Jacques Prévert: Adrian

JACQUES PRÉVERT: KUR TI FLE

Adrian, poezi nga Jacques Prévert

Adrian, mos u ban kryefortë!
Ktheu!
Adrian, mos u ban kryefortë!
Ktheu!
Topin e borës
Që më pate hjedhë
Në Chamonix
Dimnin e shkuem
E kam ruejtë.
Mbi oxhak e kam
Pranë kunorës së nusisë
Të së ndjerës nanës sime
Që vdiq e therun
Prej të ndjerit babës tim
Që vdiq në gijotinë
Nji mjes të trishtë dimni
Ose në pranverë…

Kam edhe unë ato të miat, s’e mohoj
Ndêjta vjetë të tanë
Pa u kthye
Në shtëpi
Por ta mbajta të mshefët
Se kisha qenë në burg!
Kam edhe unë ato të miat, s’e mohoj
Shpesh e rrahja qenin
Por ty të desha fort!

Adrian, mos u ban kryefortë!
Ktheu!
Dhe zagarin shtatvogël
Që ngordhi
Javën që shkoi
E kam ruejtë!
E kam në frigorifer
Dhe sa herë që hap derën
Për me marrë ndonji birrë
E shof atje të ngratën kafshë të ngordhun
Më vjen të luej prej mendsh!
Adrian, mos u ban kryefortë!
Ktheu!
Prej kullës së Sen-Zhakut
Pardje
U hodha kryeteposhtë
U vrava
Për shkakun tand
Dje më vorrosën
Në nji vorrezë shum të bukur
Dhe për ty mendoja
Sonte erdha prap
Në apartamentin tand
Ku ti silleshe lakuriq
Në atë kohë kur isha gjallë
E të pres…

Adrian mos u ban kryefortë!
Ktheu!
Kam edhe unë ato të miat, s’e mohoj
Ndêjta vjetë të tanë
Pa ardhë në shtëpi.
Por ta mbajta të mshefët
Se kisha qenë në burg!
Kam edhe unë ato të miat, s’e mohoj
Shpesh e rrahja qenin
Por ty të desha fort!…

Adrian mos u ban kryefortë!
Ktheu!

Përktheu: Primo Shllaku

ObserverKult

Lexo edhe:

JACQUES PRÉVERT: KUR TI FLE