Nga: Ivan Turgeniev
Asja na priti te pragu i shtëpisë. Unë prisja që ajo të qeshte, por, përkundrazi, doli e tëra e zbehtë, e heshtur dhe me sy të ulura.
-Ja, erdhi përsëri, -tha Gagini, -dhe desh vetë të vinte.
Asja më hodhi një vështrim pyetës. Unë ia zgjata dorën dhe kësaj here ia shtrëngova fort gishtërinjtë e ftohtë. M’u dhimbs shumë. Tani kuptova tek ajo shumë gjëra që më përpara më ngatërronin: shqetësimi i brendshëm, pazotësia për t’u përmbajtur, dëshira për ta nxjerrë veten në pah, të gjitha m’u bënë të qarta. Hodha vështrimin brenda këtij shpirti: një peshë e fshehtë e shtypte pa pushim atë, përzihej me alarm dhe goditej sedra pa përvojë, por e gjithë qenia e saj synonte tek e vërteta. Së fundmi kuptova se përse më tërhiqte kjo vajzë e vogël e çuditshme; ajo më joshte jo vetëm me bukurinë gjysmë të egër, të derdhur nëpër trupin e saj të hollë, por më pëlqente edhe shpirti i saj.
Gagini nisi të rrëmonte në vizatimet e tij, ndërsa unë i propozova Asjës të bënim një shëtitje nëpër vresht. Ajo pranoi menjëherë, me një gatishmëri të gëzuar dhe të bindur. Zbritëm deri në gjysmë të malit dhe u ulëm në plloçën e gjerë.
-Nuk u mërzitët pa ne?-foli Asja.
-Po ju, u mërzitët pa mua?-pyeta.
Asja ktheu kokën nga unë dhe më shikoi.
-Po, -u përgjigj ajo. –Është mirë në male?-vazhdoi në çast. –Janë të larta ato? Më të larta se retë? Më tregoni çfarë keni parë. Ju po i tregonit vëllait, por unë nuk dëgjova asgjë.
-Pse duhej të iknit?-theksoi ai.
-Unë ikja…sepse…Tani nuk do të iki, -shtoi ajo me përkëdheli të besueshme në zë.–Sot ishit i zemëruar.
-Unë? –Nuk kisha arsye…
-Nuk e di, por ju ishit i mërzitur dhe ikët i zemëruar.
Unë u mërzita që ikët ashtu dhe jam e lumtur që u kthyet sërish.
-Edhe unë jam i gëzuar që u ktheva, -foli ai.
Asja lëvizi supet siç bëjnë shpesh fëmijët kur ndjehen mirë.
-E di, unë di të lexoj mendimet!-vazhdoi ajo. –Më ka ndodhur, që mjaft të dëgjoja zërin e babait në dhomën tjetër, për ta kuptuar nëse ishte i kënaqur nga unë apo jo.
Deri më sot Asja asnjëherë nuk më kish folur për babanë e saj. Kjo më habiti.
-E keni dashur babanë?-thashë dhe papritur, si për inat, ndjeva se po skuqesha.
Edhe ajo u skuq dhe nuk foli. Heshtëm që të dy. Larg në lumin Rin, lundronte me shpejtësi dhe nxirrte tym vapori. Ne ngritëm sytë e po shikonim.
-Pse nuk po tregoni?-pëshpëriti Asja.
-Pse qeshët sot, kur sapo më patë mua?-e pyeta.
-As vetë nuk e di. Ndonjëherë më vjen për të qarë, kurse unë qesh.
Nuk duhet të më gjykoni…sipas atyre që bëj. Ah, po, ç’është kjo përralla mbi Lorelejën? Ai shkëmbi që duket, i saj është? Thonë, se në fillim i fundosi të gjitha barkat, pastaj, si ra në dashuri, u mbyt edhe vetë. Më pëlqen kjo përrallë. Fray Luizë më tregon lloj-lloj përrallash. Fray Luizë ka një mace të zezë me sy të verdhë…
Asja ngriti kokën dhe shkundi kaçurrelat.
-O, sa mirë që ndihem, -foli ajo.
Në këtë çast arritëm deri te ne disa tinguj të shkëputur, të njëllojtë. Qindra zëra njëherësh dhe me ritëm përsëritnin një refren lutjeje: turma besimtarësh me kryqe dhe fytyra shenjtorësh në një beze të ngulur në shkop, zgjatej poshtë në rrugë…
-Sikur të shkoja me ta, -tha Asja, duke u vënë veshin shpërthimeve të zërave, që sa vinin e dobësoheshin.
-Kaq shumë besoni?
-Sikur të iki diku larg, të lutem, të bëj një heroizëm të madh, -vazhdonte ajo. Ditët fluturojnë, jeta do të ikë, po ne, çfarë kemi bërë?
-Ju jeni ambicioze, – vërejta. –Ju nuk doni të jetoni kot, doni të lini gjurmë pas vetes…
-Mos vallë nuk arrihet?
“Nuk është e mundur”, -përpak sa nuk e përsërita …
Por pashë sytë e saj të ndriçuar dhe përsërita vetëm:
-Përpiquni!
-Më thoni, -foli Asja, mbas një heshtjeje jo të gjatë, gjatë së cilës i kaluan disa hije nëpër fytyrën tashmë të zbehur, – -ju pëlqente shumë aja dama…Ju kujtohet, vëllai piu për shëndetin e saj te rrënojat, ditën e dytë të njohjes sonë.
Unë qesha.
-Vëllai juaj bëri shaka, asnjë damë nuk më ka pëlqyer, të paktën tani për tani nuk më pëlqen asnjë.
-Po çfarë ju pëlqen te gratë?-pyeti Asja, duke e hedhur kokën lart me një kureshtje të çiltër.
-Sa pyetje e çuditshme!-u përgjigj ai.
Asja u turpërua pakëz.
-Nuk duhej t’ju kisha bërë një pyetje të tillë, apo jo?
Më falni. Jam mësuar të them gjithçka më vjen ndërmend.
Prandaj kam frikë të flas.
-Flisni, për hir të perëndisë, mos kini frikë, -vazhdova, jam i gëzuar që ju, më në fund, nuk keni ndrojtje.
Asja uli sytë nga turpi dhe ia dha gazit me një të qeshur të qetë e të lehtë. Nuk e kisha parë të qeshte kështu më parë.
-Pra, tregoni, -vazhdonte ajo, duke sheshuar fundin e fustanit dhe duke e shtruar te këmbët, sikur do të rrinte për një kohë të gjatë. –Tregoni ose më lexoni ndonjë gjë, siç na keni lexuar nga “Onjegini”, në e mbani mend.
Ajo papritur ra në mendime…
Ku janë sot kryqi dhe hija e degëve
Mbi nënën time të ngratë!- recitoi ajo me gjysmë zëri.
-Pushkini nuk e ka kështu, -vërejta unë.
-Unë do të desha të isha Tatjana, -vazhdonte ajo po aq e menduar. Tregoni, -foli me gjallëri.
Por unë nuk e kisha mendjen te tregimet. Unë e shikoja atë, të mbuluar krejt nga rrezet e diellit, të qetësuar fare dhe të urtë. Rreth nesh, poshtë nesh, sipër nesh çdo gjë ndriçonte me gëzim, në qiell, tokë dhe ujë. Edhe ajri vet dukej i ngopur me shkëlqim.
-Shikoni, sa bukur!-thashë, duke e ulur padashur zërin.
-Po, bukur!-u përgjigj ajo qetë, pa shikuar nga unë.
-Po të ishim ne të dy zogj, si do të vërtiteshim, si do të fluturonim!Dhe do të zhyteshim në këtë kaltërsi…Por ne nuk jemi zogj.
-Por ka mundësi të na dalin krahë, -ia ktheva.
-Si kështu?
-Do rroni dhe do ta mësoni. Ka ndjenja, që mund të na ngrenë nga toka. Mos u shqetësoni, ju do të keni krahë.
-Po ju, a keni pasur?
-Si t’ju them…më duket, deri tani nuk kam fluturuar.
Asja ra prapë në mendime. Unë përkulesha lehtaz nga ajo.
-Dini të kërceni vals?-pyeti ajo papritur.
-Di, -u përgjigja pakëz i shqetësuar.
-Atëherë, shkojmë, shkojmë…Do t’i lutem vëllait t’i bjerë për ne valsit…Ne do ta imagjinojmë veten duke fluturuar si të na kishin dalë krahë.
Ajo vrapoi drejt shtëpisë. Edhe unë vrapova mbas saj dhe pas pak çastesh, ne rrotulloheshim në dhomën e ngushtë, nën tingujt e ëmbël të Lannerit. Asja e kërcente valsin e shkëlqyeshëm, me afsh. Diçka e butë, femërore u zbulua papritur pas pamjes së saj prej vajze të rreptë. Dora ime ndjeu për një kohë të gjatë prekjen e shtatit të brishtë, për një kohë të gjatë dëgjoja frymëmarrjen fare afër, të shpeshtuar, për një kohë të gjatë më shfaqeshin sytë e zinj, të palëvizshëm, pothuajse të mbyllur, në fytyrën e zbehtë, por të gjallëruar, të mbuluar përnjëherësh nga kaçurrelat.
*Shkëputur nga libri i Ivan S. Turgeniev: ‘Ngadhënjim i dashurisë&Asja‘
Përktheu: Myzejen Shapllo
Përgatiti: ObserverKult
Lexo edhe: