Irma Kurti: Tuneli

Një ditë do të dalim nga ky tunel
dhe pse dhembja s’na braktis sot,
do të ndjekim atë dritëz atje tej
që ndizet e fiket si një xixëllonjë.

Do të puthemi si kurrë më parë,
do të rendim në livadhe si fëmijë,
do humbasim në qeshje si kristal,
do gjejmë paqen në një përqafim.

Pastaj do të takohemi me lirinë…
Oh, na ka munguar vërtet shumë!
Do të flasim e do dehemi pa pirë,
do të jetë e jona lumturia pa fund.

Një ditë do të dalim nga ky tunel
dhe pse drita na duket larg tani,
ashtu si dielli që fshihet pas resh,
mbuluar me mjegull, lot dhe shi.

Bergamo, 25 mars 2020