Poetja shqiptare Irma Kurti nderohet me çmimin “Leonardo da Vinci 2021”

Një tjetër vlerësim prestigjioz për poeten dhe shkrimtaren shqiptare me banim në Itali, Irma Kurti: nderohet me çmimin “Leonardo da Vinci 2021” nga Shoqata Kulturore “Chimera” në Lecce.

E themeluar në vitin 1994 për të promovuar artin, artistët dhe letërsinë jo vetëm në Itali, por edhe në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare “Chimera” përfaqëson një realitet kulturor që me kalimin e viteve ka ardhur duke u përforcuar edhe në sektorë të tjerë. Çmimi u jepet artistëve italianë dhe të huaj, të cilët punojnë dhe kontribuojnë në çdo sektor të artit.

Anëtarët që zgjedhin dhe vlerësojnë kandidaturat janë: Presidentja e Shoqatës, doktoresha Anna Maria Gentile, botuese dhe regjisore, Raffaele De Salvatore, gazetar, drejtor i revistës Euroarte, Stefano Tomà i nominuar “Cavaliere dell’Arte” nga Institute Artistique et Litterarie de France, doktoresha Alessandra Mazza, kritike arti e të tjerë.

Irma Kurti ka botuar njëzet e dy libra në gjuhën shqipe, pesëmbëdhjetë në italisht dhe katër në anglisht. Veprat e saj janë përkthyer në disa gjuhë të tjera.

Në 2013 fitoi çmimin ndërkombëtar “Universum Donna” për letërsinë dhe emërtimin “Ambasadore e Paqes” nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër.

Në vitin 2020, për kontributin në fushën e poezisë, nderohet me titullin “Akademike dhe Presidente Nderi” e Enciklopedisë Poetike Italiane. Në 2021 nderohet me çmimin “Liria” nga Komuniteti Arbëreshë në Itali./diasporashqiptare.al

LEXO EDHE: Irma Kurti: Ti ishe gabimi im