Shkrimtari Rudi Erebara rrëfen për ‘News24’ si u shua zjarri që ra mbrëmjen e së hënës në monumentin kulturor të kategorisë së parë, i njohur si Sarajet e Toptanasve në Tiranë. I gjendur në ambientet e brendshme kur u shquan flakët në katin e dytë, ai tregon se ndjehej një nxehtësi e jashtëzakonshme.
“Unë hyra të fotografoj brenda dhe po i kërkonim policisë të vinte prokuroria. Ndodhi që kur isha brenda, ata që ishin jashtë bërtisnin “zjarr, zjarr”. Dhe unë nga brenda nuk e gjeja dot se ku ishte zjarri sepse ishte tym por edhe errësirë. Kur u ngjita sipër e pashë se zjarri ishte mes korridoreve, në mes të tavanit. Hodhëm disa kova ujë dhe u kthyem e dolëm këtu”, rrëfen Erebara, raporton “BalkanWeb”.
Duke pranuar se një moment patën frikë se zjarri i qëllimshëm do të përfshinte godinën duke i zënë ata brenda, Erebara, zbulon se një nga pronarët prej vitesh i bën roje godinës, pikërisht për të shmangur zjarret, por atë natë, ai nuk gjendej në Tiranë. Ai gjithsesi nuk nuk ngurron me metaforat.
“Një nga pronarët Elvisi e ka mbrojtur fizikisht për vite me radhë shtëpinë. Kishte shpresë se shtëpia do bëhej qendër kulture, duke u kthyer në efiçente edhe për pronarët. Kishte disa kohë që madje ai flinte në një nga dhomat lart, dhe bënte pronarin dhe rojen. Madje, fuçinë e ujit që përdorëm për të shuar zjarrin, e kishte mbushur ai. Ky është zjarri që i kanë vënë më 1944 Shqipërisë sepse shqiptarët ndonjëherë e ndezin vetë zjarrin ”.
Erebara është autori i një sërë librash artistik dhe përkthimesh të emrave të medhenj të letërsisë./BW