Jan Palach- kush ishte i riu që frymëzoi rininë kundër komunizmit

Një gjest fisnik, në dukje i kotë, por me një forcë mediatike që ishte në gjendje të trondiste ndërgjegjet dhe të shndërrohej në simbol të sfidës ndaj pushtetit. E ka kryer Jan Palach, student çekosllovak, që në vitin 1969 i vuri flakën vetes në sheshin San Venceslao të Pragës për të protestuar kundër shtypjes sovjetike.

Në gushtin e vitit 1968, Bashkimi Sovjetik pushtoi Çekosllovakinë, për të ndalur reformat liberalizuese të qeverisë së Aleksandër Dubçek, gjatë asaj që u njoh si “Pranvera e Pragës”.

Studenti Jan Palah, i lindur në Pragë, dhe një student i historisë vendosi të sakrifikojë veten në shenjë proteste pas pushtimit.

Ai i vuri vetes zjarrin në Sheshin Vençeslas më 16 janarin e vitit 1969. Sipas një letre që u dërgoi disa figurave publike, ai kishte krijuar një organizatë klandestine të rezistencës, që synonte praktikimin të vetëflijimit deri në përmbushjen e kërkesave të tyre. Megjithatë duket se një grup i tillë nuk ka ekzistuar kurrë.

Ndërkohë, letra bënte thirrje që popujt çekë dhe sllovakë, të hidheshin në një grevë të përgjithshme në mbështetje të këtyre kërkesave. Në një variant të mëparshëm të letrës, Palah kërkoi dorëheqjen e një numri politikanësh pro-sovjetike. Por në fund nuk e përfshiu atë në letrën zyrtare, që përfshinte edhe fjalinë se “kërkesat tona nuk janë ekstreme”.

21-vjeçari vdiq nga plagët  rënda vetëm disa ditë pas aktit të tij ekstrem. Në spital, ai u vizitua nga një mikesha e tij e universitetit, nga shokët e shkollës dhe drejtuesi i një organizate studentore, së cilës i ishte drejtuar një nga kopjet e letrës së Palah.

Jarosllava Moserova , një mjeke e specialiste e djegieve, që ishte e para që u kujdes për Palah në spital, pati deklaruar se Palah nuk e vetëdogj për të protestuar kundër pushtimi sovjetik, por e bëri këtë për të protestuar kundër “demoralizimit” që kishte shkaktuar pushtimi tek qytetarët çekosllovakë.

“Ai dëshironte të ndalte atë demoralizim. Unë mendoj se njerëzit në rrugë, që ecnin heshtur, me sytë e trishtuar, me fytyrat e vrerosura, dukej sikur ishin në prag të bërjes së çdo lloj kompromisi”- do të shprehej ajo më vonë.

Funerali i Jan Palah, u shndërruar në një protestë të madhe kundër okupimit. Një muaj më vonë, më 25 shkurt 1969, një student tjetër, Jan Zajç ,u vetëdogj për vdekje në të njëjtin vend. Kjo u pasua në prill të po atij viti nga Evzen Ploçek në qytetn Jihlava, dhe nga shumë të tjerët.

Edhe njerëz në vendet e tjera të Paktit të Varshavës, imituan shembullin e tij, siç ishte hungarezi Sandor Bauer më 22 janar 1969. Vetëvrasja e Palah ishte akti i dytë i këtij lloji pas atij të polakut Rizard Siviec, që mbeti kryesisht në harresë deri në rënien e komunizmit.

Në fillim Palah u varros në Varrezat Olshani. Por kur varri i tij po bëhej një lloj tempulli kombëtar, policia sekrete çekosllovake (StB ) nisi të shkatërrojë çdo kujtim të veprës së Palah.

Ajo zhvarrosi eshtrat e tij natën e 25 tetorit 1973. Trupi i tij u dërgua në qytetin e nënës së tij Vetati. Eshtrat e të riu u rrikthyen në Pragë vetëm më 25 tetor 1990.

Në 20 vjetorin e vdekjes së Palah, protesta përkujtimore ndaj tij u përshkallëzuan në atë që do të quhej si”Java e Palach”. Seria e demonstratave anti-komuniste në Pragë në datat 15-21 janarit 1989 u shtyp nga policia, që dhunoi demonstruesit. “Java e Palah”:, cilësohet si një nga demonstratat që shërbeu si një kataliztor për rënien e komunizmit në Çekosllovaki 10 muaj më vonë.

Pas Revolucionit të Kadifejtë, Palah (së bashku me Zajç) u përkujtua në Pragë me një kryq bronzi të ngulur në vendin ku ai u vetëdogj para Muzeut Kombëtar. Ndërkohë një shesh mban sot emrin e tij. Astronomi çek Lubosh Kohoutek , që u largua nga vendi në vitin 1970, emëroi një asteroid Jan Palah.

Edhe disa vetëvrasje të mëvonshme, mund të jenë ndikuar nga shembulli i Palah dhe popullariteti i tij në media. Në pranverën e vitit 2003, 6 të rinj çekë u vetëdogjën duke humbur jetën. Njëri prej tyre Zdenek Adamek, një student 19-vjeçar nga Humpolec u vetëdogj më 6 mars 2003 në të njëjtin vend para Muzeut Kombëtar ku kreu aktin e tij Palah. Akti i tij ekstrem, ka qenë subjekt i disa veprave të artit, dokumentarëve, këngëve dhe poezive në vende të ndryshme të botës./Përshtati në shqip CNA.al/ ObserverKult