
Atlasi Ujor Metafizik – AUM
Nga Ismail Syla
DELTA, SHPËRBËRJA E EGO-S
Estetika e shpërbërjes
Sapo lumi afrohet te delta për herë të parë ndjen tërheqjen e detit. Aty parandien shpërbërjen si akt të lirisë finale, estetikën e fundit të tij. Në rrëkezë, uji nuk di ç’ është liria. Te rrëkeja, atij i zgjohet vetëdija. Në përroskë ndodh bashkimi. Te përroi, e formëson karakterin. Në lumë e gjen pjekurinë. Në të e ndien rehatinë, është i vetëm, në një shtrat, një trup, një identitet, një qarkullim. Edhe pse e ndien përplasjen dhe gërryerjen, uji ka ritëm të fuqishëm. Para deltës fillon zbutja e energjisë, rrjedha e ulë qëndresën. Para saj lumi pushon së luftuari. Ka arritur aty ku çdo luftë humbet kuptim, sepse nuk ka më as kundërshtar, as sfidë, as mision të vetëm. Kur forma fillon të tretet ndodh tragjedia e butë e mbërritjes. Në fund të udhëtimit, pasi lumi, ka mbajtur peshën e vet, ritmin, karakterin, përgjegjësinë e pjekurisë, fillon të shkëputet nga vetja. Para deltës është çasti kur rrjedha thotë: “Unë nuk dua të jem vetëm një formë. Dua të jem gjithçka.” Ky çast shënon çastin lirisë së plotë të ujit. Vetëm tek delta, uji jetëson dorëzimin, lirinë e vërtetë: lirinë që vjen kur egoja nuk ka më nevojë të mbijetojë. Funksioni i fundit i lumit është lëshimi, dhënia e vetes tek tjetri. Ai jep gjithçka që ka fituar gjatë udhëtimit. Nuk mban asgjë për vete. Lumi jep, delta pranon gjithë historinë, depozitat, djersën e njeriut, jetën që rritet mes ujit e baltës, lagështirën që njomë etjen e shpendëve. Në deltë, lumi tretet në shumë krahë, shprish shtratin e vet, braktis vijën që e ka mbajtur gjithë jetën dhe më në fund ndalon së qeni “unë”. Nuk është më një trup i vetëm. Bëhet shumësi, shpërndarje, dorëzim. Ky proces sado i butë, bëhet tronditës. Ndodh humbja e egos, por jo qenies. Delta është fundi i formës së lumit, por jo fundi i ujit.
Delta – metaforë e personalitetit altruist
Delta nuk ka më shtrat të ngushtë. Në deltë, gjithçka zbutet: presioni bie, shpejtësia ngadalësohet, dallgët humbin agresivitetin, shtrati shndërrohet në baltë të butë. Aty ku lumi ishte i detyruar të ndiqte një vijë të vetme, delta shpërndahet në fusha të gjera, gjen mijëra rrugë të mundshme, krijon hapësira të reja për ujërat e vet. Delta është një pikturë komplekse: degëzime, kthesa të ngadalta, kanale të fshehura, fushëzime të qeta, përhapje e gjerë. Nuk është simetrike, as e parashikueshme. Ajo është arkitektura e fundit e lumit, ku çdo rrjedhë e vogël sjell një histori, dhe çdo devijim krijon një formë të re. Derisa lumi paraqet unitetin e qëllimit, në deltë ndodh e kundërta: një trup bëhet shumë trupa, një rrjedhë bëhet shumë rrjedha, një unë bëhet një “ne” i ri, jo kolektivizim i detyruar, por kreativ.
Delta është moraliteti i fundit i ujit – forma e pjekur e altruizmit. Te njeriu kjo është faza kur ai fillon të japë leksione, të ndajë përvojë, të lërë trashëgimi, të ushqejë botën rreth vetes pa kërkuar asgjë. Kjo është metafora e identitetit njerëzor në fund të pjekurisë, koha kur njeriu nuk mbetet më i ngurtë, por ndahet në shumë role pa humbur esencën: bëhet kujtim, fjalë e trashëguar, mësim, dhënie, qetësi. Është koha kur njeriu nuk është një dhe kjo nuk është humbje. Humbja e formës është përfitim në hapësirë. Kjo është logjika e shpërbërjes së ego-s: kur forma humbet, mundësitë shtohen. Në jetën e njeriut, kjo është periudha kur ngurtësia e personalitetit thyhet, vendimet nuk janë të egra, identiteti nuk është burg, botës i hapen dyert pa frikë se do hyjë kaosi. Delta është dokumenti relievor i lirisë së pjekur.
Njeriu në fazën deltë kupton se nuk do jetë më vetëm një “unë”, por ai pranon të bëhet pjesë e diçkaje më të madhe, të heqë dorë nga kufijtë e vet, të largohet nga vetja pa humbur veten. Kjo është spirale e së vërtetës së fundit. Është metafora e shpirtit të njeriut të pjekur: në fund njeriu nuk është i rregullt, por është i bukur në shpërbërjen e tij organike, sepse kjo është faza kur ai mëson të mos i drejtojë më të gjitha gjërat, por t’u lejojë gjërave ta drejtojnë atë në mënyrë të qetë: të mos luftojë çdo pengesë, të pranojë çfarë nuk mund të ndryshohet, të lirojë barrën e tepërt dhe të mos i mbajë të gjitha rrjedhat brenda vetes.
Takimi i ego-s me absolutin, humbja e kontrollit dhe dhurata e dorëzimit
Delta është vendi i parë ku lumi nuk kontrollon më rrjedhën e vet. Ai jepet në dorë të detit, në dorë të gravitetit të butë, në dorë të hapësirës. Kjo humbje kontrolli nuk është rrëzim, por është lëshim i vetëdijshëm. Dhurata e deltës është qetësia që lind nga dorëzimi. Në marrëdhënien e re delta është porta e detit. Kjo është pikë e rrallë: koha midis një forme që tretet dhe një forme që e përthith gjithçka. Në termat metafizikë, deti është absoluti, dhe delta është takimi i fundit i personalitetit me të. Para kësaj porte ndodh epilogu i deltës: vdekja e formës, jo vdekja e ujit. Pra, ashtu si delta pak më parë qe vdekja simbolike e lumit, deti shënon vdekjen simbolike të deltës. Ajo tretet, uji vazhdon. Kjo është parabola më e thellë e AUM-it: egoja mund të shuhet, por esenca jo. Forma mund të humbasë, por lënda mbetet. Emri mund të zhduket, por qenia është e përjetshme. Delta është çasti i fundit i individualitetit të ujit, para të hyjë në qetësinë kozmike të detit.
DETI, QETËSIA E NJOHJES SË VETVETES
Moment i përjetshëm pas rrjedhës
Deti është vendi ku uji nuk ecën më, por qetësohet, jo nga lodhja, as nga dorëzimi, por nga përmbushja. Uji nuk përkufizohet më nga forma. Kjo është thelbësore: lumi është formuar nga kufijtë, ndërsa deti është formësuar nga mungesa e tyre. Uji nuk është më rrjedhë që kërkon të mbërrijë, por substancë që e ka gjetur vetveten. Në det, çdo pikë e ujit e ka gjetur qëllimin e saj përfundimtar: të jetë pjesë e një hapësire të pakufishme, të mos ketë formë të veten, të mos mbajë më barrën e identitetit. Deti është memorie kozmike: arkivi i të gjitha rrjedhave, vendi ku mblidhen të gjitha ujërat: shiu, lumenjtë, madje edhe ata të harruar, lotët njerëzorë, djersa e tokës. Asgjë nuk humbet në det. Gjithçka ruhet, transformohet, shndërrohet në kripë, në valë, në re. Deti është memoria e planetit, kujtesa kolektive e botës së ujit.
Ndonjëherë deti duket se është heshtja e madhe, por ajo heshtje nuk është mungesë zëri, por prani absolute. Në këtë heshtje, vërtet mbaron rrugëtimi i rrjedhës, por aty shpërfaqet qenia e ujit. Gjersa në ujërat e cekëta të lumit, gjithçka është e dukshme, në det e dukshmja është vetëm një lëkurë e hollë mbi pafundësinë, sipërfaqe e ndritshme, thellësi e pamatur. Në sipërfaqe deti është i sheshtë, në thellësi është abis, mister, memorie, arkiv i botës së gjallë. Deti nuk ka “unë”. Nuk ka të shkuar, as të ardhme. Nuk ka nxitim, as drejtim. Deti është qenie pa trajtë, qenie që ka kapërcyer kufijtë e formës. Edhe deti trazohet nga stuhitë, por qetësia e tij nuk prishet, është qetësia që mban të gjitha stuhitë. Qetësia e tij nuk është mungesë lëvizjeje, por vullnet për të mos kundërshtuar. Nën dallgët e furishme, thellësia mbetet e pandryshuar, e errët, e ftohtë, e qetë, e heshtur, e pathyeshme. Nuk është akull, nuk është mungesë drite, është thellësi e pjekurisë.
Deti është qetësia e brendshme që nuk ka më arsye të shqetësohet. Në det, qielli pasqyrohet i tëri. Dritat e tij, muzgu, yjet, retë, hënat, aurorat. Deti është pasqyrë e qiellit dhe qielli është shikimi i detit. Kjo marrëdhënie është metafora e fundit e bashkimit të brendshëm: shpirti i qetësuar pasqyron botën siç është, jo siç do ta kishte dëshirë të dukej. Ky është kulmi i urtësisë. (Tek njeriu, kjo është qetësia ekzistenciale që nuk e lëkundin situatat pas çdo përvoje). Valët e detit nuk janë lëvizje të sipërfaqes, por puls i thellësisë, frymëmarrje e tij. Ato tregojnë se edhe qetësia ka ritëm. Jo ritëm të vogël, si rrëkeja, as ritëm të fortë, si përroi, Valët e detit janë pulsimi i brendshëm i planetit, ritëm kozmik, i ngadaltë, i përjetshëm.
Reflektimi i fundit metafizik
AUM nuk mbyllet me detin. AUM qetësohet në det. Deti është vendi ku rrjedhat humbasin identitetin, por fitojnë thelbin. Deti është si njeriu, akumulimi i parafundit që ka kuptuar se gjithçka që kërkon është brenda tij: rrekëza – fillimi i dëshirës, rrëkeja – fillimi i vetëdijes, përroska – i unitetit, përroi – fillimi i karakterit, lumi – i urtësisë, delta – shumësi e dorëzimit në njësinë e përjetshme të Federatës së Oqeaneve.
(Vijon)
ObserverKult
Lexo edhe:






