Ismail Syla: Udha përballë rrugës

Ese filozofiko – hermetike

(Midis ontologjisë organike dhe kulturore)

Nga: Ismail Syla

Gjuha shqipe ka një aftësi të rrallë për të dalluar kuptimin denotativ dhe konotativ të fjalëve “udhë” dhe “rrugë” si manifestim i lëvizjes organike dhe asaj të  ndërtuar. Këto fjalë sipërfaqësisht përfaqësojnë kuptime që duken të njëjta, të afërta, por në thelb i përkasin dy botëve që kanë dallime dhe paraqesin dy mënyra të ndryshme të lidhjes së njeriut me tokën dhe me kulturën. Dy fjalë që duken se zëvendësojnë njëra tjetrën, por në fakt brenda tyre mbajnë dy kozmosë të ndryshëm. Në një vështrim të shpejtë, udha është më e brendshme, rruga më e jashtme. Por dallimi është edhe më kompleks. Ato janë dy regjime të ekzistencës, dy metafizika të lëvizjes, që dinë të përthyhen me dy psikologji të njeriut.

Udha – vija e brendshme e qenies

Organika e fjalësAshtu si rrjedha e një lumi të vogël që del nga shkëmbi, udha nuk shfaqet se dikush e deshi, po që ishte diçka e domosdoshme Fjala “udhë”është fjalë relievore, tokësore, me një “dh” që ngrihet nga brendësia e gojës. Është fjalë e lidhur me dheun, me natyrën, e butë dhe e rrënjosur. Në botën e vjetër shqiptare dhe më gjerë, udha fillestare nuk është një objekt i projektuar as i ndërtuar, por shteg i lindur, një vijë që krijohej nga kalimi i qenieve të gjalla mbi dhe. Kështu, udha  është autentike sepse: lind vetë, përsërit gjurmën e parë, nuk ka ambicie estetike, nuk ka as përmbajtje artificiale. Udha nuk ndërtohet. Nuk shtrohet. Nuk shënohet në hartë.

Udha e njeriut është gjurmë e qenies, jo projekt i jashtëm. Është lëvizja që rritet nga brenda. Ajo lind prej karakterit, intuitës, besimit, natyrës së shpirtit, heshtjes që njeriu mban me veten. Në udhë nuk ka shpejtësi, po barazi. Nuk ka formalizëm, po ka pastërti. Nuk ka nguti, ka ritëm të shpirtit. Udha është identitet. Ndërrimi i udhës nuk është ndryshim drejtimi, është ndryshim qenieje. Prandaj nuk është rastësi integriteti i porosisë që i rekomandohet dikujt me fjalët: “Ecë udhës tënde.”, “Mos e lësho udhën e Zotit” , “Mos dil përtej udhe” etj.

Rruga, konstrukcion kulturor urban

Rruga për dallim nga simotra e saj “udha” është fjalë më e zhurmshme, më me thepa, me dy bashkëtingëllore të fuqishme  “rr” dhe “g”. Ajo nuk vjen nga dheu, por nga ndërhyrja e njeriut në tokë. Rruga është e organizuar, e shtruar, e niveluar,  e sistemuar. Ajo është shenjë e kulturës, e civilizimit, e dorës së njeriut. Udha është natyrale, rruga është artificiale.

Rruga ka estetikë të lazdruar. Rruga është forma e lëvizjes në botën e dukshme.Ajo nuk del vetë, ajo bëhet. Në interpretim bihejvioristik rruga është më e “pispillosur”, sipërfaqe e përpunuar e botës me estetikë lozonjare. Përpos që ka gjerësi, bordura, kalldrëm, pllaka, asfalt, shenja, ndriçim, ajo rregullohet, meremetohet, pastrohet dhe zbukurohet. Rruga si tillë ka konotacion teknik, ton urban, status civil dhe prestigj social Nëse udha i përket qenies, rruga i përket qytetit.Rruga është realiteti objektiv. Udha është vullneti i brendshëm.

Rruga nuk është intime. Ajo është hapësirë e përbashkët, demokratike, ku njeriu është mes të tjerëve, jo mes vetes. Rruga kërkon rregull, distancë, vëmendje, përshtatje. Kështu fjala “rrugë” përfton notë parlamentare dhe shpirt liberal. Sot është e tillë, nesër mund të zgjerohet, të ri-përmirësohet, madje të bëhet bypass. E si e tillë, rruga është më pak e ndrojtur ndaj transformimit, më zonjë e re, ndërsa udha është më konservuese, modë e vjetër (old fashion) më besnike ndaj vetes.

Midis ngjashmërisë dhe dallueshmërisë

Është e gabuar të mendojmë se udha dhe rruga janë sinonime. Do të ishte njësoj si të thuash se mendimi i brendshëm është i njëjtë me fjalën e thënë me zë.Udha është arsyetimi, motivi, zemra e lëvizjes. Rruga është realizimi, shfaqja, materia e lëvizjes. Udha është drita që vjen nga brenda. Rruga është mënyra si e projekton të jashtmen. Udha është. Rruga gjendet. Njeriu e gjen rrugën, por nëse ka vetëm rrugë, ai humbet udhën.

Udha është e lidhur me fatin shpirtëror, jo fat pasiv, por fatin që e krijon karakteri. Është linja që, nëse e ndjek, bëhesh i tëri. Rruga është e lidhur me zgjedhjet e jetës, me punën, vendbanimin, statusin, shoqërinë, rolet sociale. Udha të bën njeri. Rruga të bën qytetar.

Kur njeriu humbet udhën e vet, bëhet nën-njeri. Kur njeriu humbet rrugën e vet, bie nën-udhë. Nën-njeriu është rënie e brendshme. Nën-udha është rënie e jashtme. Të dyja janë thyerje të vijës së qetësisë: njëra e thyen shpirtin, e tjetra thyen realitetin.

Udha është individuale. Rruga është kolektive. Udha ka të bëjë me misionin, autenticitetin, integritetin. Rruga ka të bëjë me koordinimin, bashkëjetesën, ritmin e botës. Nëse njeriu ka udhë të madhe dhe rrugë të gabuar, vuan. Nëse ka rrugë të madhe por udhë të vogël, ai zbrazet. Plotënia vjen kurudha gjen rrugën që e mban.

Udha është vertikale. Rruga është horizontale. Udha të ngre. Rruga të çon. Udha është e jotja. Rruga është e të gjithëve. Udha e gjen kuptimin. Rruga e gjen destinacionin. Udha është brendia që sheh. Rruga është jashtësia që hapet.

Përfundime

Udha – rruga, dy fjalë, dy antropologjiE para flet për njeriun si qenie natyrore,e dyta flet për njeriun si qenie sociale. Udha është para-kulturore, rruga është pas-kulturore. Udha është qenësi, rruga është e aktrim. Udha është horizont i lindur, rruga është horizont i ndërtuar.

Prandaj shqipja, këtë dyzim e ka bërë me aq bukuri, sa duket sikur e ka projektuar filozofinë para filozofëve. Njëra lidhet me qenien, tjetra me botën. Dhe midis tyre ecën njeriu, me një këmbë në dhe e tjetrën në qytet.

Shënim

Kuptimisht fjala udhë është më abstrakte, më poetike më filozofike. Edhe në konceptet dhe shprehjet moderne, fjala udhë nuk u mposht nga fjala rrugë. Më e natyrshme më pushuese në gjuhë dhe vesh është emri udhëtar për personin që lëviz, se fjala rrugëtar. Më ëmbël tingëllon fjala hekurudhë se, bie fjala e dhunshme hekur-rrugë. Sipas frymës moderne hekurudha është infrastrukturë inxhinierie që i shkon artificialitetit të rrugës. Por, për ta ruajtur besnikërinë e origjinës, kjo fjalë rrëshqet tek organika, udha, dheu, nga i cili del xehja e hekurit. Hekuri, po qe udhë, është shtrat i gjallë, që pret energjinë të kalojë mbi të si një trup i gjallë në gjumin e tij. Këtu fjala është besnikja e gjuhës: ajo nuk tradhton origjinën e vet tokësore.

Ngadhënjimin fjalëformues udha e shënjon sidomos te fjala “udhëzim”, përshkrim për mënyrën se si të bëhet diçka e jo “rrugëzim”, e lëre më te togfjalëshat “agjenci udhëtimi”, “transporti i udhëtarëve”, apo eufemizmi për djallin – “i paudhi.”

Por, fjala udhë dorëzohet në kuadër të terminologjisë dhe diskursit, duke i lënë frymëmarrje rrugës si zonjë byroje. Prandaj thuhet më me elegancë “Rruga euro-atlantike e vendit tonë”, se “udha drejt integrimit në BE..” etj.

ObserverKult


Lexo edhe:

ISMAIL SYLA: ONTOLOGJI ESEISTIKE E GRUAS