Nga: Mërgim Bekteshi
Në vitin 2020, Shtëpia botuese “Jakup Ceraja”, botoi romanin “Mirë se vini zoti Ambasador”, të autorit Ardian Haxhaj. Ky është romani i gjashtë i autorit dhe libri i shtatë i tij me radhë. Haxhaj ka një zhdërvjelltësi në prozën e romanit, sidomos ky romani i fundit është një përpjekje për të sqaruar situatën e gjendjen e vendit të tij, Kosovës, përmes figurës së një ambasadori që vjen nga një shtet i fuqishëm. Ky rrëfim i tij është në vetën e parë, narratori i rrëfen ambasadorit dukuri e fenomene mbi tri dekadëshe për atdheun e tij. Ky komunikim mund të merret edhe si një monolog, tejet ironik dhe me të dhëna të bollshme, që shpërfaq një thellomë të shoqërisë së dalë pas luftës së fundit.
Ambasadorët kanë një histori të veçantë, si në kuptimin e diplomacisë ashtu edhe të ndikimeve që ata kanë në vendet ku vendosen për të përçuar një dozë të bashkëpunimit, e në disa vende edhe për të krijuar amulli e për shfrytëzuar mjegullat e dendura, sidomos në Ballkan. Por, autori zhvillon një koherencë tjetër përmes personazhit të tij, Shkodranit duke u munduar ta informojë ambasadorin në ardhje për dukuritë që kanë ndodhur dhe janë duke ndodhur në atdheun e tij. Personazhi mundohet të informojë ambasadorin përmes një tabloje të rrëfyer jo në gjuhën diplomatike, por në gjuhën e një komunikimi të çiltër pa asnjë mbulim. Personazhi sikur ka një frikë gjatë tërë kohës, sepse ambasadorit të shtetit më të fuqishëm mund t’i servohet diçka tjetër, e falsifikuar, një maskë kolektive që do t’i bënte engjëj pjesëtarët e klasës politike.
Nëse në poezinë e Ali Asllanit “Hakërrim” shprehet një revoltë e thellë nga brendia për gjendjen e krijuar, ku vidhet e përvidhet shteti shqiptar, por edhe te poezia e Nolit “Sulltani dhe Kabineti”, po kështu proza e Ardian Haxhaj shpërfaq pakënaqësinë e akumuluar, mungesën e meritokracisë që po i shemb themelet e një shteti të sapobërë. Kjo frikë e personazhit që rrëfen përcillet me histori rrëqethëse që sa mund të duken fiksione ato përbëjnë prova të një aktualiteti që është i mishëruar me një traditë ballkanase kur një dite me diell, dikush mund të zgjohet nga gjumi dhe të bëhet i pari i mëhallës, i qytetit e pse jo edhe i një rrethi më të gjerë. Kjo krizë e thelluar e shtyn personazhin e Haxhajt të hakërrohet para ambasadorit me të cilin zhvillon monolog. Nga një distancë tejet e largët, mundohet të transmetojë një të vërtetë të hidhur, që po rëndon supet e shoqërisë, këtë e bën duke prezantuar mbi dhjetëra dëshmi e ngjarje, se atdheu i tij është në gjendje të rëndë.
Derisa te “Legjenda e legjendave” e Ismail Kadaresë sqarohet se si një ambasador i një shteti të huaj në gjuhën diplomatike kishte pyetur ambasadorin shqiptar: A ka shumë mjegull në shtetin tuaj?, personazhi i Haxhajt mundohet t’i sqarojë ambasadorit se mjegullat mund të jenë më të dendura se që ai mund t’i mendojë. Shpresat për një gjendje më të mirë duket se personazhi Shkodrani i ka të përhumbura, si i diplomuar në histori ai duhet të bëjë punën e kamerierit, ndërsa dikush që kishte djegur ditarët e shkollës për të mbuluar suksesin e dobët do të lartësohej në pozitën e deputetit. Ironia është edhe më e thellë kur personifikon dhe akteret e tjerë që nga lidhjet e forta dhe të nepotizmit do të ngjiteshin deri në majën e Olimpit. Ngjarjet plot ironi e sarkazëm shpesh shoqërohen me idioma e në disa rrethana krijohen komedi, buzëqeshje ironike që duken se mund të dërgojnë personazhin deri në çmendinë, e tëra si pasojë e shthurjes së rendit shoqëror nga grupet e caktuara.
Tërë këto çështje që trajtohen në roman redaktori i librit i përkufizon si “një qasje sarkastike që e ngrin buzëqeshjen në ironinë e zezë”. Pra, shpirti i autorit është në çdo çast, ai mëton, reflekton, sintetizon atë që ambasadori duhet të dijë edhe shumë gjëra të tjera që ai vetëm mund t’i imagjinojë, por ato mund të ndodhin në realitetin e tanishëm. Ai trumbeton duke thënë se ambasadorit do t’ia shtrëngojë dorën filani e fisteku. Por, ambasadori duhet të dijë se ai filani deri dje ishte i akuzuar për vjedhje në kohën e aparteidit, e diku tjetër në Evropë edhe ishte burgosur, por sot është një figurë kyçe në çështjet e sigurisë. Krimi dhe korrupsioni janë parafrazime që ndeshën në çdo pjesë të librit, personazhi shpesh mundohet edhe t’i përçmojë sepse ka ndjesinë se vullneti për t’i hetuar e sanksionuar, mungon.
Në tërë këtë roman, Shkodrani rrëfen vuajtjet e familjes së tij dhe të shqiptarëve gjatë kohës së sundimit serb, varfërinë, mungesën e lirisë dhe shumë persekutime të tjera, kur sigurimi i miellit ishte nevoja elementare dhe e vetme. Por, me ardhjen e lirisë, ëndrra e një djaloshi fillon të venitet, në skenë do të shfaqen personazhe e figura të ndryshme që do të përdhosin ëndrrat e një shoqërie të përvuajtur. I forti do të hapërojë dhe ashtu siç thotë Thomas Hobbes ”kufijtë e së drejtës i përcakton forca”, e forca do të ndryshojë trajektoren e demokracisë dhe të drejtën e meritokracisë, më pak mendime hegeliane, më shumë brutalitet e arrogancë. Një arrogant dhe hajdut do të lartësohet aq shumë sa mundet edhe të thurin elozhe e këngë rapsodike për të.
Por, personazhi duhet të mësohet me gjendjen e krijuar, meditimet e tij dhe shpresa se një ambasador do të qortojë gjendjen e krijuar, mund të jenë vetëm vegime. Nuhi Dera, personazhi sarkastik që kishte dërguar derën e nevojtores me shkronjat KR si dëshmi para organeve serbe të rendit, në kohën e lirisë do të çmohet e lartësohet. Një nofkë tjetër, Grepi, një person që kishte vjedhur e djegur ditarët e shkollës do të bëhej deputet, personi tjetër, Qimi i Nanës, nga shofer i ministrit zulmëmadh do t’i hapte korridore e korridore familjes e atyre që u kishte hatrin.
Me këtë guxim dhe saktësi në rrëfim, Ardian Haxhaj ka paraqitur një gjendje ankthi e depresioni, por shoqëria duhet të reflektojë këmbëngulje në luftimin e krimit, nepotizmit, duhet të vendoset meritokracia e të luftohen skajshmërisht dukuritë famëkeqe që janë shpërfaqur në shoqëri. Tendenca për të bashkëbiseduar me ambasadorin mbetet vetëm monolog, por vendosmëria e personazhit për të folur është tejet e madhe, sepse ai e di se e keqja që ka damkosur shoqërinë është fryt i heshtjes, inferioritetit, damkosje e vlerave të mirëfillta. Haxhaj krijon një rrjedhshmëri në prozën e tij romanore, ai nuk e bezdis lexuesin, pra leximi i këtij romani është vazhdimisht i këndshëm.
ObserverKult
Lexo edhe: