“Ishte një natë e tmerrshme”, ja pengu i Edmond Budinës natën e shembjes së Teatrit Kombëtar

Regjisori Edmond Budina, një ndër artistët më të zëshëm në mbrojtje të Teatrit Kombëtar, ka rrëfyer në emisionin “Opinion” episode nga momentet dramatike të shembjes së godinës.

Budina ka treguar se i ka mbetur peng pasi në momentin që godina u shemb nuk ishte i pranishëm pasi ishte larguar për pak, duke menduar se s’do të kishe sulm.

“Ajo natë ishte një natë e tmerrshme. Ishte një natë e tmerrshme sepse ishte një dhunë e paperceptueshme. Unë deri në atë moment, jo nuk isha. Më ka mbetur peng, më thanë nuk do të ketë më sulm dhe ika. Sapo kam mbërritur në shtëpi më erdhi njoftimi që teatri u shemb”, shprehet ai.

Ndër të tjera ai deklaroi se rekuizitat dhe kostumet e vjetra, mbetën të varrosura në rrënojat e godinës.

“Se këtu shiriti vërtitet në një vend dhe gënjeshtrat mbulojnë njëra- tjetrën. Kryetari i Bashkisë, dy ditë përpara se të shembej teatri thoshte: aty ka kostume, ka vlerë, ka rekuizitë, është zëri i këtij, është zëri i atij. Dhe e prishën atë teatër dhe i varrosën, janë atje. Nuk i nxorën se nuk kishin kohë. Dhe janë pamjet e filmuara, ku kostumet janë atje të varura”, u shpreh Budina me indinjatë.