Ja kush do të jetë në jurinë e Çmimit Kadare

Mbledhja e jurisë së re ka nisur edicionin e radhës së Çmimit Letrar Kadare, një nga prestigjiozët që jepet në Shqipëri, në zhanrin e prozës. Deri më 15 janar do të priten sinopset e autorëve shqipfolës, përzgjedhja e të cilëve do të kalojë nëpër disa faza, për të shpallur fituesin në fund të muajit shkurt

Dhjetëvjetori i Çmimit Letrar Kadare mbledh sërish emra të njohur. Autorë, përkthyes, kritikë letrarë e dramaturgë, do të zgjedhin prozën më të mirë në gjuhën shqipe.

Nasi Lera, tregimtar i skalitur e përkthyes i novelistëve më në zë të letërsisë botërore, do të mbajë rolin e kryetarit të kësaj jurie, e përbërë nga pesë anëtarë. Asaj i bashkohet Gazmend Krasniqi, një tjetër figurë e njohur, lëvrues i poezisë, prozës dhe dramaturgjisë, profesor i teorive letrare; Ermir Nika shefi i Departamentit të Arteve të Aplikuara në Universitetin Europian të Tiranës, autor e kritik letrar; Armand Bora autor i shumë veprave dhe produksioneve në teatër, opera, kinema dhe televizion; Suadela Balliu, kryeredaktore e shtëpisë botuese UET Press, përkthyese dhe gazetare prej vitesh në median e shkruar.

Tradita që vazhdon për të dhjetin vit radhazi, së cilës shkrimtari i njohur Ismail Kadare i besoi emrin e tij, e vendos theksin te proza dhe autorët shqiptarë, që pavarësisht vendit ku jetojnë dhe krijojnë, frymojnë shqip.

Diversiteti gjerografik, me fitues nga trojet shqiptare në disa edicione, është shoqëruar me risi, duke i mëshuar konkurrimit dhe zgjedhjes së autorëve të rinj, por edhe autoreve gra. Të tilla kanë qenë fitueset e dy viteve të fundit. Vera Bekteshi, fituese e Çmimit Kadare 2022, e njohur për sjelljen e elementëve biografikë në veprat e saj, ashtu siç ishte edhe vepra fituese “Pusulla të verdha”. Në 2023, çmimin e rrëmbeu mësuesja nga Maqedonia e Veriut, Nurie Emrullai, më e reja në moshë ndër fituesit, me romanin “Duhet të jetës Dashuri”.

Përtej vlerës monetare, vlera më e madhe e këtij çmimi ka të bëjë me promovimin që i bëhet veprës dhe autorit. Dorëshkrimi fitues do të botohet nga UET Press, në kolanën “Leteratura”, ndërsa autori do të përfshihet në një tur të gjatë leximesh e promovimesh të librit, në aktivitete të ndryshme në të gjithë Shqipërinë, shoqëruar me dhënien e zërit mediatik.

Gjithë procesi i garës, i mbështetur nga Instituti Liberal i Tiranës “Pashko”, do të kalojë në disa faza. Aplikimet për këtë edicion janë të hapura deri në fund të javës së dytë të muajit janar 2023, ku autorët e interesuar duhet të dërgojnë, bashkë me dorëshkrimin, një sinops të krijimtarisë së veprës së tyre në adresën e email-it [email protected].

Javën e fundit të janarit do përzgjidhen 10 dorëshkrimet më të mira, për të vazhduar pastaj me fazën tjetër të selektimit. Në fund të javës së dytë të shkurtit do të përzgjidhen pesë dorëshkrime, prej të cilave do të shpallet fituesi i Çmimit Kadare 2024.

Emri i ri do të bëhet i ditur gjatë aktivitetit “Shkolla Dimërore e Humaniteteve”, e cila do të mbahet në javën e fundit të muajit shkurt, në Llogora.

Nisur nga emrat e fituesve në vite dhe impakti që kanë shkaktuar, pritet që edhe ky edicion të ketë prurje të reja dhe interes të shtuar nga emra të njohur dhe të rinj të letërsisë shqipe.

Fituesit ndër vite të Çmimit Kadare

Pas dy vitesh që ndërtohej si ide dhe si projekt, me konfirmimin edhe të shkrimtarit Ismail Kadare, i cili atëherë e ndante jetën mes Francës dhe Shqipërisë, nisi në 2015 dhënia e Çmimit Kadare. Një risi për kohën, që rrëzoi çdo skepticizëm dhe paragjykim, ndaj letërsisë dhe mënyrës sesi jepeshin çmimet në Shqipëri. Me vitet, vazhdimësinë, fituesit, ky konkurs afirmoi veten dhe i dha një tjetër vlerë botës letrare në Shqipëri. Tashmë i kthyer në një traditë, i zhvilluar në të njëjtën periudhë të vitit, Çmimi Kadare numëron 8 emra fitues, me të vetmen ndërprerje jo vetëm të kësaj ngjarjeje, por të shumë evenimenteve në të gjithë botën, të pamundësuara nga pandemia.

2023– Nurie Emrullai, me romanin “Duhet të jetës Dashuri”. E dyta grua fituese, pas shkrimtares Vera Bekteshi dhe më e reja në moshë, në fillim të të tridhjetave të jetës. Emrullai nis një rrugëtim të ri në karrierën letrare. E njohur më së shumti si poete, me tre vëllime poetikë të botuar, ajo zgjodhi Çmimin Kadare për debutimin e saj në prozë letrare, duke u përzgjedhur  si më e mira mes dhjetëra dorëshkrimesh nga një juri e shquar.

2022– Vera Bekteshi me romanin “Pusulla te verdha”. Libri autobiografik sjell një rrëfim tronditës mbi fatin e një gruaje në Shqipërinë komuniste. Libri është i mbushur me personazhe realë që kanë pasur një rol në jetën politike dhe shoqërore të vendit. Por ajo çfarë e bën interesant këtë rrëfim, është fakti se historia nis nga zemra e diktaturës siç ishte Blloku i udhëheqjes komuniste ku familja Bekteshi jetoi për një kohë të gjatë, për të vijuar më pas me përshkrimet rrënqethëse të internimit.

Bekteshi tregon se si njeriu mund të mbetet i bukur dhe plot dëshirë për jetën dhe pse është përshkruar nga vuajtje të mëdha.

2021– Gani Mehmetaj me romanin “Zogjtë e qyqes”. Libri është një rrëfim intrigues për njerëzit dhe kohën, për dashurinë dhe urrejtjen, për shpresat dhe zhgënjimin. Mehmetaj sjell përmes romanit të tij, një kolon serb, ndërsa mund të jetë kolon i cilitdo komb, përmes situatave e veprimeve, dialogut e përsiatjeve, paraqet kronikën dyzetvjeçare të ngjarjeve, fatin e ardhacakëve dhe fatkeqësitë e vendësve.

2019– Loer Kume me përmbledhjen me tregime “Amygdala Mandala”. “Loer Kume, përfaqësues i një gjenerate të re shkrimtarësh, i cili eksperimenton me letërsinë, në kërkim të formave të reja letrare, larg komercializmit dhe të zakonshmes ne letërsi”, ishte motivacioni i këtij çmimi.

2018– Virgjil Muçi me veprën “Piramida e shpirtrave”. Autor i mëse 10 librave që rrokin një krijimtari e cila zë fill me prozën e shkurtër e të gjatë, për të vijuar më pas me poezinë, kinematografinë, në lëmin e kritikës letrare dhe në fushën e përkthimit me rreth 13 tituj nga gjuhë dhe autorë të ndryshëm.

2017– Musa Ramadani me romanin “Profeti nga Praga”, një roman i veçantë si për nga forma, ashtu dhe nga përmbajtja. Duke qenë i strukturuar në tregime të lidhura fort me njëra-tjetrën, “Profeti nga Praga” shpërfaqet si një mozaik rrëfimesh dhe kolazh teknikash narrative, një roman për letërsinë si tekst kënaqësie dhe akt përjetësie, ku krijuesi shpaloset si një libër i hapur ndaj konteksteve dhe konotimeve të ndryshme”.

2016– Shkëlqim Çela me librin me novela “Embriologji”. Motivacioni për fituesin ishte “për një tekst që ndërthur letërsinë e kujtesës nëpërmjet groteskut dhe autoironisë, me një individualitet që u garanton këtyre tri novelave dhe autorit një hyrje në letrat shqipe.”

2015– Rudolf Marku me romanin “Tre divorcet e zotit Viktor N.” Me një narracion linear dhe shpesh me një thjeshtësi penetruese, autori Rudolf Marku ndjek e analizon në këtë roman fatin e intelektualit shqiptar Viktor, në imigracion, por ky intelektual mund të ishte fare mirë, çek, rumun, gjermano-lindor, duke i dhënë kësaj vepre atributet e letërsisë pa kufinj gjeografikë.

ObserverKult


Musa Vyshka, grafikë nga Ylli Haruni

Lexo edhe:

CIKËL POETIK NGA MUSA VYSHKA: ERDH’ KOHA TË VDESIM? S’ËSHTË KEQ, NUK KEMI MË Ç’TË PRESIM!

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Musa Vyshka, i cili sot u nda nga jeta:

Erdh koha që të vdesim…

Mund të më thuash ti një ditë, për dreq,
“Erdh koha që të vdesim!”
Unë do të them i qetë: “S’është keq
Sikur dhe ca të presim!”

Vërtet që pema jonë në rrënjë u kalb,
Po bie dalëngadalë.
Po ne, pa rënë, zgjasim kokën prapë:
“A çelën gjethet vallë?!”

Janë gjethet tona, tonat, sigurisht,
Nga trungu ynë janë.
Mbi dashuritë e tyre përjetësisht
Pishtarin tonë mbajnë!

Nga dashuria jonë u përflak
Një dashuri e re
Dhe duam ne a s’duam, sadopak,
U bëmë Promethej

Pastaj ti mund të thuash prapë, për dreq,
“Hajde të dy të vdesim!”
E do të them i lumtur: “S’është keq!
Nuk kemi më ç’të presim!”

Nuk di: të dhimbsesha apo më doje

Në fund të arkës… një këmishë e vjetër.
Është vetë ajo e s’mund të jetë tjetër.

Ajo, praruar me mijëra ylberë.
Kurseva plot një verë për ta blerë.

E prita ditën të ma shihje ti,
Por, kur e vesha, qielli krejt u nxi.

Ti pas rrëkeve heshtur më shikojë.
Nuk di: të dhimbsesha apo më doje.

Ai shikim i heshtur s’di ç’më tha.
Rrëke e fundit mbi këmishë ra.

E shoh aty, të heshtur, krejt të kalbur,
Por mua flokët sot më janë zbardhur.

E shoh dhe s’di ç’të bëj me të tani:
Ta djeg apo ta vesh, të dal në shi

Mbrëmë me ty, sonte pa ty

Mbrëmë me ty, sonte pa ty!
Çfarë t’i them hënës që na pret të dy?

Çfarë t’i them shelgut që do ulë dy degë,
Përmbi kokat tona me gaz t’i përpjekë?

Si do rrijnë bashkë kjo natë kaq e ngratë
Me natën që shkoi, me natën e artë?

Mbrëmë me ty, sonte pa ty!
Çfarë t’i them hënës që na pret të dy?

O dashuri! O dritë e kësaj bote

Ti fundi je i pritjes që s’ka fund,
Je prehja e shqetësimit që s’qetohet,
Sapo të shoh mërzia krahët shkund
Trishtimi i trishtuar larg largohet.

Aq shumë të dashkam sa as vetë s’e di,
O dashuri! O dritë e kësaj bote!
Sa herë dal në pasqyrë, për çudi,
Veten kërkoj, më del fytyra jote

Poezitë e tjera mund ti lexoni KËTU:

ObserverKult