Shoqata Papa Klementi XI Albani, Xue Sheng e Elida Rusta fitues në Takimet letrare ndërkombëtare “Azem Shkreli”
Edicioni i 18-të i takimeve letrare ndërkombëtare “Azem Shkreli”, u përmbyll mbrëmë në Pejë.
Edhe pse i organizuar në kushte të pandemisë Covid 19, takimet ia dolën të mbahen me pjesëmarrës nga Shqipëria e Maqedonia e Veriut dhe poet vendor.
Poetët e huaj të ftuar në këtë edicion u paraqitën virtualisht përmes videove të cilat u shfaqën në manifestimin qëndror të mbajtur në teatrin Istref Begolli.
Xue Sheng nga Kanadaja, Amir Or, Diti Ronen, e Lali Tsipi Michael nga Izraeli e Fiona Simposon nga Anglia, lexuan poezitë e tyre dërguar me video. Krahas tyre edhe poet nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe nga Kosova u paraqitën me krijimet e tyre.
Fitues i çmimit për kontribut në letrat shqipe, këtë edicion u shpall Shoqata “Papa Klementi XI Albani “ nga Suedia.
Çmimi për poezinë më të mirë gjatë takimeve i takoi poetes Elida Rusta, ndërsa çmimi ndërkombëtar “Lirika e Azemit Shkrelit” iu nda poetes Xue Sheng nga Kanadaja.
Përpos këtyre çmimeve, u ndanë edhe disa çmime reviale. Çmimi “Rilindja” iu nda autorëve Ramë Oraca e Rozafa Shpuza. Çmimi “Pajtimi” Agim Deskut e Shqipe Hasanit. Çmimi “Kushtetuta” poetëve Ramadan Beqiri e Naxhie Bërbatit –Kastratit. Çmimi “Liria” iu nda tre autorëve Besim Perjucit, Donart Rexhbogajt e Ajete Pavatës.
Në kuadër të takimeve, u organizuan edhe një sërë aktivitetesh. U promovuan librat “Epikë ëndrash” të poetes Ajete Pavataj si dhe libri “Pengu “ i Adnan Merovcit. Tribuna tematike sivjet iu kushtua 75 vjetorit të gazetës Rilindja dhe ndikimit të saj në promovimin e vlerave kulturore. Me kumtesë në këtë temë u paraqit poetja e studiuesja Ilire Zajmi –Rugova.
Këshilli organizativ ndau mirënjohje për Ministrinë e Kulturës, rinisë e sporteve si përkrahës të këtyre takimeve, mirënjohje kjo që u pranua nga zëvendësministri Engelbert Zefaj, Ministrinë e Shëndetësisë , gjegjësisht ministrit Armend Zemaj, për menaxhimin e pandemisë e dhënies së mundësisë për organizimin e këtij takimi në kushte të jashtëzakonshme, Drejtorisë për Kulturë, rini e sporte të Komunës së Pejës, drejtoreshës Xhenet Syla, për përkrahje të pakursyer të këtyre takimeve si dhe deputetes shqiptare në Parlamentin e Kroacisë, Ermina Lekaj Përlaskaj për kontributin e dhënë për çëshjten kombëtare, komunitetin shqiptar në Kroaci dhe promovimin e urave kulturore shqiptaro-kroate.