Mërgim Bekteshi: “Portret i papërfunduar” i Agatha Christie

Nga: Mërgim Bekteshi

Agatha Christie e nxjerr në sfond si personazh të viktimizuar Amias Krejl-in në romanin e saj “Portret i papërfunduar”. Ai gjen vdekjen duke punuar një portret, sa me karizmë e epshndjellje, po aq vrasës e misterioz, që do ta përfundonte karrierën e tij.

Dhe, përgjigja pas gjashtëmbëdhjetë vjetëve do të kthejë skenën në vendin e krimit. Kthimi në rikonstruktim të një vdekjeje të dyshimtë, siç do ta quante e drejta procedurale, është një karakteristikë e defekteve policore, prokuroriale dhe deri të marrja e vendimit nga ana e gjyqtarit për dënimin e një personi që do ta quanin përgjegjës për vdekjen e Amias, e kjo do të ishte gruaja e tij, Karolina Krejl, pasi provat e mbledhura shkarazi kishin çuar në dyshime drejt saj pa të drejtë.

“Portret i papërfunduar”i  Agatha Christie vjen në shqip në vitin 2019 nga shtëpia botuese “Dituria”, Tiranë. E gjithë krijimtaria artistike që shfaqet përmes romaneve të saj, përbën trajtimin e rasteve kriminalistike, me theks të veçantë vrasjeve. Në këtë rrugëtim të këtij romani, por edhe të romaneve të tjera, ajo prezanton një hetues të shkathtë, Herkul Puaronë, që hulumton me zgjuarsi detajet e çdo krimi, edhe atëherë kur ka një kohë të gjatë që gjurmët janë harruar.

Narracioni ka finesa hetimore, nuk përmban qasjen e një letërsie klasike, e gjithë përfshirja e personazheve dhe dramaciteti janë të një natyre informative, por gjejmë edhe përshkrime me motive sensitive, gjë që tregon për njohuritë e autores për letërsinë dhe artin në përgjithësi.     

Agatha Christie përdor një stil të veçantë, mjaft kompleks, duke e mbajtur lexuesin nën presion të vazhdueshëm, duke krijuar kapituj të shumtë për mbajtjen e lidhshmërisë me fillin kryesor të ngjarjes. Por, ajo nuk e ngarkon lexuesin me mendime filozofike, mirëpo me përmasën të përshkrimit deri diku edhe mbresëlënës.

Ajo i përvishet hetimit,  sado që ngjarjet janë dhe mund të jenë të imagjinuara, apo të kenë një dozë të lartë të besimit mbi realitetin e krijuar. Aftësitë e saj janë magjepsëse në njohjen e shkencës kriminalistike, metodologjinë e hetimit dhe detajet që i vë në vendet e sigurta. Kjo e bën më të besueshme edhe “titullin” që ia kanë dhënë, duke e quajtur “Mbretëresha e krimit”, kuptohet në tipin e letërsisë së tillë.

Romani fillon me Karla Lemarshan, e cila ishte vetëm pesë vjeçe kur babai i saj ishte gjendur i vdekur duke punuar në njërën nga kryeveprat e tij në pikturë. Ajo do të kërkonte nga një hetues i njohur që pas gjashtëmbëdhjetë vjetësh të riniste një hetim të pavarur, pasi mamaja e saj i kishte lënë një letër nga burgu dhe ajo pretendonte se kishte diçka mistike në vrasjen e babait të saj, dhe një aktakuzë e brishtë shfaqte mamanë e saj fajtore në këtë mesele.

Për t’i hyrë kësaj pune, hetuesi  Herkul Puaro duhej të nuhaste një kohë të kaluar, gjashtëmbëdhjetë vjet më parë dhe shumë nga provat ndoshta edhe ishin katandisur, harruar, por siç pretendon ai në roman “një vrasje është një vrasje”(f.12), prandaj duhej të zhbironte rrethana dhe koncepte të mundimshme për të faktuar një të vërtetë që ishte mbuluar nga pakujdesitë e veprimeve hetimore.

Herkul Puaro së pari do të marrë informatat fillestare për të pranishmit e datës dhe kohës së ngjarjes së vrasjes, personat prezentë, lidhjet dhe miqësitë e krijuara, tendencat dhe relacionet e të pranishmëve, studimin e karakterit të personave gjatë bashkëbisedimit për të kuptuar së pari rolin e viktimës në shoqëri dhe së dyti, të dyshuarën për vrasjen e tij, që ishte bashkëshortja.

Në këtë lëmsh të krijuar, shfaqen persona tejet interesantë, sa të thjeshtë aq edhe të komplikuar, të cilët nxisin debatet e një vrasjeje të mistershme përmes helmimit. Kundruall realitetit të tanishëm, personat krijojnë personifikime të çuditshme duke u munduar të shfaqin edhe një herë bindshëm se Karolina Krej ishte ajo e cila, pas një zënke me të shoqin, pasi ai ia kishte sjell në shtëpi një dashnore të re, e kishte helmuar me një bimë që e kultivonte fqinji i tyre, Meredit Blekj; kështu së paku akuzohej.

Teknikat e intervistimit dhe modelet e bashkëbisedimit janë një projekt i shkëlqyer i Agatha Christie. Përmes detektivit, Puarosë, mbledh copëzat dhe deklarimet me shkrim që personazhet prezentë i japin në një mozaik sa të kapshëm, aq edhe me një fije të hollë sa të bën të besosh se vendimi i gjykatës ishte i drejtë dhe hetuesia e kishte kryer punën në mënyrë të drejtë. Mirëpo, në rrethanat e krijuara pas rindërtimit, hetimi i vrasjes bëhet aq i kapshëm sa lexuesi mbetet i stepur.

I tërë zhvillimi hetimor, sipas shkrimtares, duhet të ketë një shkathtësi të veçantë, në plan të parë provat janë ato që flasin vetë, por duhet ditur gjuha e komunikimit për të kuptuar fshehtësinë.

Sado që vepra letrare, romani, mund të ketë simulimet e veta, megjithatë imagjinata përkufizon realitetet e ndodhura në mesin e miliarda njerëzve në planet. Me këtë roman, por edhe romane të tjera nga bota e krimit, Agatha përçon porosi për të mos pasur shpresa të këputura.

Drejtësia është peshore shpesh e koklavitur, çdo ditë në botë dëgjohen të dhëna për një drejtësi të vonuar, të çalë, vuajtje të dënimeve dhe më pastaj gjetjen e provave të reja që shpërfaqin pafajësinë. Thjeshtësia artistike dhe aftësia e saj për të njohur botën e krimit e bëjnë atë shkrimtare të veçantë.   

ObserverKult   


Lexo edhe:

MËRGIM BEKTESHI: PROCESI I JOZEF K.-SË, I PASHMANGSHËM EDHE PAS GATI NJË SHEKULLI