Alessandro Baricco
“Ishte një vajzë e thjeshtë, nga ato që ëndërrojnë pas librave dhe poezive dhe nëse jeta tregohej e poshtër për të nuk kishte rëndësi. Një arsye të mirë për të buzëqeshur e gjente gjithsesi. Të tillë tip kishte.
Ishte e lezetshme, këtë duhet ta themi. Jo nga pamja e jashtme, jo nga ato që kthehesh për t’i parë. Më e thjeshtë. Por kishte diçka që të bënte për vete.
Si një lloj qartësie, transparence.
Ishte ai tip femreje që kur shtrëngon në krah, e di që ajo është aty, pikërisht midis krahëve të tu dhe në asnjë vend tjetër. Nuk e di nëse e keni parasysh. Por, është diçka e rrallë. Është e bukur në llojin e vet.”
ObserverKult
Lexo edhe:
ISMAIL KADARE: NË KËTË VARR PUSHON NJË VAJZË DYMBËDHJETVJEÇARE
I
Në muzgun e dhjetorit, në orën ku kupolat e pallateve dhe të katedraleve rishpërndanin ndriçimin e fundit të ditës që po shuhej, ajo nisi të krihej para pasqyrës. E krehura e saj vazhdoi gjatë. Jashtë kullat e qytetit të madh dhanë orën pesë e gjysmë, pastaj gjashtë dhe pastaj gjashtë e e gjysmë, por ende nuk e kishte mbaruar krehjen. Duart e saj delikate e të zbehta nisën të lëviznin me një farë nervozizmi, ngaqë, me sa dukej, nuk po e gjente dot modelin e duhur. Një karficë e praruar, rrëzëllimin e zbehtë të së cilës ajo e zhvendosi disa herë sipër flokëve (veç një vetëtimë e parë në ëndërr mund të ishte aq e zbehtë) e lodhi dhe më tepër.
Ndihej menjëherë se atë e lodhi shumë kjo e krehur tepër e gjatë, ngaqë nuk kishte ende përvojë për një gjë të tillë. Ajo ishte dymbëdhjetë vjeçe dhe ishte hera e parë në jetën e saj që po krihej aq gjatë dhe kaq me kujdes. Veç kësaj, kur porsa kishte mbaruar fazën e parë të kurimit nga leuçemia.
Flokët, që kohë më parë i ishin rralluar e rënë prej sëmundjes, i qenë rritur përsëri, të bukur e të mëndafshtë, siç i kishte pasur edhe më parë, por nuk ishte ky ngazëllim i rikthimit të tyre shkak për atë krehje të kujdesshme në atë buzëmbrëmje dhjetori…
Tregimin e plotë e gjeni KËTU