“Ismail Kadare s’ju tut’ aspak, as atyre, as këtyre, dhe askujt tjetër…”

filmat shqiptar shami edison ypi

Shën Kadare” nga Edison Ypi

I ra Ferrit mespërmes, majtas, djathtas, para, mbrapa, lart, poshtë, diagonalisht, kryqetërthor, rrethepërqark. S’la zgëq pa ja parë. S’la qosh pa ja ndjerë. S’la hile pa ja nxjerrë. S’la sekret pa ja zbuluar. S’la torturë pa ja vuajtur.

S’mbeti budalla pa e përgojuar.

S’mbeti analfabet pa i vënë në dukje gabime në stil dhe përmbajtje.

S’mbeti mediokër pa e mësuar perfeksionistin e tekstit si duhej të shkruante.

S’mbeti burokrat partie pa e kërcënuar për gabime ideologjike, pa i treguar hekurat, prangat, burgun.

S’mbeti injorant pa e kritikuar. Atëhere për vigjilenca, ideologjira, të munguara. Sot për kodra mbas bregut.

S’ju tut aspak, as atyre, as këtyre, dhe askujt tjetër.

E çorrën, e ropën, e baltosën, e grisën, e kafshuan, turlilloj qensh e zagarësh. S’lëvizi nga llogorja.

Analfabetët që s’kishin lexuar asgjë iu vërsulën me kritika dhe këshilla nga më absurdet, nga më halucinantet. S’u tund nga istikami

Nga kooperativistat, traktoristat, proletarët, stakanovistat, fituesit e garave, mbajtësit e yllit, valavitësit e Flamurit, shtruesit e rrogozit, puthadorët, këpucëlëpirësit, ushtarët, detarët, marinarët, toksorët, ajrorët, të gjallët, të vdekurit, deri te akademikët e thekur, e qortuan pafundësisht për mungesë vigjilence, mos zbatim të Luftës së Klasave, ujë në mullirin e armikut etj. etj. etj. S’ja bëri tërr syri.

Rrenat dhe intrigat që ja thurën ziliqarët, s’patën të krahasuar me ato të Mesjetës. S’pordhi asnjërin. I bëri pluhur e hi të gjitha.

Aleancën më të qelbët mes Sigurimistave dinakë dhe të vuajturve budallenj e mëshiroi dhe dënoi si e meritonte, me heshtje.

E goditën me gjyle balte në mbledhje kolektivi. E ndotën mbi rrroba. I pastroi me një të shkundur.

Ju vërsulën me plumba dhe bomba nëpër plenume. Artileritë e tyre qesharake, mbi veprën kolosale, nuk bënë asnjë efekt. Talli dhe përbuzi artilierët e llumeve dhe plenumeve.

Në veprën oqeanike nuk ka absolutisht asgjë autoreferenciale. Shkroi milione e miliona fjalë. Dhe atë që llapaqenat e kanë të tretën fjalë -unë – nuk e shkrojti kurrë. Asnjëherë të vetme.

Ta shaje ishte meritë që duhej të kishe paturpësinë ta bëje.

Ta lëvdoje ishte rrezik që duhej ta përballoje.

Edhe më të qelbtit, edhe më të neveritshmit, edhe më rrezikshmit, nuk gjetën dot kurrë diçka të besueshme, diçka faktike, diçka objektive, diçka bindëse, sado të vogël, sado të imët, sado të largët, për ta goditur.

S’ja ndërtojmë dot një kishë a një tempull të madh e të lartë sa e meriton, se e vjedhim pa e filluar.

S’ja ngremë dot një shtatore prej floriri, se floriri na duhet për unaza nëpër gishta dhe zinxhira nëpër qafa.

Nga tërë kjo zhurmnajë pa pikë kuptimi, pa presje çlodhëse, pa pikëpyetje frike, vetëm me pikëçuditse të pafundme, iku të çlodhet pak.

ObserverKult


Lexo edhe:

“I VETMUARI”, TREGIM NGA ISMAIL KADARE

“DASHURIA”, POEZIA NGA ISMAIL KADARE