Erosi, ndaj zoti i dashurisë lind i varfër, i dobët, i zhveshur e endacak. Nga e ëma trashëgon urinë e përjetshme dhe padurimin. Nga i ati kishte trashëguar bukurinë dhe dëshirën e madhe për ëndrra e fantazi.
Sipas mitit platonik, dëshira jonë buron nga imagjinata dhe mungesa; thuret nga oreksi dhe kërkimi, nga varfëria dhe shpresa. Si ata të vetmuarit që vuanin nga tuberkulozi dhe ne idealizojmë busullën e parë të dashurisë, aq shumë sa kolla na tingëllon si kompliment.
Me kalimin e viteve, vazhdojmë të fantazojmë marrëdhënie autentike, afeksioni nuk është infeksion, duhet të jemi kreativë që të vazhdojmë të duhemi dhe gjatë një të marte çfarëdo, ndërsa plakemi, gjatë ditëve të mbushura me rutina. Në këto momente pasionit i duhet frymëzimi dhe qëndrueshmëria e një vepre arti. Siç e dinte më së miri lypësja, dashurinë e vërtetë nuk mund të reshtësh së shpikuri.
*Irene Vallejo Shkrimtare Spanjolle, në vitin 2020 fitoi çmimin Premio Nacional de Ensayo për librin e saj ¨El infinito de un junco¨, e pesta grua që ka fituar këtë çmim. Femra e parë filozofe që fitoi çmimin Celia Amorós në vitin 2006.
Përktheu: Albana Murra
Lexo edhe: