Ja çka është e vërteta… sipas Martin Heideggerit

Nga Martin Heidegger

1. Tema jonë është thelbi i së vërtetës. E pyetja që ka të bëjë me thelbin e së vërtetës nuk lidhet me faktin nëse e vërteta është një e vërtetë e eksperiencës praktike apo e përllogaritjeve ekonomike, e vërtetë e një konsiderate teknike apo e një mënçurie, ose në mënyrë të veçantë, e vërteta e një hulumtimi shkencor, e një kompozimi artistik, e një reflektimi kuptimplotë apo e një besimi kulti. Pyetja jonë për thelbin e së vërtetës i shpërfill të gjitha këto dhe merret me të vetmen gjë që dallon si të vërtetë, përgjithësisht cilëndo të vërtetë.

2. Shtrohet pyetja: mos vallë me temën e gjetjes së thelbit të së vërtetës ne jemi vërvitur shumë lart në boshllëkun e përgjithshmërisë që shtyp me forcë mendimin e çdo qenieje njerëzore? Apo mos vallë ekstravaganca e një pyetje të tillë nxjerr në dritë pathemelshmërinë e të gjitha filozofive?

Një mendim radikal që drejtohet kah asaj çka aktualisht është, duhet patjetër të ngulmojë, troç  dhe pa dorashka, që në momentin e parë, në përcaktimin e asaj të vërtete aktuale që mund të na japë sot një masë dhe një qëndrim kundra pështjellimit të opinioneve dhe përllogaritjeve.

Ndaj, përballë kësaj nevoje aktuale lipset të shtrohet pyetja se ç’përdorim mund të ketë pyetja me thelbin e së vërtetës , një pyetje kjo “abstrakte” e që shpërfill gjithshka aktuale ? E më tej, pse vallë s’është pyetja e thelbit të së vërtetës, pyetja më jo thelbësore dhe më e parëndësishme që mund të shtrohet?
3. Askush s’mund t’i shmanget sigurisë evidente të këtyre konsideratave. Askush s’mund ta mohojë as për pak seriozitetin e tyre detyrues. Po cila është vallë ajo gjë që na flet për konsiderata të tilla? “Kumbon” si gjykimi i përgjithshëm, që vë theksin mbi kërkesën e një dobie të njohshme (të prekshme), që mësyn kundra dijes së thelbit të qenieve; dija esenciale e së cilës për një kohë të gjatë është quajtur “filozofi”. Sidoqoftë, gjykimi i përgjithshëm, përtej kërkesave, shtron edhe përvojat e veta; ai i pohon të drejtat bazuar në armët që i shkojnë më përshtat, pra, i drejtohet “kuptueshmërisë evidente” të synimeve dhe konsideratave të saj. Për këtë arsye, filozofia nuk mund ta refuzojë kurrë gjykimin e përgjithshëm, pasi ky i fundit është i shurdhër ndaj gjuhës së filozofisë. Aq më tepër që s’mund ta bëjë dot diçka të tillë, përderisa gjykimi i përgjithshëm është i verbër ndaj asaj ç’ka filozofia i parashtron vetes si vizionin e saj thelbësor.

4. Megjithatë, ne mbetemi përsëri të kufizuar brenda vetëdijes së gjykimit të përgjithshëm, deri në atë masë sa ta sigurojmë veten nga të “vërtetat” shumëformëshe të eksperiencës dhe veprimit praktik të kërkimit, kompozimet dhe besimit të tyre. Madje, jemi ne vetë ata që e intensifikojmë rezistencën që e “kuptueshmja në mënyrë të vetvetishme “ (evidentja) vendos përpara çdo kërkese të bërë nga ajo që shtrohet në pyetje. Rrjedhimisht, edhe pse mund të jenë të domosdoshme disa pyetje në lidhje me të vërtetën, përsëri ajo që ne do të kërkonim është një përgjigje për pyetjen që ka të bëjë me gjendjen tonë të sotme. Pra, ne duam të dimë se në ç’situatë jemi sot, duke synuar të gjejmë qëllimin që mund t’i shtrohet njeriut për dhe në historinë e tij. D. m.th duam të dimë të vërtetën aktuale. Ose e thënë ndryshe-të vërtetën!
5. Mirëpo për të synuar të vërtetën aktuale, ne duhet të dimë ndërkaq se çdo të thotë e vërteta në vetvete. Ose, duam të dimë, a njihet ajo vallë nëpërmjet “ndjenjës” dhe në një “rrugë të përgjithshme”? Apo mos vallë kjo ndjenjë është kaq e vagullt dhe indiferenca në lidhje me të shumë më shkatërimtare sesa mosdija jonë e pastër dhe e plotë për thelbin e së vërtetës?

I. Koncepti i zakonshëm i së vërtetës.

6. Po ç’kuptojmë në mënyrë të zakonshme me të vërtetën? Atë të fort-lartuarën e njëkohësisht të qullëtën e aq shumë të ngrënën nga përdorimi fjalë që, nënkupton atë çka e bën të vërtetë një gjë të vërtetë.
Po ç’është vallë një gjë e vërtetë? Ne themi, p.sh se është vërtetë një gëzim të kooperosh me të tjerët në përmbushjen e një detyre. E nënkuptojmë se kjo është thellësisht e aktualisht një gëzim. E vërteta pra, është aktualja. Në po të njëjtën mënyrë, ne flasim edhe për diçka vërtetë të artë në dallim nga ajo fallcoja. Ari fallco nuk është aktualisht ai që duhet të jetë, është thjesht një “ngjasim” e për  të rrjedhim nuk është aktual! E ajo që nuk është aktuale, merret si e kundërta e asaj që është aktuale, pavarësisht se edhe ajo që thjesht duhet të jetë ar, është përsëri diçka aktuale.

Për pasojë, për të qenë më të saktë, ne themi që ari aktual është ari i vërtetë. Ndërkohë  qw janw aktual , që të dy , si ari fallco ashtu edhe ai i vërtetë. Në këtë kuptim, ajo ç’ka është e vërtetë mbi arin e vërtetë, nuk mund të demonstrohet thjesht nëpërmjet aktualitetit të tij, ndaj pyetja lipset të shtrohet kësisoj: Ç’kuptim kanë “i vërtetë” dhe e “vërteta”? Ari i vërtetë është ai ar aktual, aktualiteti i të cilit përputhet me atë që, gjithmonë e që më parë, ne kuptojmë me “ar”. Në të kundërt, sa herë që dyshojmë për ar fallco ne themi: “këtu ka diçka që s’përputhet”; ndërsa për atë që është ashtu siç duhet të jetë themi: “ajo përputhet”.
7.Sidoqoftë , ne quajmë të vërtetë jo vetëm një gëzim aktual, një ar të vërtetë apo gjëra të ngjashme të këtij lloji, por gjithshka e mbi të gjitha, quajmë të vërteta ose fallco pohimet tona mbi to-pohime këto që në vetvete mund të jenë të vërteta ose jo në lidhje me llojin e tyre, apo mund të jenë kështu apo ashtu në lidhje me aktualitetin e tyre.
Në këtë këndvështrim, një pohim është i vërtetë nëse ajo që ai nënkupton dhe thotë është në përputhje me çështjen mbi të cilën është formuluar ky pohim; Aq më tepër që edhe në këtë rast ne themi fjalën “përputhet”, pavarësisht se në fakt nuk është çështja ajo që përputhet, por propozimi i saj.
8. E vërteta, pra, qoftë çështje apo propozim, është ajo që përputhet (bie në akord), d.m.th akorduesja. Ndërkohë që, e vërteta dhe të qënit i vërtetë nënkuptojmë kështu përpushmërinë në një sens të dyfishtë. Nga njëra anë, pahtueshmëria (akordin) e çështjes në atë që supozohet që më parë në lidhje me të, dhe nga ana tjetër, përpushmëri me atë që thuhet ne pohimin që lidhet me këtë çështje.
9. Ky karakter i dyfishtë i këtij akordi apo përputhshmërie , mund të nxirret në dritë edhe nga përkufizimi tradicional i së vërtetës: veritas est adaequatio rei et intellectus. Kjo mund të merret se nënkupton që e vërteta është korrespodenca e dijes me çështjen. Rrjedhimisht, përkufizimi i mësipërm parashtrohet zakonisht në formulën: veritas est adaequatio intellectus ad rem (e vërteta është përshtatshmëria e intelektit ndaj sendit);
Megjithatë, e vërteta e përfytyruar në këtë mënyrë, ose ndryshe e vërteta e propozuar (propozicionale), është përsëri e mundshme vetëm mbi bazat e së vërtetës materiale të adaequatio rei ad intellctus (të përshtatshmërisë së sendit ndaj intelektit). Pra, shihet që të dyja konceptet e thelbit të veritas kanë vazhdimisht parasysh diçka të përshtatshme (adekuate) ndaj…., e prej këtej e mendojmë të vërtetën si korrektësi.

10. Megjtihatë, njëri përkufizim nuk është thjesht i anasjellti i tjetrit. Përkundrazi, në secilën rast intellctus dhe res janë të menduara në mënyra të ndryshme. E me qëllim që ta njohim këtë gjë, na duhet të gjurmojmë formulën e konceptit të zakonshëm të së vërtetës, në origjinën e vet më të hershme (d.m.th. mesjetare).
Veritas si adaequatio rei ad intellectium nuk nënkupton konceptin e fundit transhedencial të Kan-it-ngritur sipas të gjitha gjasave mbi bazat e subjektivitetit të thelbit të njeriut –se “objektet” u shkojnë konform dijeve tona. Më tepër ai nënkupton besimin teologjik kristian që , përsa i përket asaj se çfarë është e nëse është, një çështje, si e krijuar (ens creatum), ekziston për aq sa ajo arrin t’i korrespondojë idesë së parapërfytyruar për të në intelectus divinus, d.m.th në mëndjen e Zotit, e rrjedhimisht, duke qenë në lartësinë e kësaj ideje (pra, korrekte), në këtë sens është dhe i “vërtetë”. Nga ana tjetër, edhe vetë intellectus humanus është një ens creatum, pra diçka e krijuarl E si një kapacitet i dhënë njeriut nga Zoti, ai padyshim që mund ta kënaqë idenë e tij, por sidoqoftë edhe kuptimi në vetvete mund të arrijë të matet e të ngrihet në lartësinë e idesë vetëm nëpërmjet përmbushjes në propozimet e veta të korrespodencës së asaj që është menduar për çështjen në fjalë, e cila nga ana e vet duhet të jetë në konformitet me idenë. Nëse të gjitha qeniet janë “të krijuara”, atëherë mundësia e së vërtetës së dijes njerëzore bazohet në faktin se çështja dhe propozimi i ngritur në lartësinë e idesë –pikërisht për këtë arsye dhe falë së njëjtës mënyrë-i shkojnë përshtat njëra-tjetrës mbi bazën e unitetit të planit hyjnor të krijimit.

11. Kësisoj, veritas si përshtatje e sendit (të krijuar) ndaj intelektit (hyjnor) garanton veritas si përshtatje e intelektit njerëzor ndaj sendit. Ndaj, kudo, veritas nënkupton thelbësisht volitshmërinë, ardhjen e qenieve në vetvete-si të krijuara-në ujdi me krijuesin, në një “akord” në lidhje me mënyrën sipas së cilës ato janë përcaktuar nga rregulli i krijimit. Aq më tepër që ky rregull i ndarë prej nocionit të krijimit, mund të përfaqësohet gjithashtu në një mënyrë të përgjithshme e të papërcaktuar si një rregull mbarëbotëror. Kështu, rregulli i krijimit i përfytyruar teologjikisht, zëvendësohet me kapacitetin e të gjithë objekteve për t’u planifikuar sipas një arsyeje, po mbarë botërore, e cila duke siguruar një ligj për veten, rrjedhimisht synon që kjo proçedurë krijimi të jetë menjëherë dhe drejtëpërdrejtë e kapshme (ajo ç’ka ne konsiderojmë si “logjikë”). Për këtë shkak , thelbi i së vërtetës së propozuar (ose të vërtetës propozicionale) konsiston në korrektësinë e formulimeve-e për këtë nuk besoj se nevojiten prova më speciale.
12. Madje, edhe atëherë kur ndërmerret një përpjekje, me një mangësi të spikatur suksesi-për të shpjeguar se si mund të arrihet korrektësia, kjo presupozohet menjëherë si vetë thelbi i së vërtetës. Po, njëlloj, edhe e vërteta materiale ka gjithmonë në vetvete domethënien e pajtueshmërisë së diçkaje të zotëruar me konceptin “racional” të thelbit të saj, duke lënë kështu përshtypjen se ky përkufizim i thelbit të së vërtetës është i pavarur nga interpretimi i thelbit të Qenies së të gjitha qenieve, që përfshin në vetvete një interpretim korrespondues të thelbit të njeriut si mbartësi dhe zbatuesi i intelektit. Kështu, formula për thelbin e së vërtetës (veritas est adaequatio intellectus et rei) arrin ta fitojë vlefshmërinë e vet të përgjithshme si diçka drejtpërdrejt evidente për çdokënd. E nën sundimin e evidencës që ky koncept i së vërtetës duhet të zotërojë, por që vështirë se mund të shoqërohet me këtë cilësi në lidhje me bazën e vet esenciale, konsiderohet po një lloj evidente se edhe e vërteta të ketë të kundërtën e saj-që është pikërisht e pavërteta. E pavërteta e propozimit të së vërtetës (mos-korrektësia) është në këtë kuptim, mos-përputhja e formulimit me çështjen. Ndërsa, e pavërteta e çështjes ( mos-vërtetësia)nënkupton mospërputhshmërinë e qenies me thelbin e vet. Pra, në të dyja rastet , e pavërteta përfytyrohet si një mos-akord. Aq më tepër që kjo e fundit del jashtë edhe vetë thelbit të së vërtetës; ndaj kur shtrohet pyetja e njohjes së thelbit të kulluar të së vërtetës, pavërtetësia si e kundërta e së vërtetës duhet të lihet patjetër mënjanë.

13. A ekziston vallë ndonjë nevojë tjetër e domosdoshme për një zhvillim special të thelbit të së vërtetës? Është vallë thelbi i kulluar i së vërtetës i përfaqësuar tashmë në mënyrë adekuate tek ky koncept përgjithësisht i miratuar e i papërmbysur ende nga asnjë teori, por përkundrazi i përforcuar edhe prej të dukurit të tij evident? Aq më tepër, që nëse konsiderojmë faktin se baza e kalimit të së vërtetës së propozuar tek e vërteta materiale është pikërisht ajo që e shfaq veten menjëherë që në momentin e parë –e ky është shpjegimi teologjik-dhe nëse pas kësaj, ne arrijmë ta mbajmë përkufizimin filozofik tërësisht të huaj e të kulluar ndaj çdo lloj mpleksje me teologjinë, për t’a kufizuar kështu konceptin e së vërtetës në të vërtetën e propozuar, atëherë ne duyhet të marrim në konsideratë një traditë të vjetër-edhe psem jo më të vjetrën-të të menduarit, sipas së cilës e vërteta është përpuethshmëria (homoiosis) e një formulimi (logos) me një çështje (pragma). Ndaj, shtrohet pyetja: Ç’është vallë ajo gjë që ka të bëjë me formulimet e që në këtë rast mbetet ende mjaft e vlefshme për t’u marrë në pyetje-duke e marrë për të vërtetë faktin se ne tashmë e dimë se çdo të thotë përpuethshmëria e një formulimi me çështjen. Pra, ne e njohim apo jo këtë gjë?

(Shkëputur nga libri  ‘Leksione dhe konferenca’ të autorit Martin Heidegger, botuar nga “Plejad”)

Përkthyer nga: Dritan Thomollari dhe Urim Nerguti

Përgatiti: ObserverKult


Lexo edhe:

CAN YÜCEL: JETA ZGJAT AQ SA KE DASHURUAR

Poezi nga Can Yücel

Ti peshon aq sa të tërheq toka.
Je i lehtë aq sa i rreh krahët,
i gjallë për aq sa të rreh zemra,
i ri aq sa të shohin sytë larg,
je i mirë aq sa i do të tjerët
dhe i keq aq sa i urren ata.
S’ka rëndësi ç’ngjyrë kanë sytë e tu,
ata janë në ngjyrën që e shohin të gjithë.

Mos i merr për fitore gjërat që jetove.
Je pranë fundit për aq sa ke përjetuar.

Sado që të rrosh,
jeta zgjat aq sa ke dashuruar.
Je i lumtur aq sa mund të qeshësh.
Mos u ngrys, dije mirë se do qeshësh aq sa ke qarë.
Kurrë mos mendo se gjithçka mbaroi,
do të të duan aq sa i ke dashur.
Rëndësia që të dha natyra është në lindjen e diellit.
Je njeri aq sa i çmon ata që ke përballë.

Nëse një ditë do të gënjesh,
lëre tjetrin të të bindet për aq sa të beson.
Malli për të dashurën banon në dritën e hënës.
Je pranë të dashurës sate, aq sa përmallohesh për të….
Mos harro: je i lagur aq sa ka rënë shi
e i nxehtë për aq sa dielli denjon të të ngrohë.
Je aq vetëm sa ndjehesh i vetmuar,
i fortë aq sa ndjehesh i pathyeshëm,
je i hijshëm për aq sa ndjehesh i atillë.

Ja, kjo është jeta!
Ja ç’do të thotë të jetosh!
Ti do të rrosh përsa nuk e shqet këtë nga mendja.
Nëse e harron këtë, do të kesh ftohtë në secilën frymëmarrje
dhe do të të harrojnë aq shpejt sa ç’i harron ti të tjerët,
sepse lulja është e bukur përderisa e ujisim,
Zogjtë janë të këndshëm përsa kohë këndojnë
Fëmijët janë foshnja përsa kohë qajnë.
Ti i di gjërat aq sa i ke mësuar, dije edhe këtë:
do të të duan, aq sa i do dhe vetë.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:


riza braholli të puthja

RIZA BRAHOLLI: VETËM ME TY MUND TË ISHA DASHURUAR…

Poezi nga Riza Braholli

Vetëm me ty mund të isha dashuruar…
me ty e askënd tjetër!

Gjithë ç’kam njohur
ishin të mençura e të bukura, por ti…,
ehe ti, je shumë më shumë, o shpirt;

je malli i një kënge dëgjuar qysh herët
diku në shpatin e pjerrët të një mali
nga një shpirt që endej pyllit të ahishtës
e këndonte vetëm për vete,
si t’i drejtohej qiellit përmjet zemrës.

Je vërshëllima e shkujdesur e buzëmbrëmjeve
në buzët e një djali të dehur; ai
sapo ka marrë prej së dashurës puthjen e parë.

Je… je fill i ujit që shket nëpër myshkun e blertë
e bëhet lot gëzimi që ngarend,
plas qelqet e pritjes në vazon e agimit
duke e mbushur botën me një grishje të re.

Po jo vetëm kaq, je frymë, që gjoksi im
e pret me gaz, si një këngë të re,
si diç përtej njohjes, kufijve të materies, diçka
që së pari mbjell hijen e vet prej malli
e të mbush me mungesë e dëshirim të kadifenjtë.

ObserverKult