Ismail Kadare, një rrëfim unik nga “Metropoli i qerreve”

ti ishe per mua, poezi nga ismail kadare observerkult

Nga: Alfred Peza 

Nuk ke sesi mos i gëzohesh dedikimit me autograf, të librit “Kohë për rrëfim” nga Ismail Kadare, shoqëruar me datën dhe shënimin e vendodhjes së saktë të rezidencës së tij: Qerret. Nënqesh kur lexon të sqaruar në kllapa, edhe domethënien e këtij toponini, sipas mënyrës së tij unike: Metropoli i qerreve! Më shumë sesa vendi i qerreve ku qeveritë tona kapin lepujt e tyre, prania e tij, e bën të duket sikur jemi në “kryeqytetin e letërsisë”!

Pasi ke lexuar më parë dialogun me Alain Bosquet, beson se nuk ka mbetur ndonjë gjë e re, për t’u mësuar nga Ismail Kadare. Pikërisht këtu fshihet edhe kurthi i bukur, që ai na ka ngritur këtë radhë, në dialogun me Alda Bardhylin. Vetëm pasi mbërrin në faqen e fundit, kupton se ndryshe nga herët e tjera, nuk je thjesht një nga lexuesit e tij. Sepse vendosesh pa e kuptuar në rolin e “priftit”, që ka fatin të dëgjojë rrëfimin më të sinqertë, nga besimtari më i devotshëm i qelsës së tij!

Ismail Kadare na ka dhuruar një traktat emancipimi, duke na besuar me bujari jo edhe aq “gjirokastrite”, disa nga të fshehtat e tij më përvëluese.

Kjo e bën botimin e ri një ngjarje civilizuese për vendin ballkanik, ku jeta e atyre pak njerëzve realisht të famshëm, mbështillet nga misteri, harresa, gënjeshtrat e fabrikuara apo thashethemet. Në 85-vjetorin e lindjes, ai ndihet komod për të dhënë një leksion jete, i bindur se shigjetat e helmit që nisen drejt tij, kurrë nuk do ta arrijnë, sepse i përket një bote tjetër.

Libri na çon nga Sokaku i të Marrëve, në Moskë. Nga krijimtaria në diktaturë, tek Lidhja e Shkrimtarëve. Nga Kosova, në Kinë. Nga raportet me Pashallarët e kuq, tek Mehmet Shehu. Nga vdekja e Diktatorit, tek arratisja në Francë. Nga suksesi shqiptar, te fama ndërkombëtare. Nga ndalimet, “harrimet”, rishkrimet, aludimet, “gjyqet” e kritikat, tek armiqësitë dhe shoqëritë e përjetshme.

Brenda këtij udhëtimi, ku një pjesë e sfondit duket familjar, gjenden peisazhet e reja befasuese; nga libri e krijimi i parë, tek mëkati fillestar.

Nga prapësitë fëminore, te flirti, letra dhe dashuria e parë. Nga aventurat rinore, te njohjet e reja. Nga gëzimi i botimit, tek ankthi i censurës. Nga telefonata dhe takimi me Enverin, që iu bë personazh romani. Nga të vërtetat, te thashethemet e qytetit. Nga përndjekja, spiunimet e përgjimet, te dashuritë e ndaluara, disa prej të cilave i përjetësoi në letërsi.

“Enver Hoxha nuk donte të linte për mua një mundësi të hapur për arrestim, apo futjen në burg,.. sepse e dinte që bota nuk do ta linte rehat. Sigurimet e huaja më mbronin përmes provokimeve të tipit: “Kemi dëgjuar që Kadarenë duan ta kapin e ta fusin në burg”. Arsyeja tjetër ka të bëjë me një histori timen private. Një flirt që kam pasur me vajzën e një funksionari të lartë pranë Hoxhës. Ishte ende e re dhe nga librat që lexonte, u dashurua me mua… Po, i jam përgjigjur dashurisë së saj”, – befason Kadare.

Është hera e parë që një personalitet shqiptar, bën një rrëfim kaq intim, nën shembullin e shkrimtarëve të mëdhenj botërorë.

Ai na beson jo vetëm të fshehtat personale, si “testamentin” e së vërtetës së tij, por edhe diçiturat e portreteve të Dritëro Agollit, Eqrem Çabejt, Jusuf Vrionit, Dhumitër Xhuvanit, Sterio Spasses, Ali Asllanit, Mustafa Greblleshit, Jakov Xoxës, Azem Shkrelit, Rexhep Qoses, Mitrush Kutelit, Kasëm Trebeshinës, Petro Markos, Haki Stërmillit, Lasgush Poradecit, Vedat Kokonës…

Është një rrëfim befasues, jo vetëm pa korniza, por edhe pa doreza. Sepse “unë nuk kam asnjë gjë për të fshehur nga biografia ime”,- thotë Kadare: “Nuk kam as ndonjë gjë që të më vijë turp, sepse, në radhë të parë, unë “nuk kam marrë në qafë” asnjë njeri në botë. Përkundrazi, kam rrezikuar veten time që “të merrem në qafë” me veprën time.”

Ajo që nuk gjejmë ndoshta në këtë rrëfim, është përgjigja e pyetjes së vjetër: Përse me gjithë këtë famë, nuk i promovon shkrimtarët e tjerë? ”Pas rrëzimit të komunizmit, shkrimtari i tretë shqiptar, që doja të promovoja në Perëndim, pas Migjenit e Lasgushit, ishte Kuteli”, – thotë Kadare.

Megjithë vlerat e tyre të padiskutueshme dhe faktit se letërsia ka ligjësi të tjera, suksesi global i artistëve e sportistëve shqiptarë, fsheh potenciale të pastimuluara sa duhet, për një brez më të ri letrar! Kadare, vetë ia doli falë talentit dhe kombinacionit të rrethanave, ta gjente rrugën e botimit kudo në perëndim, në kulmin e izolimit totalitar. Ndaj më shumë se kujtdo tjetër, i takon sot të kontribuojë për ta çliruar letërsinë shqipe, nga izolimi në liri!

Lajmi i mirë është se ndryshe nga sa kishte deklaruar pak vite më parë, ai është rikthyer sërisht me një vepër të re.

Duke dëshmuar se është besimtar i devotshëm i fesë letrare, së cilës i falet çdo ditë, prej 50 vjetësh me radhë. “Të gjithë shkrimtarët janë të vetmuar, por Ismail Kadare ndoshta, më tepër se shumica e tyre, i detyruar që për shumë vjet idetë e tij t’i shprehte nën një diktaturë staliniste”,- thotë Jason Goodwin në parathënin e librit.

Vetëm pasi e shijon atë deri në fund, arrin të kuptosh sesa të vetmuar janë gjithë ata, që bëjnë sikur ai nuk ekziston.

Ndërkohë që Ismail Kadare atje nga “Metropoli i Qerreve”, vijon fluturimin e tij të lartë letrar, mes realitetit dhe legjendës. Duke dëshmuar, se di ende të na befasojë, përmes sjelljes në kohën e duhur, të dritës së tij ndryshe!