Adem Gashi: Dy rrëfenja erotike dhe një peng në xhep

Dy rrëfenja erotike dhe një peng në xhep nga Adem Gashi

Ajo e ndjeu ndryshimin e motit midis pragstinës së ftohtë dhe të ngrohtë. Një javë më parë kishte blerë pëlhurën që i duhej për fustan dhe po nxitonte drejt dyqanit të rrobaqepësisë. As u kujtua të shihte mbishkrimin.

U fut brenda dhe pas përshëndetjes “puna e mbarë” (nuk ishte nga ato të muhabeteve tërkuzë), ia tha djalit kërkesën për prerjen dhe qepjen e fustanit.

Rrobaqepësi i mirësjellshëm shënoi emrin e saj në një fletore të kuqe, e vuri lapsin në gojë dhe mori metrin në formë shiriti a fjongoje e zuri matjet nga beli. Qenka goxha belhollë! – tha me vete. Pastaj e hodhi nga të pasmet dhe mbajti shënim masat.

Metri fjongo u zhvillua së poshtmi. Ai rrëshqiti dorën ijëve të saj, barkut dhe mollëzat e gishtërinjve prekën lehtësisht fundbarkun.

Koha u ndal. Sekonda u bë orë. Ajo ndjeu një dridhmë të lehtë që erdhi e iu vizatua në fytyrë dhe i kaloi në kokë. Midis tronditjes e marramendjes u shtang të mos e shqiptonte mendimin: kujdes tutje!

Tjetri, krejt i shpenguar, tashmë kishte lëshuar dorën tek gjuri dhe po e fiksonte: Mjafton kaq? Apo e do më shkurt?

Ajo e ndjeu një lëngëzim të kërmilltë brenda të mbathurave dhe mundi vetëm të tundte kokën që, pak a shumë, mund të lexohej si: “aty”.

Pastaj doli me hutimin që i paraprinte dhe me pëshpërimën e tjetrit mbrapa: “pas një jave”…

*

Ai u fut me nxitim në rrobaqepësinë e parë që e pikasi. Tha një “puna e mbarë” sa për të bërë rendin, pa e shikuar tjetrën, dhe hapi qesen prej plastmase e nxori stofin.

Dua të m’i bësh pantallona, – tha, po ashtu, nxitimthi. Rrobaqepësja shënoi emrin e tij në fletoren e kaltër, vuri lapsin mes buzëve dhe hapi metrin në trajtë spiraleje t’i merrte masën. Ai, derisa tjetra përkulej, ndjeu një vrushkull fryme të ngrohtë, ngjashëm me përqafimin e një të dashure, të sapozgjuar nga gjumi.

Rrobaqepësja ia hapi fundin e xhaketës, përthekoi belin e tjetrit dhe tha me vete: ç’mure muskujsh të barkut!?

Pastaj lëshoi dorën teposhtë dhe mollëzat e gishtërinjve prekën lehtas fundbarkun e tjetrit.

Ai ndjeu një lëvizje të pakontrollueshme brenda të mbathurave dhe sa nuk lëshoi klithmën “ah”!

Hapi një çikë këmbët! – ia bëri tjetra. I do më të ngushtë?

Ai tashmë kishte shtangur dhe vetëm mundi të tundte sakaq kokën poshtë-lart që të kumtonte pa zë pohimin “aq”.

Duke e ndier zmadhimin e pavullnetshëm të masës brenda të brendshmëve dhe përskuqjen në fytyrë nxitoi të dilte. Mezi e ndjeu zërin pas vetes: “pas një jave”…

*

Ky, sa vuri pikat e heshtjes u kujtua ta shihte orën në kompjuter. Qenë sekondat e fundit të orarit të punës dhe u ngut të hapte shenjën “Shut down”.

Në kthesën e parë të rrugicës së zejtarëve pa rrobaqepësitë e njëpasnjëshme. E para që “Beni” dhe një vajzë e hutuar që doli si më të ikur. Në të dytën, “Nora”, iu shfaq një djalë i përskuqur.

Ç’paskan këta kështu si të ndërkryer!? – tha më vete dhe i gjeti gishtërinjtë e dorës së majtë në xhepin e grisur në një lojë të marrëzishme.

Mbase duhet t’i qep edhe unë një palë pantallona, – tha përtypshëm.

ObserverKult


adem gashi antologji

Lexo edhe:

ADEM GASHI: NJI TJETËR ANDËRR

Poezi nga Adem Gashi

dimën asht e ftohti ka ra bashkë me natën
lodh gjymtyrësh e hutue mendjet
dhe gjumi ka ardhun

mos m’thoni se nuk kini pa andërr
tue pa andërr
ma s’paku nji herë palue vitet n’palë t’jorganit

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult