Nga Ambra Hysa
Italia është poezi, është fllad i freskët nostalgjie i cili të mbështjell mbrëmjeve të dimrit në vetmi.
Është zjarr bubulak rreth të cilit rrëfehen historitë më të vjetra në botë dhe ato më të bukurat.
Është djep i kulturës, bukurisë, artit, arkitekturës…është zemra e rilindjes europiane.
Në çizmen elegante përtej detit fshihen misteret e mrekullive.
Atje shqiptarët kanë një pjesë të zemrës, nje pjesë të familjes, miqve, të afërmve…një pjesë të jetës në portën e hapur fqinje.
Atje ku është shkruar bilanci tragjik, dhembja pulson pa u ndalur.
Italia është parajsa e Dantes, buzëqeshja mistike e Mona Lizës që fsheh sekretin e botës, është magjia e Mikelanxhelos, është gjenialiteti i Da Vinçit…është qytetërimi antik dhe rilindja e re.
Janë rrugicat e Romes, ata që të lënë pa frymë me bukurinë e tyre, shkallët pafund te saj…perendimet e veshura me doza romance në Ponte Vechio dhe pastat më të mira në botë… apo është shija më e mirë e kafesë ajo që e bën të pazëvendësueshëm mendimin për të?
Italia është muzikë, shije, esencë e pangatërrueshme, puthje, melankoli, kitarë.
Është gjallëri, vallëzim, festë diell dhe shpresë.
Është guxim për të pranuar ditët e vështira.
Është forca për ta parë jetën drejt e në sy, forcë për tu ringritur.
Është e vërtetë sepse nuk mund të jetë në një mënyrë tjetër.
Romatike deri ne dhimbje, kurrë çirake e një mekanizmi…fluturz e lirë që rend pas dritës gjithmonë.
Nuk mund ta shohim në gjumë, nuk mund ta shohim në gjunjë.
Turistët pushtojnë rrugët e saj çdo herë dhe gumëzhijnë zëra të gëzueshëm.
Por tani gjithçka hesht, me një heshtje që thyhet dhe kumbon në shpirt, më delikate se qelqet.
Nuk hidhen më monedha fatsjellëse ne “ Fontana di Trevi” , nuk ka me shetitje me gondola ne Venezia, nuk ka te dashuruar ne ballkonin e “Romeos dhe Zhulietes ne Verona, nuk ka me varka te vogla ne “ Riva del Garda”, nuk ka më sheshe të mbushura plot, kane mbetur vetem pellumbat e vetmuar para Dumos ne Milano.
Pranvera është hutuar, por diellli do të na ngrohë pa kursim përsëri.
Prangat që i kemi venë vetes, shumë shpejt do t’i përkundim në lisharësen e kohës…pranvera do të kthehet përsëri dhe do të jetë më e bukur…sepse ne do të jemi të lirë./ ObserverKult