Ismail Syla: Ontologji eseistike e gruas

Nga Ismail Syla

1.

Kudo që është Ajo, çdo gjë funksionon pa pyetur pse.
Nuk zgjedh fjalën më të bukur, por atë që nuk ka nevojë të korrigjohet.
I zgjedh fjalët e brendshme me kujdes, që dinë të thonë “jo” me një gjest, dhe “po” me një heshtje.
Fjalën që nuk e thotë në kohë zemërimi, e ruan për çastin kur fjala nuk është armë.
Di të thotë “mjaft” pa ngritur zërin, me një vështrim që nuk pranon zhurmë.
Di si të ndalojë për të heshtur dhe si të hesht për të menduar.
Është urtësia që nuk bërtet, dinjiteti që nuk ekspozohet.
Kur buzëqesh, e bën pa nxitim, kur dëgjon, sheh.
Edhe kur është e lodhur, është vetë qëndresa, në mënyrën se si e drejton trupin.
Eleganca nuk është në lëkurën e saj, por në mungesën e zhurmës kur ecën.
Di të jetë dritë pa e errësuar tjetrin dhe rri në heshtje, pa krijuar ftohtësi.
E gdhend hijeshinë mbi karakter, e asnjërën nuk i lë të bien.
Edhe kur bëhet e padukshme si uji i qetë, di të ta pushojë etjen.
Ajo di të jetë epsh pa qenë ekspozim.
Butësia e saj nuk është mungesë force, po zgjedhja më e vështirë e një force që di ta ndalë dorën.
Të mban të tërin me një dorë që nuk shtrëngon.
Kur largohet, kuptohet që pa të, ora nuk tingëllon njësoj.
Është prehje për lodhjen, drejtim për humbjen, mbështetje për atë që ngurron.

2.

Trupi i saj është vend ku jeta merr kuptim.
Gjymtyrët nuk i kërkojnë vëmendje, por botës i kryejnë mrekulli përditë.
Krahu i saj nuk ngritet për të folur, por për të lëvizur ajrin që mungon në një dhomë pa dashuri.
Di të ta kthejë kokën, pa lëvizur asnjë muskul të tepërt, kur pranë teje kalon e heshtur.
Në shikimin e saj nuk ka ftesë, por hije që të detyron të ndalosh.
Me trup e di linjën, lëvizjen, përmbajtjen, gjatësinë e syrit që duhet kthyer, kohën kur të mos thotë asgjë, dhe pikërisht atëherë thotë më shumë se çdo fjalë.
Tërheq jo me trupin që shpërfaq, por me thellësitë që nuk të dorëzohen shpejt.
Mënyra si vendos duart mbi tavolinë, si e mbështet shpinën kur dëgjon, zemrës ia trazon ujërat e muzikës së fshehtë.
Ka në trup atë lloj fustani, që nuk ia ngushton vendbanimin e shpirtit.
Për pasqyrën nuk bën kozmetikë, po di se si ta ruajë hijen që i vjen nga brenda.
Në mënyrën si e heq shallin, si e mbledh flokun, çarçafët e bardhë si i hekuros në heshtje, zgjon joshjen pa kurrfarë përpjekjeje.
E ka një lloj bukurie që nuk zë shumë vend, por të mbetet në mendje edhe pasi ka ikur.

3.

Në shtëpi është ajri që qarkullon pa u parë.
Është dora që nuk të ndal nga rruga, por të mban mend kur të mungon.
Është zëri që të rikujton kush je, kur ti vetë e ke harruar.
E tregon kujdesin e heshtur: në xhep ka gjithmonë një pe qepjeje për një mëngë të grisur.
Pasi i fshin sytë vajzës pa ia prishur grimin, pa zhurmë palos këmishën e hekurosur të burrit.
Buka mund të mos i qëllojë gjithmonë e ngrohtë, por ajo gjithmonë e ka të ndarë.
Gatesat i përzien ngadalë, pa recetë, me kujtesë.
Në mëngjes, ajo e vendos bukën mbi tavolinë jo vetëm për të ngopur, por për të treguar që e di si ta presësh ditën.
Të jep një darkë të ngrohtë, ku kripa është në masë, dhe dashurinë jo të përmendur me fjalë, por të tretur.
Të lë gjellën në furrë kuzhine, kur e dinë që do të vish vonë.
Gishtat që i qepin rrobat e shtëpisë, i ledhatojnë fëmijët me butësi poetike.
Në vend të fjalëve “ju dua”, dashurinë ditore ua qep në këpucët që i mbathin edhe kur ftohet moti.
Nuk i duhet një karrige që ia lejojnë të tjerët, po një tryezë ku nuk e ndjen veten mysafire.
Dhe… është liri që nuk klith, por hapet gjithmonë si gjethe.

Prishtinë, 7 dhjetor 2023

ObserverKult


Lexo edhe:


ISMAIL SYLA: RRËNJA DHE RRËZIMI