Jaime Sabines: Dua të jem e vërteta jote, e vërteta jonë!

Në të gjitha skutat e shpirtit tim ka nga një copëz të fustanit tënd, një gllënjkë të heshtjes tënde, një shenjë e jotja, e lehtë, e pamposhtshme.
Merr pjesë në pashpresën time, banon në dëshpërimin tim, pajtohesh me mërzinë dhe me vdekjen time të përditshme. Çfarë tjetër? Si të përbirohem në gjakun tënd? Si të hyj në ty, për të të folur me krejt rrëqethjet e ankthit, me të gjithë dëshmitarët e vetizolimit?

Dua të jem në ty, pa ndarje të mundshme, ashtu siç je në mua, e pandashme. Dua të jem e vërteta jote, e vërteta jonë. Që të mos mbeten dyshime tashmë, apo variacione. Se e njohim njëri-tjetrin, përtej gjithçkaje, përtej të gjitha rrethanave, të gjithë aksidenteve, në esencë njëri i tjetrit, i yti dhe e imja, pa kohë, pa distanca.

Dua të jem ajo që dëshiron, ajo që tashmë nuk dëshiron, prania në veten tënde, unë, lidhja jonë, e jotja dhe e imja, e jona, pa dallime, e përbashkët, strikte.

Nga Jaime Sabines – “Cartas a Chepita”

Në shqip: Manjola Brahaj Halili


Lexo edhe:

JAIME SABINES: TË DASHUROJ, POR DUA TË JEM I LIRË…