Javier Marías: Në fund, të gjithë e bëjmë bilancin e jetës!

Javier Marías:

Romancieri spanjoll fitues i shumë çmimeve, Javier Marias, vdiq në moshën 70-vjeçare.
Për ta kujtuar autorin e famshëm, ObserverKult ju sjell një fragment shkëputur nga nga romani “Nesër në betejë mendo për mua” të Javier Marías.

“Ne qeniet njerëzore jemi ajo që bëmë dhe ajo që nuk mundëm dot…”


“….Sa herë flasim për jetën e një burri apo një gruaje, sa herë përvijojmë një skicë apo një përmbledhje të kësaj jete, sa herë që rrëfejmë një histori apo një biografi të tyre, në një fjalor, në një enciklopedi, në një kronikë apo thjesht duke folur mes miqsh, zakonisht priremi të rrëfejmë tërë sa ai burrë apo grua ka arritur në jetë, që do të thotë shprehimisht tërë sa ka ndodhur me të vërtetë.

Thellë-thellë, të gjithë kemi të njëjtën prirje, prirjen për ta vështruar njëri-tjetrin dhe vetveten në periudha të ndryshme të jetës si rezultante dhe përmbledhje e tërë sa na ka ndodhur, e tërë sa kemi arritur të përvetësojmë dhe e tërë sa kemi arritur, sikur kjo të ishte tërë sa përbën thelbin e ekzistencës sonë.

Dhe harrojmë pothuajse gjithmonë se jeta e njerëzve nuk është thjesht dhe vetëm kjo: çdo rrugë apo shteg që përshkojmë në jetë përbëhet edhe nga humbjet dhe mospranimet, nga fashitjet dhe dëshirat tona të paplotësuara, nga tërë sa njëherë e një kohë e anashkaluam, nga tërë sa nuk e zgjodhëm apo nuk e arritëm, nga mundësitë e shumta që, në të shumtën e herëve, nuk arritën të jetësoheshin – të gjitha, në fund të fundit, me përjashtim të njërës – nga luhatjet dhe ëndrrat tona, nga projekte të dështuara dhe nga aspirata të rreme apo të flashkëta, nga frika që na kanë lënë të shtangur, nga tërë sa kemi braktisur dhe nga tërë sa na ka braktisur.

E thënë me dy fjalë, me fort gjasë, ne qeniet njerëzore përbëhemi nga tërë sa jemi, sikundërse edhe nga tërë sa nuk ishim, nga tërë sa është e vërtetueshme, e përcaktueshme dhe e të ngulitur, sikundërse edhe nga tërë sa është e pasigurt, e papërcaktuar dhe e mjegullt, mbase përbëhemi në të njëjtën shkallë nga tërë sa ishte dhe tërë sa mund të ishte….”

Përktheu: Shpëtim Doda

____________________

Marias, i cila kishte vuajtur nga pneumonia muajin e kaluar, botoi 16 romane duke përfshirë “Fytyra jote nesër” një trilogji e botuar midis 2002 dhe 2007.

“Një ditë e trishtuar për letrat spanjolle”, shkroi në Twitter kryeministri spanjoll Pedro Sanchez. “Javier Marias na lë ne, një nga shkrimtarët më të mëdhenj të kohës sonë”.

Librat e tij u përkthyen në 46 gjuhë dhe u shitën në pothuajse 9 milionë kopje në 56 vende.

Një përkthyes si dhe një kolumnist për gazetën e përditshme spanjolle El Pais, Marias mori një sërë çmimesh për punën e tij. Vitin e kaluar, ai u zgjodh në Shoqërinë Mbretërore Britanike të Letërsisë si Shkrimtar Ndërkombëtar.

ObserverKult

Lexo edhe:

UMBERTO ECO: SI MUND TË PËRKTHEHET JOYCE