Letra që i shpëtoi kokën, çfarë i shkruajti Kadare privatisht Nexhmije Hoxhës, një ditë para se ta linçonin për “Dimrin”

Në muajt e fundit të 2012-s pati një përplasje të ashpër publike mes shkrimtarit të njohur Ismail Kadare dhe Nexhmije Hoxhës. Pati edhe një proces gjyqësor mes të dyve për dorëshkrimin e romanit “Dimri i vetmisë së madhe” të cilin shkrimtari ia kërkonte Hoxhës, e cila tashmë nuk jeton më.

Duke shkruar mbi këtë histori, DITA ka botuar sot nga arkiva një letër të rrallë që shkrimtari ia ka nisur  të vesë së diktatorit. Letra ka të bëjë pikërisht me romanin në fjalë.

Letra është shkruar me shkrim dore dhe i është dërguar Nexhmije Hoxhës në prill 1973.

DITA e konsideron këtë letër si letrën “që i shpëtoi kokën” dhe shpjegon rrethanat e dërgimit të saj:

Kadare ndodhej në mes të një problemi të madh. Të nesërmen mund të mos ishte më shkrimtar, por një i dënuar nga Lidhja e Shkrimtarëve. Fati i tij varej nga kjo letër, nga efekti që do të shkaktonin këto rreshta në familjen Hoxha.

Po afronte famëkeqi Plenumi i IV, por, shënjestrimi i atyre që do të goditeshin kishte filluar me kohë. Kritika po bëhej gati ta bënte copash librin dhe autorin. Vetë shkrimtarët po realizonin intrigat brenda Lidhjes një pjesë të materialit që do të shërbente si akt akuzë në mbledhjet e mëvonshme demaskuese dhe spastruese.

Kadare ndjen rrezik, kërkon mbrojtje. Kundërulmon Fatos Arapin e Hamit Beqjan. A ia doli që me këtë letër të mbrohej nga goditja? Po. Është mësuar tashmë se përgjigjja nga Enver Hoxha iu dha publikisht. Një telefonatë prej tij në Lidhje u kërkonte drejtuesve që ta falënderonin Ismail Kadarenë për punën e bërë…

Më poshtë letra e Kadaresë për Hoxhën, botuar sot nga DITA:

Shoqja Nexhmije,

Më falni që po ju shqetësoj me këtë letër, por e quajta të nevojshme t’ju shkruaj. Desha t’ju vija në dijeni për diçka që po ndodh me romanin tim të fundit, duke menduar se është një gjë që i intereson partisë. Duke dhënë për botim këtë roman, unë asnjëherë nuk kam menduar se ka shkruar një libër të përkryer. (Bile, ndoshta ju kujtohet, unë vetë ju kam thënë se pas botimit, kisha ndër mend ta rishikoj veprën në bazë të vërejtjeve dhe sugjerimeve).

Nga ana tjetër unë asnjëherë nuk kam dashur që për shkak të specifikës së tij (tema politike direkte, figura e sh. Enver etj,) romanit t’i bëhej një vlerësim i privilegjuar. Kam menduar gjithmonë që ai të vlerësohej realisht, si çdo libër, sipas meritave apo mungesave që mund të kishte.

Megjithatë, kjo që po ndodh me librin, mua nuk më duket normale. Dhe ja ç’po ndodh: Qysh para se të dilte, gjatë momentit të daljes në qarkullim dhe tani pas daljes, nga rrethe të caktuara, është vënë një pikëpyetje e madhe dyshimi, vërtetimi më i thjeshtë për këtë pikëpyetje është vetë fakti që akoma sot, një muaj pas daljes së tij në qarkullim, shumë njerëz e dijnë atë të ndaluar ose gjysmë të ndaluar.

Në pamje të jashtme kjo i ngjet një thashethemi naiv, meqenëse s’ka asgjë të përbashkët me të vërtetën, por megjithatë, unë mendoj se është një fakt kuptimplotë. Ai nuk ka lindur në një terren të zbrazët. Për mendimin tim ky fakt tregon se rrethe të caktuara njerëzish janë aktivizuar për të diskredituar librin në sytë e popullit.

Ata përpiqen të krijojnë mosbesim ndaj librit, hapin fjalë se partia dhe shteti kanë vërejtje serioze ndaj tij, menjëfjalë përpiqen të përpunojnë dhe të sugjestionojnë mendimin publik.
Si çdo fenomen edhe kjo përpjekje për diskreditimin e librit ka kronikën e saj:

Ajo ka filluar gjatë kohës që romani ndodhej në procesin e punës. Thuhej në disa rrethe se Kadareja më në fund do të dështojë sepse po merret direkt me tema politike, se ai është spekulant, se ai po shkruan “roman për pallatin”, etj. S’kam dashur asnjëherë t’jua them këto sepse nuk desha ta vë veten në rolin e shkrimtarit që “përballon presione”.

Në të vërtetë këto fjalë mua nuk më kanë bërë asnjë efekt. Unë i kam dëgjuar ato me mospërfillje dhe përbuzje, sepse e dija që ato ishin fryt i rrethanave me ndjenja prosovjetike, të cilëve natyrisht nuk u pëlqente që unë shkruaja një roman “kundër sovjetikëve”.

Në kohën që ndodhesha në mbarim të veprës, ndodhi diçka që ju me siguri e dini dhe që mua më preku shumë. Në novelën “Dikush më buzëqeshte” unë u prezantova përpara lexonjësve, përveç të tjerave, edhe si njeri me psiqikë të sëmurë. Vetvetiu dilte pyetja: kujt mund t’i interesonte përhapja e një mendimi të tillë dhe a mund të pritej që veprat e mija të ndihmonin në edukimin e njerëzve, kur unë autori i tyre nuk isha gjë tjetër veçse një i sëmurë psiqikisht?

Por le të kthehemi tek romani, sepse edhe ky episod lidhet me të. Gjatë kohës që romani im ndodhej për shqyrtim në shtëpinë botuese, nga vetë shtëpia botuese u hapën fjalë se libri im qenka i mbushur me fyerje për persona realë, se gjoja unë paskam bërë në këtë libër hakmarrje ndaj autorit të “Dikush më buzëqeshte”, etj.

Shumë njerëz (duke përfshirë këtu edhe punonjës të aparatit të K. Q) u mobilizuan ditë të tëra për të mbrojtur reputacionin, gjoja të cenuar, të autorit të “Dikush më buzëqeshte”. Po ç’doli më në fund? Pas gjithë asaj zhurme të madhe dhe të kotë, shtëpia botuese i reduktoi vërejtjet e saj vetëm në heqjen e një rreshti (bile që të jem më i saktë – në heqjen e një fjalie) dhe kjo tregon se sa fiktive ishte zhurma e saj.

Pas këtij incidenti, që u fry jashtë mase, romani hyri në shtyp. Por tamam në kohën kur pritej dalja e tij u trumbetua me bujë ndalimi i tij. Ishte shumë e rëndë për mua, që tamam ditën kur kujtoja se do të vihej në shitje, një librashitës më tha: libri juaj u ndalua.

Kam marrë në telefon shokun Pipi Mitrojorgji dhe i kam thënë se hapja e lajmeve të tilla nuk bën gjë tjetër veçse e diskrediton në një farë mënyre librin në sytë e popullit. Sikur të mos mjaftonte kjo, dy ditë para daljes së romanit, në mbledhjen e komunistëve të Lidhjes së Shkrimtarëve, shoku Hamit Beqja, e ngriti zërin si bubullimë, duke më bërë mua një kërcënim se do të përgjigjem për fyerjet që paskam bërë në romanin tim.

Ky reagim plot nervozizëm ishte një sinjal shumë serioz, sepse vinte nga një njeri që punonte në aparatin e K. Q. Nga ky sinjal komunistët e Lidhjes kuptuan se në aparatin e K.Q ka rezerva serioze për romanin. Sinjale të tilla u përsëritën nëpër mbledhje dhe institucione të ndryshme, nga funksionarë të ndryshëm.

Është lehtë të merret me mend se në një terren të tillë të parapërgatitur në mënyrë krejtësisht të disfavorshme për të, libri do ta kishte të vështirë. Dëshira për të bërë vërejtje dhe për t’i gjetur të meta romanit, u kthye tek disa njerëz si një mani e vërtetë. Interesant është fakti se flamurtarët e vërejtjeve, i ndërrojnë ato shpeshherë : kur e shikojnë se një palë vërejtje nuk zënë vend, ata vrapojnë të gjejnë të tjera, bile shpesh në kundërshtim me të parat.

A mund të besohet se njerëz të tillë janë të interesuar vërtet për të mirën e librit? Ndoshta unë e kam gabim, por siç e thashë edhe më lart, mendoj se kjo gjë nuk çon veçse në të kundërtën, pra në diskreditimin e veprës.

Dhe për mua ashtu sikurse për shumë të tjerë vetvetiu lind pyetja: A i intereson partisë kjo gjë? Unë kam bindjen që jo. Nga ana tjetër, unë kam bindjen se, pavarësisht nga të metat që mund të ketë (për të cilat përgjegjësia bie mbi mua), romani në tërësi është i vlefshëm dhe militant dhe populli e pëlqen atë.

Duke mirëpritur me gjakftohtësinë më të madhe dhe sugjerimet e lexuesve, dëshiroj t’ju them se mua nuk do t’më duken asnjëherë të sinqerta dhe me qëllime të pastra ato kritika që vijnë nga rrethe të cilat kanë qenë të predispozuara ta presin keq romanin. Ironinë e tyre të heshtur e kam ndjerë vazhdimisht pas shpinës sime, gjatë kohës që punoja mbi romani.

Unë këtë ironi e kam të vështirë ta harroj. Nuk besoj se i kam dramatizuar gjërat në këtë letër, megjithëse edhe kjo nuk përjashtohet. Por besoj se ju do ta kuptoni preokupacionin tim. Nuk është fjala vetëm për romanin që u botua. Në të vërtetë unë preokupohem më tepër për krijimet e artistëve.

Isha duke u bërë gati të informohem për sjelljen e dokumentacionit të partisë për periudhën 1945– 47 (ngritja e shtetit të ri komunist, lufta brenda për brenda Byrosë Politike dhe K. Q me fraksionistët, arrivistët etj.), për një roman që mendoj ta shkruaj në vitet e ardhshme.

Nuk them se kjo që ndodhi me librin më ka lëkundur sado pak për të hequr dorë nga njësynim i tillë. Në asnjë mënyrë, por megjithatë, meqënëse romani që mendoj të shkruajmë më vonë do të ishte përsëri i një natyre të gjerë epike, me personazhe të gërshetuar (historikë dhe të trilluar), pra i ngjashëm nga një pikëpamje me këtë që botova, është e natyrshme që të më krijohet një farë preokupimi.

Një preokupim i tillë mund t’u krijohet edhe shkrimtarëve të tjerë që eventualisht mund të kenë ndër mend të trajtojnë tema të këtij lloji.
Unë nuk kam qëllim tjetër në jetë veçse të shkruaj aq sa të mundem më shumë dhe më mirë për këtë popull dhe për këtë vend. Punën time nuk e kam quajtur kurrë as të përkryer, as të jashtëzakonshme, por do të isha i pasinqertë po të mos ju thosha se sidoqoftë do t’më vinte keq sikur kjo punë të merrej nëpër këmbë, pa të drejtë.

Duke mbyllur këtë letër ju kërkoj edhe një herë falje për shqetësimin.

Me respekt, Ismail Kadare

Tiranë 26 prill 1973

Gazetadita.al