“Isha tue dalë n’skenë kur mora lajmin ‘sot t’vdiq nana’” – Çun Lajçi rrëfen historinë e ngjashme me Ramë Lahajn

Tenori kosovar Ramë Lahaj nuk arriti ta përfundonte koncertin e së shtunës në Prishtinë, pasi dy orë para se të dilte para publikut, atij i vdiq e ëma.
E aktori i njohur kosovar, Çun Lajçi, duke i shprehur ngushëllime Lahajt ka treguar se po histori të njëjtë ka pasur edhe ai.

“Eh more artist! S’ma beson, por po ta them, se njisoj si ty me pati vdekë nana me 1972. Isha tue dalë n’skenë me luejt Halmetin kur mora lajmin, si ti “sot t’ vdiq nana”. Nuk u tregova kolegve, sepse salla ishte përplot shikues. Dola dhe e luejta shfaqjen, e pastaj mora rrogë natën për Pejë! Oh sa ta njoh dhimbjen artist, por bahu i fortë se nanat na ikin gjithmonë pa na e hequr mallin!”, ka shkruar Lajçi.