Ja kush janë fituesit e Konkursit të Poezisë “Ora e Astritit”

ora e astritit konkursi

Të shtunën në Galerinë e Arteve në Ferizaj u mbajt takimi final i edicionit të tetë të Konkursit të Poezisë “Ora e Astritit”. Në këtë konkurs tradicional, që mbahet në kujtim të poetit dëshmor Astrit Bytyçi, këtë vit juria profesionale prej rreth mbi 60 poezive të dërguara, përzgjodhi 20 më të realizuara, për orën finale.

Vlen të theksohet që autorët e poezive ishin nga të gjitha trojet shqiptare, ndërsa ata që ishin të pranishëm në takimin e sotëm i lexuan poezitë e tyre. Aktiviteti u ndoq me interesim nga publiku ferizajas, ku ishin të pranishëm edhe familjarët e poetit dëshmor Astrit Bytyçi.

Juria e përbërë nga: Mustafë Xhemaili – poet, publicist, Donika Dabishevci – poete, studiuese e letërsisë dhe Agim Berisha – poet, ish-kryetar i klubit “De Rada”, fitues të këtij edicioni u zgjodhën:

Çmimi i parë: Valbona Mulaj – Lluka me poezinë ‘Ma nis’

Çmimi i dytë: Vlora Rexhaj – Morina – me poezinë ‘Janë do çaste’

Çmimi i tretë: Fatmir Gjata me poezinë ‘Vjeshtë’

Por të nesërmen, Kryesia e Klubit Letrar “De Rada” dhe juria e edicionit të tetë të Konkursit të Poezisë “Ora e Astritit”, mbështetur në kriteret e konkursit dhe në njoftimet e pranuara nga opinioni i lexuesve, ka marrë vendim që të bëhet një ndryshim në radhitjen e poezive të vlerësuara për tri çmimet e konkursit. Sipas këtij vendimi fitues të konkursit janë:

Çmimi i parë:

Valbona Mulaj – Lluka me poezinë ‘Ma nis’

Çmimi i dytë:

Fatmir Gjata me poezinë ‘Vjeshtë’

Çmimi i tretë:

Arsim Halili me poezinë ‘Lavjerrësi’

Kjo shkaku se një nga kriteret e konkursit ka qenë që poezitë konkurruese duhet të jenë të papublikuara dhe të pashpërblyera më parë, ndërsa njëra nga poezitë e shpërblyera dje, poezia ‘Janë do çaste’ e Vlora Rexhaj – Morina që mori çmimin e dytë, del të jetë e shpërblyer në konkursin “Vjeshta dhe vargjet” të Art klubit “Rifat Kukaj” në Drenas.

Kryesia e Klubit dhe juria falënderojnë opinionin e lexuesve për reagimin duke shpresuar që krijuesit të jenë më të vëmendshëm ndaj kritereve të konkursit në mënyrë që mos të përsëriten praktika të tilla.

Ky aktivitet i klubit “De Rada” është mbështetur nga Komuna e Ferizajt, gjegjësisht Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport.

ObserverKult