Janë nga ato ditë që të futet thellë në palcë kuptimi i fjalës “dashuri”

Nga Alma Braja

Janë nga ato ditë që nuk të ikën celulari nga dora. Që nuk do të flasësh me të afërmit e tu, se ke merak mos i zgjon. Se këto orë ka më shumë rëndësi çlodhja e tyre sesa meraku yt. Fundja ndaj nuk shkëputet celulari nga dora. Nga frika mos sheh ndonjë lajm të ri në rast se ‘zgjohet’ tërmeti. Ti i këndon tërmetit ta vësh në gjumë. E kështu gjendesh brenda çdo skene. Të rrjedhin lotët kur mëson humbje. Të ndrijnë sytë kur mëson shpëtim.
E pra, je në ato ditë kur gëzimi e dhimbja bëhen një. Kur lotët nuk kanë më epitete. Janë ngatërruar.
Janë nga ato ditë që doje të ishe atje. Se fundja, ç’rëndësi ka kuptimi i frikës? Pa kuptimin e jetës?
Nga ato ditë që të futet thellë në palcë kuptimi i fjalës ‘dashuri’ pa patur nevojë të përshkruhet. Dashuria vjen nga larg. Dashuria edhe paguan, por kurrë nuk paguhet.
Qofshin larg ditë të tilla! Dashuria nuk ka nevojë për to. Dimë kur i derdhim lotët e gëzimit. Qofshim afër tyre! Gjithmonë bashkë.❤

ObserverKult