reklamë

Ismail Syla: Treflijimi

Ismail Syla

Nga Ismail Syla

Semantika e sakrificës

Treflijimi, si fjalë e përngjitur vjen nga bashkimi i fjalëve tre dhe flijim, shënon një sakrificë trefishe, kur tre persona japin jetën në të njëjtin vend dhe në të njëjtën kohë për një çështje madhore të atdheut dhe kombit, therorizohen, sakrifikohen, bien dëshmorë. Në rrafshin semantik, treflijimi nuk është vetëm shumëfishim i flijimit, por zgjerim i tij, një formë në të cilën historia kërkon më shumë se dy figura për të shprehur tensionin e saj të brendshëm.

Te treflijimi individi humbet vetminë dhe bëhet pjesë e një rendi simbolik më të gjerë, ku flijimi nis dhe shkon drejt sakrificës kolektive (shumëflijimit). Si akt i tillë sakrifica nuk është vetëm fund i jetës së disa njerëzve, por shenjë se një kohë e tërë po kalon përmes një sprove serioze. Treflijimi dëshmon se kujtesa nuk e ruan të kaluarën në mënyrë të rastësishme, por sipas formave të përsëritura, përmes të cilave thellon kuptimin.m. Kur rënia ndodh në treshe, ajo nuk përjetohet si tri vdekje, por si një figurë e vetme, si një njësi që i reziston harresës. Si i tillë, treflijimi është përjetim me më shumë peshë, i rënduar, i tragjikes.

Nëse rënia e vetme, monoflijimi trondit, (Oso Kuka), dyflijimi krijon simetri, atëherë treflijimi tregon që historia ka hyrë në një pikë të rëndë, në një moment ku sakrifica bëhet themel gjithnjë dhe më i fortë, jo vetëm dëshmi. Treflijimi në historinë e rezistencës shqiptare shfaqet zakonisht në momente kufiri, në çaste kur një periudhë mbyllet dhe një tjetër fillon me gjak. Kjo është arsyeja pse treflijimet nuk janë të shpeshta. Ato shfaqen vetëm në pikat ku historia ndryshon drejtim.

Jusuf Gërvalla – Kadri Zeka – Bardhosh Gërvalla

(Figura e trefliijmit themelor, 1982)

Rënia e Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës përfaqëson një nga momentet më të hershme dhe më të rënda të trefijimit në historinë moderne të rezistencës shqiptare. Në këtë rast, tragjikja nuk ndodh në fushëbetejë, por në një hapësirë që duket e largët nga lufta, dhe pikërisht për këtë arsye merr kuptim edhe më të thellë simbolik. Sakrifica ndodh jashtë atdheut, por hyn në vetë themelin e kujtesës së tij. Kjo rënie paraqet thelbin themelor të trefliijimit, ngaqë shfaqet në një kohë kur rezistenca ndonëse ende nuk ishte shndërruar në luftë të armatosur, ekzistonte si vetëdije politike, si organizim, dhe si përpjekje për të marrë një drejtim historik. Në këtë stad, sakrifica nuk është ende përballje me armë, por përballje me fatin dhe “fajin” tragjik.

Jusufi, Kadriu dhe Bardhoshi nuk hyjnë në kujtesë si tre figura të veçuara, por si një njësi e vetme, në të cilën ideali, fjala dhe veprimi bashkohen në një organikë të pandashme. Kujtesa kolektive nuk i ruan si tri biografi, por si një treshe që shënon fillimin e një kohe të rëndë. Kjo është arsyeja pse rënia e tyre nuk përjetohet vetëm si humbje, por si shenjë se historia ka hyrë në një drejtim nga i cili nuk ka më kthim. Pas këtij treflijimi, rezistenca nuk mund të mbetet më vetëm ide. Ajo bëhet detyrim. Sakrifica e tyre vendos një peshë mbi kohën, pikërisht  atë që brezat e mëvonshëm nuk mund ta shmangin.

Në rrafshin revolucionar, kjo treshe shënon kalimin nga fjala te gjaku. Në ta përqendrohet një fazë e tërë e historisë shqiptare, ajo në të cilën liria ende nuk ishte luftë, por tashmë nuk mund të ishte as vetëm shpresë. Ky trefliijim mund të quhet themelor, jo se është i pari, por për faktin se në të sakrifica merr kuptimin e një fillimi që nuk mund të mënjanohet dhe as të  anulohet. Treflijim si i tillë dëshmon  se rënia nuk përjetohet si episod, por si shenjë se koha ka hyrë në një pikë ku liria nuk mund të lindë pa një ngarkesë të tepërt dhimbjeje. Pas tyre, historia e Kosovës nuk mund të kthehet më në gjendjen e mëparshme.

 Zahir Pajaziti – Edmond Hoxha – Hakif Zejnullahu

(Figura e trefliijimit të kalimit në luftë, 1997)

Me rënien e Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhës dhe Hakif Zejnullahut, celulë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, struktura e treflijimit shfaqet në një stad tjetër të historisë, në momentin kur rezistenca kalon nga përgatitja në përballje të hapur. Në këtë rast, tragjikja nuk është më paralajmërim, por fillim i një kohe që do të zhvillohet me armë. Kjo rënie mund të përkufizohet si treflijim cilësor i kalimit, akt që shënon hyrjen në fazën e luftës së drejtpërdrejtë. Pra,  Zahiri, Edmondi dhe Hakifi nuk përfaqësojnë vetëm tre luftëtarë, por një pikë kthese, një moment në të cilin historia e Kosovës kalon nga rezistenca e fshehtë në konflikt të hapur. E, mbi të gjitha, në rrafshin psikologjik treflijimi i tyre përjetohet si thyerje e frikës. Pas këtij momenti, lufta nuk është më mundësi, por ajo po bëhej realitet. Kjo treshe bashkon vendimin, veprimin dhe flijimin. Këta tre emra kujtesa kolektive i ruan si një njësi, sepse vetëm së bashku ata shprehin peshën e atij momenti. Prandaj ky treflijim nuk është vetëm humbje, por shenjë e një fillimi të dhimbshëm, në të cilin historia hyn me vetëdije në kohën e sakrificës.

Agim Bajrami – Xheladin Kurtaj – Besnik Begunca

(Figura e trefliijimit të betimit luftarak, 1998)

Rënia e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Agim Bajrami, Xheladin Kurtaj dhe Besnik Begunca përfaqëson një nga format më të rënda të treflijimit në historinë e luftës çlirimtare të Kosovës, sepse në këtë rast sakrifica nuk shfaqet si befasi, por si vazhdim i një rruge të zgjedhur me vetëdije. Në këtë treshe, tragjikja nuk është vetëm pasojë e luftës, por pjesë e betimit të saj. Ky treflijim është ilustrim figurativ i dhënies së besës për lirinë e atdheut, një moment në të cilin individët nuk hyjnë rastësisht në histori. Përkundrazi, bien dhe hyjnë në të me vetëdije, duke pranuar se rruga që kanë zgjedhur mund të përfundojë me flijim.

Ky treflijim krijon ndjenjën e një kohe në të cilën sakrifica është bërë e zakonshme, por jo e lehtë. Lufta tashmë është realitet, dhe çdo rënie e re nuk është më fillim, por vazhdim. Pikërisht për këtë arsye, rënia e tyre ka një peshë të veçantë, sepse në të ndihen dy dukuri njëkohësisht: lodhja e historisë nga njëra anë, dhe vendosmëria për të mos u dorëzuar, nga ana e të rënëve. Këta tre emra përfaqësojnë më së miri unitetin e betimit, një formë në të cilën fjala e dhënë, arma dhe jeta bashkohen në një pikë të vetme. Në kujtesën ata shprehin kuptimin e një kohe kur liria nuk kërkohej më me shpresë, por me çmim gjaku.

Në rrafshin diakronik, ky treflijim nuk shënon fillimin e luftës, por thellimin e saj. Në ta historia nuk hap një kapitull të ri, por e shkruan më thellë kapitullin që tashmë kishte filluar. Prandaj rënia e tyre përjetohet si dëshmi se lufta kishte hyrë në stadin ku kthimi nuk ishte më i mundur dhe ku sakrifica ishte bërë pjesë e përditshme e ekzistencës.

Ylli Bytyqi – Agron Bytyqi – Mehmet Bytyqi

(Figura e mërgimit dhe treflijimit vëllazëror, 1999)

Rënia e tre vëllezërve Bytyqi: Yllit, Agronit, Mehmetit,  në ditët fillestare të çlirimit të Kosovës dhe tërheqjes së forcave okupuese serbe nga territori i saj,  përfaqëson një nga format më të veçanta dhe më të rënda të trefliijimit. Kjo sakrificë bashkon tri dimensione që rrallë takohen në një pikë: gjakun, mërgimin dhe luftën. Ky treflijim ka karakter të veçantë, sepse në të historia e Kosovës del përtej vetes. Ata erdhën nga larg, nga SHBA-ja, nga një jetë që mund të kishte vazhduar pa luftë, dhe hynë me vetëdije në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. U bënë pjesë e një histori që nuk ishte e tyre vetëm nga lindja, por nga zgjedhja. Kjo treshe përfaqëson unitetin e gjakut, një formë në të cilën familja bëhet figurë e historisë. E, në kuptim më të gjerë, flijimi i tyre krijon ndjenjën se historia nuk kërkon vetëm ata që jetojnë në të, por edhe ata që kthehen për të, duke e bërë tragjiken më të rëndë dhe më universale. Në sakrificën e tyre, lufta për liri nuk është më zgjedhje vetëm e një vendi, domosdoshmëri (Kosova) por edhe trokitje në ndërgjegje, thirrje, ide edhe për të mërguarit (SHBA). Dhe pikërisht për këtë arsye, rënia e tyre mbetet një nga figurat më të rënda të tragjikes moderne shqiptare.

Në vend të përfundimit: flijimet, akte të rënda të kujtesës historike

Në historinë e rezistencës shqiptare, trefiijimet shfaqen në momentet kur një brez mbaron dhe një tjetër detyrohet të vazhdojë rrugën drejt arritjes së lirisë. Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla shënojnë themelin e një vetëdijeje që nuk mund të mbetej më në heshtje. Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu shënojnë hyrjen në një kohë ku fjala nuk mjaftonte më. Agim Bajrami, Xheladin Kurtaj dhe Besnik Begunca dëshmojnë stadin ku lufta ishte bërë betim. Ylli, Agroni dhe Mehmet Bytyqi tregojnë se sakrifica kishte kaluar kufijtë e vendit dhe ishte bërë zgjedhje e gjakut. Sa herë që kujtesa i thërret këta emra bashkë, ajo nuk kujton vetëm të kaluarën, por rikujton faktin që liria jonë nuk ka ardhur si dhuratë, por si rezultat i një historie që është shkruar nga gjaku i monoflijimit, dyflijimit, treflijimit, flijimit legjendar familjar (Epopeja e Prekazit) dhe shumëflijimit kolektiv, martirizimit dhe masakrave serbe mbi popullatën civile shqiptare. Historia e Kosovë nuk pranonte të lëvizte pa flijim.

ObserverKult


Lexo edhe:

Ismail Syla: Gjashtë gjendje të paprekshme