Irma Kurti fiton çmimin e parë në Konkursin Letrar Ndërkombëtar “Picàturi de suflet”

Poetja shqiptare, Irma Kurti, nderohet me çmimin e parë në Konkursin Letrar Ndërkombëtar “Picàturi de suflet” , në seksionin e poezisë në gjuhë të huaj. Poezia fituese titullohet “I dashur, ti s’mund ta dish”.

Ky konkurs ka lindur nga një ide e shkrimtares rumune Liliana Liciu dhe shkrimtarit italian Francesco Gemito, të cilët janë edhe presidentët e Konkursit, për të krijuar një binjakëzim letrar midis Rumanisë dhe Italisë, transmeton ‘diasporashqiptare.al’.

“Është një poezi që u kushtohet emigrantëve, një eksperiencë që gjithsecili nga ne që jeton larg atdheut e ka provuar të paktën një herë; janë ato çaste kur të mungon vetëm një letër që quhet leje qëndrimi, kur ecën në rrugë si hije sepse emri yt nuk ekziston në asnjë zyrë, kur ndjek me lot në sy një avion në qiell dhe kur shikon ëndrrat e thyera nën hapat e tu … Ishte emocion i veçantë kur më mbërriti në shtëpi diploma dhe targa me titullin e poezisë të shkruar në gjuhën shqipe”, tha poetja Irma Kurti.

Irma Kurti është fituese e shumë çmimeve prestigjioze; pak kohë më parë ajo u nderua me çmimin “Liria” nga Komuniteti Arbëreshë në Itali, si dhe me çmimin: “Leonardo da Vinçi 2021” nga Shoqata Kulturore “Chimera” në Leçe.

LEXO EDHE: Poetja shqiptare Irma Kurti nderohet me çmimin “Leonardo da Vinci 2021”