Shkruan: Bardhyl Mahmuti
Ditari i pandemisë i Agim Vincës, poetit të mirënjohur nga Veleshta e Strugës, kritikut letrar, historianit të letërsisë, pedagogut që ka edukuar gjenerata të shumta, është dëshmi e përkryer se izolimi fizik, edhe në rastet kur ekzistenca biologjike është e rrezikuar, nuk mund të mbajë në “karantinë” mendjen e intelektualit kritik, për të cilin “ndërgjegjja dhe karakteri përcaktojnë vlerën e njeriut”.
Mekanizmat vetëmbrojtës që mobilizon organizmi i njeriut kur ballafaqohet me një realitet të tillë ku vdekja mund t’i vijë në çdo çast dhe nga nuk e pret fare, nuk vërehen në rrëfimet e 80-të ditëve që përmban ky ditar. Edhe pse zbaton me përpikëri udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe ato të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, preokupimi i mendimtarit Agim Vinca artikulohet rreth çështjes nëse “mynxyra e koronavirusit do të na i hapë sytë apo do të na verbojë më keq?”. Ky preokupim nuk kufizohet vetëm në shtetet ballkanike ku ka shqiptarë. Në kontekstin e pandemisë me COVID-19, Agim Vinca ndjek me shqetësim situatën dramatike në Itali, në Francë, në Angli, në SHBA, në Brazil dhe ditari i tij shndërrohet në dëshmi të një realiteti tragjik të përmasave universale.
Në dallim nga “izolimi” në Burgun e Prishtinës, më 1 korrik 1996, kur gardiani urdhëron berberin e burgosur t’ia qethë flokët deri në rrënjë dhe t’ia rruaj mjekrën si çdo të burgosuri tjetër, në izolimin nga pandemia Agim Vinca vendos vetë t’i heq flokët dhe mjekrën. Dhe këtë punë e bën djali i tij, meqenëse berberi ku ai zakonisht i heq flokët (Gëzimi), nuk guxon të marrë rrezikun.
Përveç përmendjes së motivit të dënimit (për shkuarje në Shqipëri pa “vizë dalëse”), Agim Vinca nuk evokon asnjë kujtim tjetër nga koha që kalon në burg. Madje as për shëtitjen ditore në ajër të pastër, gjatë të cilës duhej të pastrohej legeni ku të burgosurit kryenin nevojat dhe të mbushej shtamba me ujë të pijshëm. Vetëm në shënimet e datës 14 prill, lexuesit që kanë kaluar nëpër burgje mund të ndërlidhin jetën në burg me masat e vendosura nga Ministria e Shëndetësisë për “90 minuta liri në ditë” për t’u furnizuar me gjërat e nevojshme. Dhe njëlloj si në burg, kohën nuk e zgjedh vetë. Në burg dalja në shëtitje përcaktohej nga numri i qelive, ndërsa gjatë pandemisë, kjo e drejtë përcaktohet nga numri i parafundit i letërnjoftimit.
Sado rëndë të përjetohet kufizimi i lëvizjeve dhe pamundësia e kontakteve të drejtpërdrejta me njerëzit e dashur të familjes apo me miq, me të cilët ndajmë të mirën dhe të keqen, shpirti i intelektualit Vinca krijon hapësirën e pafund për të “shëtitur” nga një libër në tjetrin (Zëra nga Çernobili të Svetlana Aleksieviçit, Verbërinë e Saramagos, Murtajën e Albert Kamysë, Rrëfim për dashurinë dhe errësirën i Amos Ozit, Novelat e Cvajgut, Bora e Pamukut etj.). Mirëpo Agim Vinca si intelektual që përveç veprave artistike që i ka ofruar lexuesit shqiptar dhe atyre në gjuhë të huaja, ka qenë krijues permanent i opinionit publik, ai nuk mund të heshtë në kohën kur skenën tonë politike e mbizotëron aleanca e horrave. Madje ai nuk mund të zbatojë as atë që u sugjeron të tjerëve që të fikin televizorët ose të ndërrojnë kanalet kur flasin për politikë, dhe në vend të debateve absurde, të shohin filma dhe emisione për kafshët, të dëgjohet muzikë dhe të lexohet letërsi e mirë si shërim për shpirtin… Agim Vinca nuk mund të qëndronte indiferent karshi realitetit politik që e rëndon tragjedinë njerëzore, sepse në skenën tonë politike fjala lëshohet si lopa bajgën. Për këto arsye, në momente të caktuara ai duhet ta lëshojë nga dora Procesin e Kafkës dhe t’i rreket absurdit ku koka njerëzish vihen në ankand! Zëri i tij intelektual dhe mënyra e drejtpërdrejtë e vërejtjeve që shtron publikisht e bëjnë Agim Vincën të admirohet edhe nga ata që kanë mendime ndryshe.
Në këtë vështrim të shkurtër për Ditarin e pandemisë, do të përmend shfrytëzimin e teknologjisë së re për të dalë nga izolimi. Rrjedhën kronologjike të ditëve të karantinës e thyejnë bisedat e shpeshta telefonike, prej të cilave do të veçoja bisedat që zhvillon Agim Vinca, autor i veprës Populli i pandalur, me Rexhep Qosjen, autorin e veprës Populli i ndaluar, dhe të dy, si dëshmitarë të paqes së përgjakshme, ndajnë preokupimet për situatën me të cilën na ka ballafaquar koronavirusi; bisedat telefonike me kolegët e vet Isak Shemën, Nuhi Rexhepin, Liman Matoshin dhe ata jashtë Kosovës, me Aleksandar Zoton dhe Remzi Përnaskën në Francë; letrën drejtuar Agustin Jordanit, drejtorit të revistës “Jeta Arbëreshe”, njoftimin që merr nga Elona Agolli, e bija e Dritëro Agollit, për daljen nga shtypi të librit ku në mesin e 120 personalitete të shquara që evokojnë kujtime për Dritëroin, përfshihen edhe kujtimet e Agim Vincës (i teti në listën e atyre personaliteteve që kanë pasur nderin të përfshihen në këtë libër kujtimesh mbi një mijë faqesh)…
Në njërin nga rrëfimet e para të ditarit, atë të 18 marsit që është ditëlindja e Shpëtimit, djalit të Agim Vincës, autori evokon kujtimet kur 22 vjet më parë Shpëtimi kishte “festuar” ditëlindjen në protestat kundër pushtuesve të Kosovës që kishin kryer krime të tmerrshme në Qirez, në Likoshan dhe në Prekaz. Tani, megjithëse vetëm një rrugë i ndante gjyshin Agim dhe gjyshen Tuti nga Shpëtimi dhe familja e tij, ku veçohen mbesat (princeshat e gjyshërve Bora dhe Lea), ata nuk mund të shiheshin për shkak të armikut të padukshëm (koronavirusit). Mirëpo, nëse gjatë okupimit, festa dhe morti na kanë shoqëruar shumë shpesh, fatkeqësisht, edhe pas çlirimit të Kosovës, nuk na u hoqën tragjeditë. Përmbyllja e Ditarit të pandemisë më 1 qershor, në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, me takimin që pati me veprimtarët e shquar të çështjes kombëtare Avni Dehari dhe Xhemile Dehari që shoqëronin mbesën e tyre, Arsën, është tejet domethënës. Vrasja e Astrit Deharit në burgun e Prizrenit nuk mundi ta ndalte jetën. Çupëza e vogël Arsa Astrit Dehari, e bukur, e gjallë, me gojë bilbili është simboli më domethënës i triumfit të jetës mbi vdekjen, i fjalës mbi heshtjen, por edhe i lirisë mbi dhunën dhe tiraninë…
Përkundër asaj që rrëfimet nga karantina kufizohen vetëm në një periudhë 80 ditësh dhe në një hapësirë të vogël të globit që ballafaqohej me rrezikun nga COVID-19, mënyra se si pasqyrohet përjetimi i drejtpërdrejt i kësaj situate, i jep dimension universal thyerjes së barrierave që imponoi izolimi dhe “shëtitjes” në hapësira të pakufi të shpirtit të intelektualit.