Isuf Kalo, një mjek dhe humanist shquar, idealist i progresit dhe i emancipimit shoqëror

Humbja e një miku të ngushtë është gjithnjë e trishtueshme. Shumë herë ajo është një ngjarje e dhimbshme, e vështirë të besohet dhe po kaq e vështirë të përjetohet

Nga Fatos Tarifa   

Dje, pasi vuajti për shumë kohë nga një sëmundje e rëndë, unë humba një mik të vyer, Prof. Isuf Kalon.

Dhimbja e familjes së Prof. Kalos për humbjen e tij është edhe më e madhe, pasi ajo humbi njeriun e vet më të shtrenjtë, të fundit ndër tetë motrat dhe vëllezërit Kalo, që i sollën në jetë Nane dhe Remziu nga Luzati i Tepelenës.

Kolegët e tij humbën një mjek ndër më të shquarit që ka nxjerrë ky vend dhe ndër më të njohurit që Shqipëria i ka dhënë Europës.

Kushdo që e ka njohur nga afër Prof. Kalon sot ndien dhimbje për ndarjen nga jeta  në një moshë që vdekjen duhej ta kishte dhe ta mbante larg  të një njeriu të dashur dhe të një mjeku të shquar.

Për Isuf Kalon mund të shkruash e të flasësh gjatë si bashkëshort i një gruaje zonjë, Firdesit, me të cilën ndanë bashkërisht një jetë të tërë; si prind i dy fëmijëve të shkëlqyer e të sukseshëm, Entelës dhe Ilirit; si xhaxhai i Përparimit, për të cilin Isufi ishte edhe prind; si një profesor i shquar dhe një koleg i çmuar i një armate mjekësh shqiptarë; si mjeku që ka shpëtuar qindra jetë njerëzish dhe u ka ardhur në ndihmë mijëra pacientëve diabetikë në këtë vend, si i pari mjek që u përpoq të krijojë një sistem akreditimi profesional në shërbimin tonë shëndetësor, si mjeku shqiptar që për më shumë se dhjetë vite drejtoi Programin European për Diabetin dhe Programin European të Cilësisë së Sistemit Shëndetsor në Zyrën Rajonale të Europës (me qendër në Kopenhagen) të Organizatës Botërore të Shëndetsisë.

Të gjitha këto dhe shumë kontribute dhe merita të tjera të Prof. Kalos janë të njohura për këdo që e ka ndjekur nga afër karrierën dhe veprimtarinë e këtij mjeku të shquar.

Por Isuf Kalo ishte edhe një intelektual shumë erudit, ndër më eruditët e racës së mjekëve shqiptarë, madje një klasë më vete jo vetëm si mjek, por edhe si një personalitet vizionar për zhvillimin e politikave shëndetsore dhe të sistemit tonë shëndetsor, si dhe për popullarizimin e dijeve mjekësore.

Erudicioni i pazakontë dhe talenti intelektual i Prof. Kalos vërehen mjaft qartë, përveçse në shumë botime të tjera të tij, në librin Blloku, që ndoshta mund të cilësohet si libri i tij i jetës.

Asgjë e shkruar dhe e botuar deri më sot në këtë vend nuk e jep më të plotë e më besnikërisht fizionominë e diktaturës komuniste në Shqipëri sesa ky libër i Prof. Kalos.

Si një dëshmitar i besueshëm dhe i sinqertë, përmes një optike realiste dhe humaniste, Prof. Kalo ka zbuluar për lexuesit shqiptarë një mister antiutopik oruellian, duke i marrë ata në labirintet e panjohura të Bllokut për të shpjeguar se si funksionoi diktatura komuniste dhe cila ishte hierarkia e atij sistemi në Shqipëri.

Edhe pse Prof. Kalon e kam njohur nga afër një çerek shekulli më parë, bashkëpunimi im intelektual me të nisi më vonë kur, në dhjetor të vitit 2011, ai iu bashkua me shumë entuziazëm nismës së një grupi intelektualësh shqiptarë që themeluam Akademinë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave.

Prof. Kalo ishte ndër anëtarët themelues të kësaj Akademie mbarëshqiptare dhe, për një periudhë kohe, president i saj.

Nën presidencën e tij, Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencve e zgjeroi edhe më tej fokusin dhe gamën e veprimtarisë së saj, duke u bërë një forum i respektuar në shërbim të së mirës publike për shoqërinë tonë.

Me ndjarjen nga jeta të Prof. Kalos, ne humbëm një koleg të çmuar, një mjek të jashtëzakonshëm, një humanist të klasit të parë dhe një idealist të progresit e të emancipimit shoqëror.

*Autori i shkrimit është president i radhës i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave, ku profesor Kalo ishte anëtar themelues./Shqiptarja.com

ObserverKult


Lexo edhe:

SHQIPËRIA RISHFAQET NË BBC

Një prej emisioneve më të famshme në botë mbi thesaret e tokës i ka dedikuar një spot publicitar turizmit në Shqipëri.

‘BBC World News ka ‘zbritur’ në vendin tonë për të eksploruar mrekullitë e Shqipërisë e për t’ia paraqitur ato të gjithë botës.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult