Natën ti fle
unë vuaj nga pagjumësia
të shoh të flesh
kjo më bën të vuaj.
Sytë e tu janë të mbyllur trupi i madh shtrirë
diçka qesharake kjo por më bën të qaj
dhe ja papritur ti qesh
qesh me të madhe ndërsa fle
po ku ndodhesh vallë në këtë çast
ku je nisur vallë vërtet
mbase me një tjetër vajzë
shumë larg në një tjetër vend
dhe ti qesh me të ti më qesh mua.
Natën ti fle
unë vuaj nga pagjumësia
të shoh të flesh
kjo më bën të vuaj
Kur ti fle unë s’e di në më do
më afër por dhe larg
unë shtrëngohem pas teje nudo
por njëlloj sikur ti të mos ishe aty
megjithatë unë dëgjoj se rreh zemra jote
pa e ditur në rreh për mua
unë s’di asgjë unë nuk di më
do të doja që zemra të mos të të rrihte më
nëse një ditë ti s’do të më duash më
natën ti ëndërron fle
unë vuaj nga pagjumësia
të shoh të ëndërrosh
kjo më bën të vuaj
Çdo natë qaj gjithë natën
dhe ti ëndërron dhe qesh
po s’mund të vazhdohet kështu
sigurisht një natë unë do të të vras
atëherë edhe ëndrrat e tua do të marrin fund
dhe pastaj meqë dhe unë do të vras veten
do të marrë fund edhe pagjumësia ime
dhe kufomat tona të bashkuara
do të flenë së bashku në krevatin tonë të madh
Natën ti ëndërron
unë vuaj nga pagjumësia
të shoh të ëndërrosh
kjo më bën të qaj
Zbardh dita dhe ti zgjohesh menjëherë
tani ti qesh me mua
me diellin ti qesh
dhe unë për natën s’mendoj më
dhe ti më thua përherë po ato fjalë
«Ke kaluar një natë të qetë»
dhe unë si një ditë më parë të them sakaq
«Po, i dashur, kam fjetur qetë
kam ëndërruar për ty si çdo natë.»
Përktheu: Faslli Haliti
ObserverKult
——————