Koha ka zënë të ngryset e frika e pandemisë ia thekson konturet errësirës e megjithatë dhjetëra vështrime presin me padurim që në plazmën e sheshtë kurdisur mbi skenën e Amfiteatrit të shfaqet krijesa e fundit e Gjergj Xhuvanit.
Është e shtunë, akrepat e kanë kapërcyer orën 19.00 e fjalimet e rastit vijnë si vijë e ndërprerë që e prekin sipërfaqësisht portretin e regjisorit, duke dhënë efektin e të ftohtit të stolave të gurtë.
Në skenë mungojnë protagonistët e filmit e ata që punuan me Xhuvanin në “backstage”, e megjithatë “Liqeni im” është “patkoi” i sigurt varur në derën e Festivalit të TIFF (Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Tiranë), që vëmendja të mos rrjedhë. Dhe ja! Pas një viti mungese fizike, ai është aty! Me magjinë e objektivit e aparateve “fluturonjëse”, “zbret prej qiellit” pamjet e magjishme të liqeni të “Prespës” dhe zëri i Kristos (Ariton Pollozhani) mbërthen në një ese lumin e ndarë në tri shtete: Shqipërinë, Maqedoninë dhe Greqinë… “Liqeni im, si mund të jetë liqeni im kur të gjithë thonë është imi”… Filmi mbi të cilin Gjergj Xhuvani kaloi ditët e tij të fundit ka në fokus jetën e një 14-vjeçari të magjepsur nga “Liqeni” e të përfshirë në rrjetën e trafikut e kurtheve mes bandave ku ndërgjegjja, pafajësia e besa bien si gurë të hedhur në humnerë…
Njësoj siç bien ata që mendojnë se në lojëra të tilla mund të bashkëjetojnë edhe me këto vlera. Me Paskon (Vedran Zivolic) e arratisur, larg nënës dhe së fejuarës, e ardhmja e Kristos ka një precedent. “Ti më ngjan kaq shumë me atë”, thotë nëna e të riut (Luiza Xhuvani), teksa duron batisjet e Policisë, vetminë e ankesat e së resë së irrituar (Julinda Emiri) sa me Paskon, aq edhe me fatin.
Historia e Kristos zhvillohet si shumë të tjera në sfondin e shtëpive të gurta të fshatit pranë liqenit “Prespë”, ku e zbehta e varfërisë së skajshme e jetës minimaliste, që bën kontrast me blunë e theksuar të makinës së Policisë, që orvatet mes fshatarëve e blegtorisë në kërkim të ngjarjeve e personazheve të errët.
Ismaili (Tristian Halilaj) bëhet nyja lidhëse e zhvillimit të historisë, me përfshirjen e Kristos në transportimin e lëndëve narkotike me varkë dhe “hiletë e zanatit” që rrezikojnë jetën e djaloshit. Po aq vendimtare loja e tij do të jetë edhe në mbjelljen e tragjedisë, ku protagonisti do të etiketohet si “Judë” nga miku i tij më i mirë, në frymën e fundit.
Një tufë rigon për jetën e ndershme, ku devijoi fati i Kristos
Ç’mund të blesh me një tufë rigon? Po me dy, tre a më shumë? Shoku punëtor i Kristos, me veshjen e tij të vjetër, kokulur prej lodhjes a sikletit, është gati i padukshëm… e megjithatë Xhuvani në rolin e tij të dyfishtë si skenarist e regjisor e ka dashur aty, pranë protagonistit të tij.
Nga një anë Kristo me telefonin e ri, prodhim i dekadave të fundit e nga ana tjetër shoku i tij si “Luli i vocërr”, në përpjekje për të shitur tufat e rigonit, apo peshkun e Kristos e i shqetësuar deri edhe për fatin e shokut.
Duken kaq të ngjashëm e megjithatë vështirë të kuptosh se ku devijoi fati i djaloshit. Nëse prej distancimit nga prindërit emigrantë, që në përpjekje për të fituar dy pare për “të ngrohur xhepin” gati lënë mënjanë prindërimin, apo prej pamundësisë së gjyshërve (Miriana Deti dhe Birrce Hasko) për të vrapuar pas motorit të krisur të Kristos, me pjatat gjysmëbosh. Ndoshta e gjitha ndodhi edhe prej mungesës së një dore që ta drejtonte në udhën e duhur, kundrejt duarve të tjera që e tërheqin drejt rrezikut.
Figura e mësuese Mirandës (Elia Zaharia) shfaqet fillimisht shpresëdhënëse, si personazhi që ka forcën për ta nxjerrë Kriston nga bataku ku ka rënë, ndoshta edhe prej dashurisë platonike që ai ushqen për të. Mirëpo bisedat mes të dyve vështirë se i kapërcejnë dialogët sipërfaqësorë, që ndërpriten gati përherë nga zhurma e furgonit të Korçës, që e ka me ngut, apo i fejuari “gjatosh” që “mbin” në shtëpinë e saj.
Ndonëse në rrethana të tilla, vështirë t’i gjesh Kristos një shpëtimtar. Xhuvani pas “larjes së hesapeve” me Ismailin ka dashur ta rikthejë Kriston në bankën e tij, duke e shpëtuar, së paku përkohësisht nga fataliteti që ndoqi Paskon. Ai e përfundon esenë e nisur, bashkë me misionin e regjisorit për të dhënë mesazhin kyç: “Liqeni mund të na i japë të gjitha nëse ne dimë se si të kërkojmë”…
Luiza dhe tragjedia e një nëne
Nëse do të ekzistonte një dënim që të ndëshkonte çdo nënë që do jetën e fëmijës mbi veten e çdo gjë, me siguri që të gjitha nënat do të ishin robina. Nën interpretimin e Luiza Xhuvanit, portreti i përvuajtur nënës së Paskos, pritja, ankthi, shqetësimi për fatin e të birit, “i ngecur” mes bandave, fsheh dramën e shumë nënave shqiptare (apo edhe të huaja), të cilat jetojnë çdo ditë frikën e asaj që mund të ndodhë me fëmijët e tyre, në këto kohë kur asgjë nuk është më e sigurt. Ndarja fizike nga biri klith në çdo skenë te “Liqeni im”, derisa në fund ndodh ajo çka zemra e nënës druhet më së shumti e që s’mund ta durojë.
Portreti i zbehtë i Luiza Xhuvanit pas kangjellave të zeza është rrëqethës, po aq sa skena që zhvillohet para syve të nënës. Askush s’ka forcë të bëzajë apo të zgjasë duart në një shoqëri të mbrujtur për të qenë spektatorë…
Filmi, si “testament” i Xhuvanit
Drejtori i TIFF në mbrëmjen e 19 shtatorit, që shënon edhe çeljen e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë, e thotë qartë se filmi “Liqeni im”, që ngre siparin e kësaj ngjarjeje kulturore të kinemasë, ishte “testamenti” i Gjergj Xhuvanit. Në nder të kineastit, Domi i shtoi këtij edicioni të 18-të të “TIFF” edhe një kupë me emrin e tij, që shkoi për një nga studentët e Xhuvanit. Filmi “Liqeni im” është prodhuar nga “On Film Production”, me producent Dritan Huqin, ndërsa në krah të Xhuvanit, si asistentregjisor, ka qenë edhe Lorin Terezi. Xhuvani, si skenarist dhe regjisor i tij, siç pohon edhe Domi, ka mundur ta shikojë filmin të montuar. Lidhja e fortë që Xhuvani kishte me këtë film e bën Domin ta konsiderojë si “amanetin” e tij, që erdhi i përmbushur në këtë festival./Anila Dedaj-Panorama.com.al/