Kadare nuk mungon thuajse asnjë vit. Lajmet për të fillojnë të jehojnë nga janari kur festojmë për ditën e lindjes. Ato vazhdojnë pastaj në shtator, ku bëhemi gati për pritjen e Çmimit Nobel në Letërsi. Në tetor po ashtu analizohet vepra e tij. Ndërsa në nëntor, panairi i librit ka gjithnjë surpriza. Një vepër e re ndoshta prej tij nuk është e pritshme, por një vepër për të është gjithmonë aty e re. Edhe ky vit nuk mund të mbyllej ndryshe. Një nga botimet më të mira që kanë mbërritur për letërsinë e Kadaresë është ajo e Jean Paul Champseix.
Jean Paul Champseix ka jetuar madje edhe në Shqipëri. Dhe ka punuar si lektor pranë Departamentit të Gjuhës Frënge nga viti 1982 e deri më 1988-ën. Gjatë kësaj periudhe nuk kish si të mos njihej edhe me veprën e Ismail Kadaresë apo me realitetin e një shoqërie që jeton nën tutelën e një pushteti totalitar. Asokohe, të gjithë donin të ndiqnin leksionet e tij. Po atë periudhë ai shkroi edhe dy vepra të tjera. Sot, rikthehet në Tiranë, por me misionin për të prezantuar këtë vepër për Kadarenë, transmeton ‘a2news.com’.
“Botuesin Hida, përkthyesit dhe profesor Ilia Lëngun i falenderoj për këtë libër të bukur që kemi sot. Unë dua të nis me idenë fillestare të këtij libri. Gjithçka nisi krejt rastësisht. Ndoshta, ashtu sikurse ndodh me të gjitha gjërat e bukura. Ndodhi dhe u ngjiz si ide ku unë mbërrita në Tiranë me bashkëshorten time në Universitetin e Tiranës. Pikënisja ishte në Francë kur lexoja romanin “Dimri i vetmisë së madhe” dhe kur në fillim e mora me idenë e francezit arrogant mendoja se do të ishte një libër brenda kornizave si shumë që vinin nga sistemet totalitare”, tha autori i kësaj vepre.
Por qëlloi që “Dimri i vetmisë së madhe” të ishte vepra që e shtyu Jean Paul Champseix të lexonte gjithë veprën e Kadaresë. E bëri të ulej e ta studionte thellësisht disidencën e tij.
“Ky libër në fakt përshkruan një shoqëri të trishtuar. Përshkruan një fat të trishtë të brezave që nuk takoheshin, e çifteve që nuk ndjenin. Lexova për një vend ku binte shumë shi. Portreti i Enver Hoxhës që shikonte shkronjat cirilike dhe pikturat ishte diçka tjetër që më mahniti në atë vepër. Pastaj autori që nuk e vë të flasë diktatorin. Kadare e lë atë të mendojë. Nuk ka veçse dy fjali diktatori, por mendonte. Një vepër që duhej lexuar me vëmendje, madje në atë moment mendova se e gjithë vepra e këtij shkrimtari duhej lexuar.
Për mua të lexoja ndër vite Kadarenë ishte si të lexoja “Lizën në botën e çudirave” dhe të kapërceje përtej pasqyrës. Nga njëra anë lexoja Kadarenë dhe nga ana tjetër isha lektor në Universitetin e Tiranës. Desha shumë ta njihja këtë shkrimtar që shkruante pa heronj, që shkruante për një shoqëri ku kishte gjithnjë mot të keq.
Këtë dëshirë për të zbuluar Kadarenë e gjeja edhe në universitet. Të rinjtë prisnin thuajse me padurim çfarë do të sillte Kadare nga viti në vit. Ishte kohë e trishtë, kur Mehmet Shehu ishte ndarë nga jeta dhe unë lexoja “Kamaren e turpit” dhe “Nëpunësin e pallatit të ëndrrave” kuptova se në këto vepra kishte elemente të jashtëzakonshme dhe se letërsia edhe në terrenet më të vështira politike mund të bëjë disa mrekulli të vogla. Kështu nisa të shkruaj studimin që kemi sot në duar”.