Janë ca rrugica në Korçë që të kujtojnë gjyshen…

janë ca rrugica në korçë

Janë ca rrugica në Korçë që të kujtojnë gjyshen. Që bien erë petka të ngrohta, çaj mali, kafe të derdhur mbi stofë, ftonj të pjekur e mollë me kanellë.

Që, kur kalon, të bëhet sikur dëgjon “Dëbora zbardhi malet eee” apo “O moj korçare e bukur si pupè” dhe ndjen që dashuria të rrethon e të përkedhel.

janë ca rrugica në Korçë

Nga Elda Zavalani

Janë ca rrugica në Korçë që të kujtojnë Vangjush Mion. Ai e derdhi në art dritën e tyre dhe çdokush që sheh pikturën e tij, e kupton që është Korçë.
Jane ca rrugica të ëmbla në qytetin tim që kanë lezet kur gjyshja ulet tek pragu dhe pret nipin nga shkolla. Kur gjyshi rregullon pjergullën majë shkallës së drunjtë. Kur dëgjohet zhurma e ujit në postaf dhe macja që ngrohet në diell, majë avllise.

Janë ca rrugica në Korçë që emocionojnë. Kur kalon në to, ngadalëson hapin, nuk do të largohesh. Janë ca rrugica në Korçë me aromë dashurie…

ObserverKult

————————-

Lexo edhe:

ELDA ZAVALANI: KUR UDHËTON SHPIRTI…

Ka net kur shpirti udhëton, pa i marrë leje trupit. Shkon larg të kërkojë pak qetësi. E braktis trupin dhe e kthen në kufome të gjallë, që flet, qe ec, që qesh, që luan, por që nuk jeton. Trupi pa shpirt s’ka jetë. Shpirti pa trup po. Madje është i lirë, i dlirë, pa vargonj, pa rregulla, pa orare, pa norma bajate shoqërish mizantrope, pa kokçarje e shqetësime të përditshme. Udhëton nëpër udhë ndjenjash, që i ka projektuar shpresa e i ka shtruar malli. Fluturon lart, aty ku nuk e kapin dot rrufetë e stuhitë e jetës. Zhytet në det e pastrohet, përkëdhelet në perendimet e purpurta, fle me këngën e hënës e zgjohet me atë të zogjve.

Tekstin e plotë e gjeni KETU