Portret për “Mjeshtrin e Madh” të muzikës, profesorin Naim Gjoshi

Edhe pse i ka mbushur para pak ditëve 72 vitet, ndjehet i ri, energjik, krijues, dhe mbi gjithçka punon duke mosnjohur ditët e javës. Aktivitetin e tij profesori i Muzikës dhe Korit, Naim Gjoshi, e ka patur gjërësisht në Shqipëri, kurse në 2 dekadat e fundit, ai është kompozitori më i kërkuar në Kosovë.

Por kush është Naim Gjoshi?

Ai ka mbaruar Akademinë e Arteve në vitin ’69-’73, dega e muzikës specialiteti “Dirigjent Kori”. Diplomën e ka mbrojtur në vitin ’74 me korin e “Teatrit të Operas dhe Baletit”, Tiranë.

Për arsye biografike emërohet si “Përgjegjegjës Muzike” në pallatin e Kulturës të qytetit të Burrelit, rrethi Mat. Ka punuar atje në deri në vitet ’90. Aktiviteti i tij krijues, ka nisur në Mat, ku sapo mbaroi Institutin e Arteve, nisi të mbledhë këngë folklorike matjane, epikën, lirikën, etj.

Mbi këto intonacione ndërtoi dhe kompozoi këngën qytetare matjane . Po mbi këto formacione këngësh folkrorike ndërtoi dhe kompozoi muzikën e valleve dhe melodive instumentale matjane.

Në vitet ’80 bashkëpunon dhe realizon koncertin me “Lirika Matjane” me grupin shumë të njohur “Na Bashkoi Kënga Popullore”. Ky koncert u filmua në RTSH dhe bëri shumë jehonë në gjithë trojet shqiptare. Nga partiakët e asaj kohe u kritikua  ashpër sepse “koncertit i mungonte kënga për Partinë e Punës”…

Në vitin ’91 vjen në Librazhd me dëshirën e tij. Njohja me folklorin e luginës së Shkumbinit, i dha shumë tinguj të rinj krijimtarisë tij. Bashkëpunimi me “Mjeshtrin e Madh” Sadi Halili, bëri që të asimilojë e përpunojë shumë motive e valle të kësaj treve të begatë…. Në qytetin  e Librazhdit, zgjedh këngëtaret Hatixhe Lushi dhe Margita Kola me këngë popullore shkumbinase, të përpunuara duke ju dhënë tingëllim qytetare.

Po në bashkëpunim me mjeshtrin Sadi Halili, dhe me mbështetjen e pushtetit vendor, ka realizuar 6 edicione të “Valles Dyshe”, aktivitet kombëtar dhe më gjerë. Me ndryshimin e sistemit krijimatrisë së Naim Gjoshit, ju çelën shtigje të reja. Njohja me këngëtarët kosovarë, të trevave shqiptare të Maqedonisë e Malit te Zi, bëri që këngët e tij, të shtegëtojnë në të gjitha viset shqipëtare.

Nga bashkëpunimi me shumë këngëtarë bëri të mundur realizimin e disa koncerteve. Mund të përmendim, koncertin recital me këngëtarin e njohur Selami Kolonja (shtator ’94). Në prill të vitit ’98 kur Kosova digjej flakë nga lufta për liri, Naim Gjoshi realizon koncertin recital “Homazh per Kosovën” (i pari koncert në shkallë kombëtare e mbarëkombëtare) me këngëtarin Ilir Shaqiri. Aty iashin të pranishëm edhe aktorët e mëdhenj si Reshat Arbana, Kadri Roshi, Margarita Xhepa,etj.

Ky koncert u regjistrua i plotë nga RTSH dhe nga transmetimet e përditshme i parapriu më pas, koncerteve të tjera “Homazh për Kosovën”, që u realizuan në të gjitha  trojet shqiptare. Në maj të vitit 2006 ka realizuar koncertin tjetër recital me këngëtarët kosovarë, Violet137 Kukaj, Fahrush Azemi, Hysni Klinaku dhe këngëtarët e qytetit te Librazhdit, Hatixhe Lushi dhe Liljana Stafa.

Ka një bashkëpunim të gjërë me shume këngëtarë të trevave shqiptare, si Ilir Shaqiri, Shkurte Fejza, Selami Kolonja, Violetë Kukaj, Miranda Hashani , Besiana Mehmeti, Shkodran Tolaj, Vëllezerit Dervishi, etj…

Krijimtaria e tij, trajton më shumë temën e atdhedashurisë, dhe flamurit. Janë shumë të njohura këngët e tij si, “Jam Evropë” (Ilir Shaqiri), “Poçari” (S.Kolonja), “Udhët e Mia” (kënduar nga Ilir Shaqiri), “Male o ju male (Selami Kolonja), “Mora fjalë”- kushtuar komandantit legjendar, Adem Jashari, “Erdhi, dita e pavarësisë”- kushtuar Pavarësisë së Kosovës etj…

Shumë këngë të tjera të Naim Gjoshit, kanë kryesisht në frymën popullore. Ato janë bërë “pronë” shpirtërore e njerëzve të thjeshtë. Profesor Naimi, është nderuar me shumë urdhra dhe medalje. Dallojmë ato si “Naim Frashëri” i Klasit të Tretë, “Qytetar Nderi” i Burrelit, “Qytetar Nderi i Beleshit”, “Nderi i Dumresë”, me “Mirënjohje” nga Shoqata e Veteranëve të Kosovës etj. Por nderimi më i madh, atij i është bërë nga ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, me titullin “Mjeshtër i Merituar”. Thaçi, ka vlerësuar rolin e kontributin e profesor Gjoshit në rritjen dhe zhvillimin e muzikës kosovare, si dhe ka vlerësuar atë si një “atdhetar i paepur në mbështetjen e çështjes së Kosovës”.

Naim Gjoshi, nuk rresht së punuari dhe kompozuari, duke mos njohur lodhjen dhe pushimin. Ai mbetet gjithmonë pranë këngës, melodisë, artistëve, duke mos u shkëputur nga misioni  dhe profesioni i tij./(javanews.al)

Përgatiti: Artur Ajazi

Naim Gjoshi

Lexo edhe:

KUSH ISHTE AVNI MULA, KOMPOZITORI QË IA DHUROI SHQIPTARËVE “VALSIN E LUMTURISË”

ObserverKult