Jane Hirsfield: I thashë jetës sime…

Jeta ime kishte madhësinë e jetës sime.
Dhomat e saj ishin në madhësinë e dhomave,
shpirti i saj ishte sa madhësia e një shpirti.
Në sfondin e saj, mitokondria zëzëllinte,
mbi të diell, re, dëborë,
kalim yjesh dhe planetesh.
Ajo hipte në ashensorë, trena plumb,
aeroplane të ndryshme, mbi një gomar.
Vishte çorape, këmisha, kishte veshët dhe hundën e saj.
Hante, flinte, hapte
dhe mbyllte duart e saj, dritaret e saj.
Të tjerët, e di, kishin jetë më të gjata.
Të tjerët, e di, kishin jetë më të shkurtra.
Thellësia e jetëve gjithashtu ishte e ndryshme.
Kishte raste kur unë dhe jeta ime bënim shaka bashkë.
Kishte raste që bënim bukë.
Por befas u bëra lunatike dhe e largët.
I thashë jetës sime se doja të kisha ca kohë,
Dëshiroja të shihja të tjerët ç’bënin.
Por pas një jave unë dhe valixhja ime e boshatisur u kthyem.
Isha e uritur atëherë dhe jeta ime,
jeta ime ishte po ashtu e uritur,
por ne nuk mund të përshtateshim
dhe gjuhët nuk mund t’i përdornim më.

“Titulli i orgjinalit: “Jeta ime kishte madhësinë e jetës sime”

Përktheu: Irena Dono