Ish-komandanti zbulon si e gjeti Mehmet Shehun: I mata pulsin dhe nuk kishte shenja jete… ja çfarë më tha Ramizi në telefon

Nga Dashnor Kaloçi

Publikohen disa nga historitë e panjohura të ish-kryeministrit më jetëgjatë të Shqipërisë komuniste, Mehmet Shehut, të rrëfyera prej ish-truprojës dhe komandantit të grupit të shoqërimit të tij, Ali Çeno, lidhur me raportet e shefit të tij me Enver Hoxhën dhe disa nga ngjarjet më të përfolura që vazhdojnë të jenë të mbuluara me mister edhe sot pas plot katër dekadash nga eliminimi i tij, si ato të mbrëmjes së 17 dhjetorit të vitit 1981, kur Ali Çeno shoqëroi shefin e tij për në shtëpi pas mbledhjes së Byrosë Politike, ku ai u kritikua ashpër nga Enveri dhe pjesa më e madhe e anëtarëve të saj dhe ngjarjet e mëngjesit të asaj nate, kur kryeministri shqiptar u gjend pa jetë në dhomën e tij të gjumit!

Dëshmitë e rralla të ish – truprojës së kryeministrit shqiptar, duke filluar nga ngjarjet e vitit 1974, kur Enveri tentoi të fuste në konflikt Mehmetin me Beqir Ballukun dhe ish-gjeneralët e tjerë që u pushkatuan, kontradiktat e Enverit me Mehmetin që në vitin 1976, gjë e cila solli dhe një ftohje mes tyre dhe gjithashtu edhe të Fiqretit e Nexhmijes, aq sa dhe pushimet ato dy familje nuk i bënë më bashkë siç i kishin bërë gjithmonë, (konflikti i cili, u reflektua edhe te dy grupet e shoqërimit që kryesoheshin nga Sulo Gradeci dhe Ali Çeno), debatet e ashpra të dy krerëve më të lartë të Shqipërisë komuniste, në pranverën e vitit 1981, kur nisën demonstratat në Kosovë, ngjarjet e vjeshtës së 1981-it pas fejesës së djalit të dytë të Mehmetit, me “vajzën me biografi të keqe”, ku Enveri me Nexhmijen shkuan për urim dhe përse ata e nxorrën jashtë fotografin e familjes së kryeministrit, debatet për prishjen e asaj fejese pasi Enveri urdhëroi që Mehmeti të kthehej urgjent nga Korça…?!

Mbledhja e Byrosë Politike e pasdites së 17 dhjetorit 1981 dhe porositë e veçanta që i dha kryeministri Shehu truprojës së tij, për grupin e shërbimit që ishte roje atë natë në vilë, kush dhe përse e njoftoi Çenon që të shkonte atë natë me shërbim aty, gjë e cila nuk kishte ndodhur kurrë më parë…?! Si e mësoi Aliu në mëngjesin e 18 dhjetorit atë që kishte ndodhur me shefin e tij, çfarë i tha atij, Vladimiri, djali i madh i familjes Shehu para se ai të futej në dhomën e gjumit të kryeministrit, biseda në telefon e Aliut me Ramiz Alinë dhe përgjigja e tij, roli i Kadri Hazbiut në atë ngjarje, torturat çnjerëzore që i bënte hetuesi Sokol Koleka gjatë proçesit hetimor Aliut dhe çfarë i kërkonte ai të pohonte në lidhje me Enver Hoxhën, versioni që jep Çeno, për mënyrën, mekanizmin dhe njerëzit që morën pjesë në vrasjen e ish-kryeministrit Shehu, e përse ai akuzon Ramiz Alinë, si zbatues të atij plani që ishte ideuar më parë nga Enver Hoxha?!

“Mbledhja e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, mbaroi aty rreth orës 20.00 të mbrëmjes dhe menjëherë pas saj, Mehmeti tepër i nervozuar si rrallë ndonjëherë, hyri me nxitim në studion e punës së shtëpisë tij dhe që tek dera e flaku çantën, e cila ra në dysheme. Unë menjëherë u ula që ta merrja për ta vënë në vendin ku e mbante zakonisht, por ai më tha: ‘Lëre Ali dreqin, lëre…’! Duke parë në atë gjendje tepër të tronditur, për ta zbutur disi dhe për ta qetësuar, unë i thashë: ‘Sa herë kritikohemi ne, nuk duhet të bëjmë kështu’. Pas kësaj ai m’u drejtua mua duke më thënë: ‘Pse mor Ali, ti e krahason veten me mua…?! Nuk i dëgjove pocaqitë se çfarë bënin në mbledhje, si papagaj…’?! (E kishte fjalën për mbledhjen e Byrosë Politike që porsa kishte mbaruar, ku pothuaj të gjithë anëtarët e saj, të nxitur nga Enver Hoxha, e sulmuan ashpër me akuza nga më të ndryshmet). Mbas pak, aty rreth orës 20 e 45, nga studio e punës ku ai ishte vetëm dhe unë te dera e saj në korridor, Mehmeti e mori në telefon Enverin dhe i tha: ‘Shoku Enver, a ka mundësi të vij vetëm pesë minuta, që të kopsisim disa gjëra…’? Unë nuk e dëgjova se çfarë i’u përgjigj Enveri nga ana tjetër e receptorit, por atë gjë e mësova të nesërmen nga Fiqreti. Para se të ndahesha prej tij, për të shkuar në shtëpinë time, Mehmeti, m’u drejtua: ‘Ali’ kini kujdes shërbimin, se e keqja të vjen andej nga se pret’. Unë e kisha të qartë se përse e kishte fjalën dhe para se të largohesha, i ndava detyrat grupit të shërbimit, e u largova për në shtëpi, për t’u rikthyer përsëri aty pas një telefonate që më bëri një nga pjestarët e grupit të shoqërimit dhe fjeta në dhomën e shërbimit. Të nesërmen në mëngjes, pasi nxora “Benz”-in dhe e bëra gati për ta çuar shefin në mbledhjen e Byrosë, dëgjova ulërima nga kati i dytë i vilës. Më pas, doli Vladimiri djali i madh i familjes dhe kërkoi që unë dhe doktori (Llesh Rroku), të shkonim shpejt sipër. Ladi bëri me gisht nga dhoma e gjumit dhe duke u dridhur i tëri më tha: ‘Ali, shko shikoje babin…’! Unë u futa menjëherë aty dhe për momentin, kujtova se i kishte rënë të fikët. Menjëherë i mata pulsin dhe pashë që ai kishte mbaruar…”!

Kështu e kujtonte Ali Çeno, truproja dhe ish-komandanti i grupit të shoqërimit të kryeministrit komunist të Shqipërisë, Mehmet Shehu dhe një nga njerëzit më të besuar të tij, natën e 17 e 18 dhjetorit të vitit 1981, kur ai u takua dhe shoqëroi shefin e tij për në shtëpi, pas mbledhjes së Byrosë Politike, ku Mehmeti ishte thirrur për të dhënë llogari, lidhur me fejesën e djalit të dytë të tij, Skënderit…! Pas kësaj, Aliu heshti pak për një çast dhe sytë gati i’u mbushen me lot. “Ja si më rrëqethet mishi…”, na thoshte ai, teksa kujtonte ish-shefin e tij, kryeministrin më jetë gjatë në historinë e shtetit shqiptar, të cilit i shërbeu me besnikëri për dhjetë vite me radhë dhe për herë të parë na tregonte të gjithë prapaskenat që çuan në natën fatale të 18 dhjetorit të vitit 1981, kur kryeministri shqiptar i cili për 27 vjet kishte drejtuar vendin me dorë të hekurt, u gjet pa jetë në dhomën e gjumit të vilës së tij, aty në hyrje të “Bllok”-ut, vetëm pak hapa larg ndërtesës së Komitetit Qendror të PPSH-së dhe pallatit të madh të Enver Hoxhës, hija e të cilit, duket se e mbulonte atë çdo perëndim dielli…!

Po si dhe kur lindën për herë të parë kontraditat në mes Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut, cili ishte ministri që dëshmonte mbi konfliktin e ashpër ndërmjet tyre në vitin 1954, kur pas mbylljes në shtëpi i ruajtur nga ish partizanët e tij besnikë nga Mallakastra të Brigadës së Parë Sulmuese, Mehmeti, u bë gati për të dal në mal?! Po çfarë akuzash i kishin bërë kryeministrit Mehmet Shehu atë ditë të 18 dhjetorit të vitit 1981, në mbledhjen e Byrosë Politike dhe ç`kishte biseduar ai me djalin e ish-ministrit të Mbretit Zog gjatë një vizite që ai si kryeministër kishte bërë në qytezën e Cërrikut?! Përse Mehmeti i kërkoi takim Enver Hoxhës atë mbrëmje, pak orë para ngjarjes misterioze dhe cila ishte përgjigja që mori nga ai?! Që kur kishin filluar kontradiktat dhe çarja e madhe midis tyre, të cilat çuan në konfliktin e pariparueshëm të asaj nate fatale në atë fund dhjetori dhe a kishte lidhje ajo me debatin e ashpër që ishte zhvilluar ndërmjet tyre përpara Shtëpisë së Partisë, teksa dilnin nga ndërtesa e Komitetit Qendror të PPSH-së në marsin e 1981-it, kur kishin filluar demonstratat në Kosovë dhe Mehmet Shehu i kishte kërkuar Enverit që të çonin tanket në kufirin me Jugosllavinë?

Cilat ishin marrëdhëniet e Mehmetit me Ramiz Alinë dhe përse u prishën ato vetëm pak ditë pas ceremonisë që bënë dy familjet Shehu dhe Alia, në vilën e Malit të Dajtit?! Çfarë kishte kurdisur Enver Hoxha, kur së bashku me Nexhmijen, shkuan për vizitë tek familja Shehu, për t`i uruar fejesën e djalit, Skënderit, me vajzën e familjes Turdiu dhe përse e nxorën jashtë fotografin e familjes Shehu (Dashamir Rrapin), duke mos e lënë atë që t`jua bënte ai fotografitë? Përse Enveri e thërriti urgjent Mehmetin nga mbledhja e Korçës në tetorin e vitit 1981 dhe çfarë i kërkoi atij në shtëpinë e tij, gjë të cilën, Mehmeti i’a kundërshtoi në mënyrë kategorike në grindjen e ashpër që plasi midis tyre?! Përse mbrëmjen e 18 dhjetorit, Mehmeti e porositi komandantin e rojeve të tij, Ali Çenon, që: të kishte kujdes, se rreziku mund t`ju vinte andej nga se prisnin?! Çfarë donte të thoshte ai me atë porosi dhe përse Ali Çeno u thirr atë natë që të shkonte të flinte aty, gjë që nuk e kishte bërë kurrë më parë gjatë gjithë periudhës afro 10 vjeçare që shërbente në atë detyrë?!

Përse Ali Çeno ngulte këmbë, duke thënë se: shefi i tij nuk kishte vrarë veten, por ishte vrarë nga një njeri tjetër, i cili ka hyrë natën nga dera e përparme e vilës, duke bashkëpunuar me një nga oficerët e shërbimit të brendshëm?! Si reagoi Ramiz Alia, kur Aliu e njoftoi se çfarë i kishte ngjarë shefit të tij? Çfarë kishte në gotën që Aliu pa mbi komodinën e Mehmetit dhe përse ajo u zhduk menjëherë, pasi aty u fut grupi e ekspertëve kriminalist që do bënte këqyrjen e vendngjarjes?! A ishte i implikuar Kadri Hazbiu në atë ngjarje, cili ishte qëndrimi i tij në hetuesi dhe çfarë tha Kadriu ai në gjyq për Mehmet Shehun dhe trupin gjykues? Çfarë i kërkonte Ali Çenos hetuese Sokol Spiro Koleka gjatë procesit hetimor dhe përse ai duhet të pranonte se: shefi i tij Mehmeti, e kishte ngarkuar atë (Aliun), që të vriste me atentat Enver Hoxhën?!

Rreth këtyre mistereve ku pjesa më e madhe e tyre janë të panjohura dhe të papublikuara më parë, si dhe shumë ngjarje e fakte të tjera të panjohura që lidhen me ish-kryeministrin më jetë gjatë të shtetit shqiptar, Mehmet Shehu, si dhe marrëdhëniet e raportet e tij me Enver Hoxhën, bëhen publike nga dëshmitë rrëfyera ekskluzivisht nga Ali Çeno, ish-truproja dhe komandant i grupit të shoqërimit të tij, të cilat Memorie.al i publikon për herë të parë për lexuesit e saj në disa numra të rubrikës dossier.

Çeno: Çfarë më tha Mehmeti në 1975-ën kur po priste t’i komunikonte shkarkimin ministrit Kiço Ngjela?!

Ali Çeno truproja besnike i ish-kryeministrit Mehmet Shehu, na dëshmonte se: konflikti në mes shefit të tij Mehmetit dhe Enver Hoxhës, ka qenë i hapur dhe evident që në fillimin e viteve ‘70-të, kohë për të cilën ai është vetë dëshmitar okular. Lidhur me këtë, ndërmjet të tjerash Aliu na tregonte: “Ndonëse Mehmeti me Enverin kishin kontradikta dhe konflikte të vjetra me njeri tjetrin, madje që nga mbarimi i Luftës, unë nuk e di dhe nuk e kam besuar kurrë, që Mehmeti të kishte në plan ndonjë komplot për eliminimin fizik të Enverit, ashtu siç e akuzoi ai (Enveri), menjëherë pas ngjarjes së 18 dhjetorit të vitit 1981, gjatë të cilat veç të tjerash janë të shkruara e zeza mbi të bardhë, edhe në librin “Titistët” që Enveri publikoi në vitin 1982, kryesisht në kapitullin “Tabloja sinoptike për poli agjentin Mehmet Shehu”. Po ta kishte Mehmeti një plan të tillë, normalisht do të ma kishte ngarkuar mua, si njeriun më të besuar që më kishte dhe ne kishim mundësinë, për të vrarë dyzet herë në ditë Enver Hoxhën. Por nuk është kështu, sepse në vitin 1973, kur Enveri pësoi infarkt në zëmër, ishte Mehmeti ai që kujdesej më shumë për të, duke i shkuar dy herë në ditë për të parë gjendjen e tij shëndetësore aty në vilën Nr 4. tek “Pallati i Brigadave” ku qëndronte Enveri pas sëmundjes. Përkundrazi ishte Enveri ai që i nxiste kontradiktat në mes tyre. Aty nga viti 1975 kur u mbajt Plenumi i Komitetit Qendror të PPSH-së që shkarkoi Kiço Ngjelën nga posti i Ministrit të Tregtisë, Kiço erdhi në selinë e Kryeministrisë, ku Mehmeti e kishte thirrur për t’i komunikuar zyrtarisht shkarkimin. Ai ishte tepër i mërzitur dhe erdhi duke shpresuar që Mehmeti do ta ndihmonte, pasi e kishte mikun më të ngushtë, gjë e cila dihej nga të gjithë. Mehmeti e donte shumë Kiçon dhe thoshte gjithnjë se: ishte i vetmi ministër, që nuk kishte nevojë ta kontrollonte, pasi e kishte mendjen të fjetur se ai i bënte mësëmiri të gjitha punët që i takonin. Atë ditë dhe Mehmeti ishte tepër i mërzitur e porsa erdhi Kiço, i tha: ‘Nuk kam çfarë të bëj, kjo gjë nuk është më në dorën time. Unë bëra të pamundurën…’! Mbasi u largua Kiço, unë u futa në zyrën e tij dhe duke kapërcyer pak atë konfidencialitetin që ai ma kishte lejuar, i thashë: Shef, dhe Kiçon e shkarkuan…?! Mehmeti, që kurrë më parë nuk na fliste fare për ato punë, mërmëriti disa fjalë sikur po fliste me vete, duke më thënë: Ehhh mor Ali, këto janë aq punë të thella, sa që ju nuk i kuptoni dot. Mua po m`i presin me gërshërë dal nga dal krahët, (dhe imitoi gërshërët me dy gishtat), deri sa të ngelem si shkop…! (Në atë kohë kishin shkarkuar dhe dy ndihmësit kryesorë të tij, zv/kryeministrat Koço Theodhosi dhe Abdyl Këllezi, si dhe ministrin e Tregtisë së Jashtme, Vasil Kati). Mbasi dolëm nga mbledhja e Plenumit, ndryshe nga të gjithë anëtarët e Byrosë Politike që qëndruan në Tiranë, me Mehmetin shkuam në Durrës, tek rezidenca verore në plazh. Ndërsa ishim duke shkuar për atje, nga radio e makinës, dëgjuam komunikatën e Komitetit Qendror të PPSH-së, që njoftonte për shkarkimin e Kiço Ngjelës. Unë duke kujtuar se Mehmeti po dremiste, i thashë: Shef, a e dëgjove? Ai mu përgjigj: Po, por këmbanat bien për më lart”, kujtonte Aliu, truproja e ish -kryeministrit, atë periudhë në mesin e viteve ‘70-të kur, Mehmet Shehu, priste nga çasti në çast goditjen nga Enver Hoxha, pasi ai i kishte shkarkuar tre ndihmësit kryesor të tij.

Kush ishte Ali Çeno?

Ali Çeno u lind më 27 shtator të vitit 1943 në qytetin e Tiranës, ndërsa babai i tij është me origjinë nga Gjirokastra por dhe ai vetë i lindur në Tiranë, ku është shpërngulur familja e tij në fillimet e shekullit të kaluar dhe ata kanë banuar në një shtëpi në afërsi te Sheshit “Avni Rustemi”, (ku jeton edhe sot bashkëshortja e Aliut, Jeta Çeno), kurse nëna e Aliut është nga familja e njohur Seseri e Krujës.

Në vitin 1963, Aliu mbaroi Shkollën Ushtarake “Skënderbej” dhe më pas Shkollën e Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”. Që në bankat e shkollës “Skënderbej” Aliu u dallua për fizikun e tij të fortë, gjë që i ra në sy trajnerit të atëhershëm të boksit pranë Klubit Sportiv “Partizani” Ali Kastratit, i cili menjëherë e inkuadroi në atë ekip, (pranë Hysen Sharrës e Ramiz Sadushit) pasi e hoqi nga ekipi i volejbollit të ekipit “Partizani” ku Aliu merrte pjesë. Krahas volejbollit dhe boksit, Aliu u morr dhe me atletikë, duke arritur deri kampion i Ushtrisë në shumëgarësh e disa sporte të tjera. Ai ka përfaqësuar Ushtrinë Shqiptare duke marrë pjesë në shumëgarësh (garë ushtarake) në disa aktivitete ndërkombëtare të Ushtrive të vendeve mike, si në Kinë, Kore, Vietnam etj.

Pas mbarimit të studimeve pranë Shkollës së Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”, Aliu u emërua në detyrën e instruktorit  dhe shefit të Përgatitjes Ushtarake për parashutizmin, në Batalionin e Sigurimit të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, ose siç njihej ndryshe në atë kohë “Reparti i Diko Zeqos”. Në atë repart, për më shumë se 10 vite, ai u muarr me parashutizmin, duke përgatitur dhe hedhur nga rreth 1000 kursantë parashutistë në vit, pothuaj në çdo vend të Shqipërisë. Në një nga stërvitjet e mëdha ushtarake që u zhvillua në rrethin e Fierit në vitin 1971, Aliu bëri një hedhje demonstrative spektakolare me parashutë, duke e hapur atë vetëm 100 m. pranë tokës, gjë e cila i emocionoi të pranishmit e shumtë që ndiqnin atë stërvitje dhe vetë kryeministrin Mehmet Shehu që asistonte aty, i cili e qortoi rëndë Aliun.

Menjëherë pas asaj stërvitje, Mehmet Shehu bisedoi me shefin e Shtatmadhorisë së Ushtrisë, Petrit Dumen, i cili i tha se: Aliu ishte një nga oficerët më të përgatitur dhe krenaria e elitës së oficerëve të Ushtrisë. Pas kësaj, kryeministri Shehu urdhëroi Petrit Dumen që atë officer, t`ja sillte në eskortën e tij, duke e emëruar në funksionin e komandantit të grupit të shoqërimit, detyrë të cilën Aliu e mbajti deri në 18 dhjetorin e vitit 1981 kur shefi i tij u gjet i vdekur në vilën e tij. Në atë periudhë kohe, Aliu, vazhdoi edhe shkollën e Policisë të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Sauk (sot Akademia e Rendit) dhe Institutin e Lartë të Fizkulturës, “Vojo Kushi”, duke marrë kështu dhe dy diploma të tjera.

Pas ngjarjes së 18 dhjetorit të vitit 1981, ku shefi i tij, kryeministri Mehmet Shehu u gjend pa jetë në dhomën e gjumit të vilës së tij, Aliun fillimisht e transferuan në Cërrik, duke e emëruar si shef i Stërvitjes në Brigadën e atij qyteti, ku punoi vetëm tre muaj, pasi më pas u arrestua, duke u akuzuar si “bashkëpunëtor në veprimtarinë armiqësore” të shefit të tij Mehmet Shehut. Pas arrestimit, Ali Çeno u mbajt në hetuesi për më se një vit e gjysëm, i lidhur këmbë e duar dhe me kasë në kokë, duke u torturuar në mënyrë ç’njerzore, ditë e natë për të pranuar akuzën se: “shefi i tij Mehmet Shehu, e kishte urdhëruar atë të vriste me atentat Enver Hoxhën dhe se kishte qenë antar i bandës së Xhevdet Mustafës, si dhe agjent i disa agjenturave të zbulimeve të huaja, e korrier i Mehmet Shehut me këto agjentura”.

Me këto akuza Ali Çeno u dënua me 10 vjet burg, duke e vuajtur atë kryesisht në burgun famëkeq të Burrelit. Ai u lirua nga burgu në fillimin e vitit 1991 me rënien e regjimit komunist në Shqipëri. Pas vitit 1991, Aliu punoi për disa kohë si mësues i Edukimit Fizik në shkollat “Mihal Grameno” dhe “Labinoti” të kryeqytetit, e më pas në disa punë të ndryshme, deri sa doli në pension. Ali Çeno ndërroi jetë në muajin 19 gusht të vitit 2019, në moshën 75 vjeçare. /Memorie.al

LEXO EDHE: Këta janë 29 të pasurit që e pësuan nga regjimi komunist i Enver Hoxhës