Ismail Syla: Rrugica

Estetikë urbane

Nga Ismail Syla

Ese lirike mbi damarët e fshehtë të qytetit

Rrugica nuk është vetëm projekt urban, por edhe rrëfim njerëzor i shkruar me hapa të vegjël, që nuk shkon shumë  larg. Ajo shkon nën ballkonin e dikujt, ku një këmishë valëvitet si flamur i jetës së zakonshme dhe një lule në kënaçe konservash e bën qytetin të besojë sërish në pranverë. Shkon te një tavolinë ku kafja ftohet ngadalë dhe te një dritare e hapur nga e cila dëgjohet zëri i një radio të vjetër që mban mend një këngë të harruar nga qyteti. 

Rrugica nuk ndalet as hutohet, por shkon nën ballkonin e një studenteje që kthehet vonë, te dritarja e e përdheses së një çifti që grindet pa zë, nën ballkonin e  një plaku që ende e mat kohën me hapa, e deri te porta e oborrit të djaloshit që nuk ka guxim të trokasë. Rrugica është dëshmitare e heshtur e një gruaje që pret pranë portës së shtëpisë një burri që nuk kthehet, në këndin e një fëmije që mëson ç ‘është jehona, në verandën e një të moshuari që rri zgjuar edhe kur s’ka më kujt t’i flasë. 

Dashuria në rrugicë nuk është manifest po ecje e dy hijeve që afrohen pa e ditur pse. Aty puthja është e përmbajtur, ndrojtja është formë fisnikërie, dhe largimi është gjithmonë pak më i dhimbshëm se kthimi, sepse rrugica i njeh të gjithë. Dhe kush largohet, e di se po largohet nga një dëshmitar i përjetshëm.

Në rrugicë ndodhin mini-dramat që nuk hyjnë në histori Në bulevard ndodhin ngjarje. Në rrugicë ndodhin fatet: Një vajzë ndahet pa fjalë, një djalë kthehet pa guxim, një nënë pret pa afat, një fëmijë mëson për herë të parë ç’ është pritja. Rrugica mban mbi vete pesha të lehta, të pafundme shpirtrash. Në të dashuria nuk shpërthen, po rrjedh në heshtje, si ujë që nuk do të duket por s’ndalet. Ajo i di sekretet e zërit të ulur kur njëri qan pa zë, e kur dikush puth pa u parë. Rrugica e di kur tjetri largohet duke bërë zhurmë vetëm me mendime.

Në rrugicë nuk ka spektatorë, po dëshmitarë të padukshëm: muret, portat, hapat, hijet. Dhe asgjë nuk harrohet, sepse ajo mban mend me trup, jo me kujtesë. Ajo e ruan zërin në lagështi, erën në pluhur, emrat në heshtje. Rrugica është frymëmarrje e ngushtë e qytetit, për dallim nga bulevardet e bëra për zëra të lartë, sheshet për turma dhe rrugët për lëvizje gjallëruese. Në të njerëzit lëvizin me mendime, por rrugica më shumë jen për zemrën se për qëllimin. Ajo ngushtohet aty-këtu për ta detyruar trupin të ngadalësohet dhe shpirti të arrijë ta kap veten.

Pikëllimi nuk ecën në shesh. Ai ecën në rrugicë. Aty ku nuk ka turmë për ta parë, njeriu lejohet të dobësohet pa u gjykuar. Rrugica i mban hapat e rëndë pa i përplasur. Ajo është hapësira ku njeriu lejohet të mos jetë i fortë. Çdo gur i saj, pa e ditur, është dëshmitar i një vendimi që dikujt ia ka kthyer jetën në kah tjetër. Një djalë niset për Gjermani pa ceremoni, një nënë e përcjell me sy nga dritarja, një vajzë ndahet me një mesazh të shkurtër, një dashuri e vjetër kalon pranë pa u ndalur.

Në rrugicë hapi nuk është marsh, po rrëshqitje,  e as zëri nuk është thirrje, por pëshpëritje, ndërsa koha është ndalesë e jo orë. Rrugica është pauza e qytetit mes dy rrahjeve të zhurmës. Rrugica nuk ka dritë të madhe, po dritë të mësuar me mungesën. Ngjyrat e saj: e verdha e një muri të lodhur, e kaltra e një dere që s’është ndërruar që nga fëmijëria, e kuqja e një karrigeje që pret dikë çdo mbrëmje, nuk shkëlqejnë, ato durojnë: Ngjyrat e rrugicës nuk janë të reja, por besnike.

Bota moderne do gjithçka të madhe: rrugë të gjera, ndërtesa të larta, zëra të fortë. Rrugica është kundërthënia e qetë e kësaj madhështie. Ajo i thotë botës se: intimiteti vlen më shumë se spektakli, një hap i vogël mban më shumë jetë se një marsh i gjatë, një portë mban më shumë histori se një shesh. Rrugica është filozofia e përmasës njerëzore.

Përfundim: 

Rrugicat këtu nuk janë vetëm hapësira. Janë fjali të shkurtra në një roman të zhurmshëm. Rruga të çon. Rrugica të kthen. Të kthen te zëri yt i brendshëm. Te frika jote e vogël. Te dashuria jote e ndrojtur. Te kujtimi që nuk guxon të dalë në shesh. Është vendi ku qyteti ndalon së qenë ide dhe bëhet njeri. Dhe për këtë arsye, rrugica është rruga më e gjatë që ekziston: ajo që shkon nga dera te zemra.  Dhe kur qyteti një ditë bëhet shumë i madh për ta përqafuar, rrugica mbetet vendi i vetëm ku njeriu ende hyn me përmasën e shpirtit të vet.

Prishtinë, 11 dhjetor 2025

ObserverKult


Lexo edhe:

ISMAIL SYLA: ORIGJINA HYJNORE E TALENTIT