Ja pse Sartre e refuzoi Nobelin/ Deklarata: Për 250 mijë korona nuk heq dorë nga parimet

Në vitin 1964, Jean-Paul Sartre nderohet me Çmimin Nobel në letërsi, “për punën e tij plot ide të mbushur me frymën e lirisë në kërkim të së vërtetës, duke ushtruar ndikim shumë të gjerë në epokën tonë”.

Shumë njerëz u çuditën, kur Sartre e refuzoi çmimin.


Deklarata e Sartes:

Ndjej keqardhje të thellë për faktin që kjo ngjarje e padëshiruar u kthye në një lloj skandali: çmimi u dha dhe nuk e pranova. Kjo ndodhi për arsyen e vetme se nuk u informova në kohë për atë që po ndodhte. Kur më 15 tetor lexova tek e përjavshmja letrare Figaro littéraire, në rubrikën e korrespondentit suedez, se zgjedhja e Akademisë Suedeze po anonte nga unë, por nuk ishte vendosur akoma, mendova se duke i shkruar letër Akademisë, të cilën ia nisa të nesërmen, do ta sqaroja plotësisht këtë çështje dhe gjithçka do të mbyllej me kaq.

Në atë kohë, nuk isha në dijeni se Çmimi Nobel jepet pa marrë parasysh mendimin e atij që e merr, dhe besoja se kishte kohë që kjo të shmangej. Por tani e kam të qartë se kur Akademia Suedeze merr një vendim, nuk mundet ta anuloj atë më pas.
Arsyet e mia për mospranimin e çmimit nuk kanë të bëjnë as me Akademinë Suedeze dhe as me Çmimin Nobel si të tillë, ashtu siç e kam shpjeguar në letrën time drejtuar Akademisë.

Në të, unë bëj fjalë për dy lloj arsyesh: personale dhe objektive.

Nuk është e njëjta gjë kur unë nënshkruaj Jean-Paul Sartre dhe kur nënshkruaj Jean – Paul Sartre, fitues i Çmimit Nobel.
Shkrimtari që pranon një nder të këtij lloji bashkë me veten përfaqëson edhe shoqatën apo institucionin që e ka nderuar. Simpatitë e mia për revolucionarët e Venezuelës më përkasin vetëm mua, ndërsa nëse Jean-Paul Sartre, laureat i Çmimit Nobel përkrah qëndresën Venezueliane, qëndrimi i tij nënkupton edhe Çmimin Nobel si institucion.

Prandaj, shkrimtari duhet të mos pranojë të shndërrohet në një institucion, edhe nëse kemi të bëjmë me nderimin më të madh, si në këtë rast.
Ky qëndrim, natyrisht, është vetëm i mi, dhe nuk përmban kurrfarë kritike ndaj atyre që janë vlerësuar tashmë me këtë çmim. Ushqej shumë respekt dhe admirim për disa nga laureatët të cilët kam nderin t’i njoh.

Arsyet objektive janë si më poshtë:

Beteja e vetme e mundshme sot në frontin e kulturës, është beteja për bashkëjetesën paqësore të dy kulturave, asaj të Lindjes dhe të Perëndimit. Nuk them se duhet ta përqafojnë njëra-tjetrën, e di se shkëmbimi kulturor jo domosdoshmërisht nënkupton konflikt – por ky shkëmbim duhet të ndodhë mes njerëzve dhe kulturave, pa ndërhyrjen e institucioneve.
Jam thellësisht i prekur nga shkëmbimet mes dy kulturave: kam brenda vetes pjesë nga të dyja. Simpatitë e mia të pamohueshme janë për socializmin dhe atë që quhet blloku Lindor, por jam lindur në një familje borgjeze dhe në një kulturë borgjeze. Kjo më lejon të bashkëpunoj me të gjithë ata që kërkojnë t’i afrojnë dy kulturat.
Natyrisht, akoma shpresoj që “njeriu më i mirë fiton.” Ky është socializmi. Kjo është arsyeja pse nuk mund ta pranoj një nder të dhënë nga autoritetet kulturore, qoftë nga të Perëndimit, qoftë nga ato të Lindjes, edhe nëse mbështes ekzistencën e tyre.

Edhe pse kam më shumë simpati për bllokun socialist, në të njëjtën mënyrë, unë duhet të mos e pranoj për shembull Çmimin Lenin, nëse do të mendohej të më jepej, gjë që nuk ndodh.
E di se Çmimi Nobel në vetvete nuk është çmim letrar i bllokut perëndimor, por është i krijuar prej tij, edhe pse ka vlerësime që shkojnë përtej vëmendjes së anëtarëve të Akademisë Suedeze. Kjo është arsyeja pse, në këto rrethana, Çmimi Nobel është në të vërtetë vlerësim që mund ta marrin shkrimtarët e perëndimit ose rebelët e Lindjes.

Çmimi nuk i është dhënë për shembull, Nerudës, i cili është një prej poetëve më të mëdhenj të Amerikës së Jugut. Nuk është marrë asnjëherë seriozisht në konsideratë Louis Aragon-i, edhe pse e meriton plotësisht atë.
Është për të ardhur keq që çmimi iu dha Pasternakut dhe jo Shollohovit, dhe se e vetmja vepër sovjetike e nderuar në këtë mënyrë duhet të jetë ajo e botuar jashtë dhe ndaluar në vendin e vet.

Ky ekuilibër mund të krijohej duke pasur një gjest të ngjashëm në drejtimin tjetër. Gjatë luftës në Algjeri, pasi nënshkruam “Deklaratën 121”, duhet ta kisha pranuar një mirënjohje apo çmim, sepse kjo do të më kishte nderuar jo vetëm mua, por edhe lirinë për të cilën po luftonim. Por kjo nuk ndodhi dhe medalja mu dha vetëm pasi përfundoi beteja.

Në diskutimet e motiveve të përmendura nga Akademia Suedeze për lirinë, bëhen të mundura shumë interpretime. Në perëndim nënkuptohet vetëm një liri e përgjithshme. Personalisht, do të doja një liri më konkrete, e cila përbëhet nga e drejta për të pasur më shumë se një palë këpucë dhe për të ngrënë më mirë. Mua më duket më pak e rrezikshme të mos e pranoj çmimin, se sa ta pranoj. Nëse e pranoj, vetë-ofrohem për atë që unë e quaj “rehabilitim objektiv”.
Sipas artikullit të “Figaro Littéraire”, “një e kaluar e debatueshme politike nuk do të përmendet si argument kundër meje”. E di se ky artikull nuk shpreh mendimin e Akademisë, por në mënyrë të qartë tregon se pranimi im do të interpretohet nga qarqe të caktuara të djathta.
Vazhdoj ta quaj “të kaluarën e diskutueshme politike” akoma të vlefshme, edhe nëse jam mëse i gatshëm të pranoj gabimet e shokëve të mi në të kaluarën. Rrjedhimisht nuk po them se Çmimi Nobël është një “Çmim borgjez”, por interpretimi është borgjez, pasi në mënyrë të pashmangshme jepet nga qarqe të caktuara në të cilat jam shumë i njohur.

Së fundi, kemi çështjen e parave; është barrë shumë e rëndë që Akademia e detyron laureatin që bashkë me medaljen t’i jepet edhe një shumë e madhe parash, çështje që më mundon, pasi ose e pranon Çmimin dhe me paratë e Çmimit mbështet organizata apo lëvizje që i quan të rëndësishme, çka më bën të mendoj për komitetin e Aparteidit në Londër, ose nuk e pranon Çmimin për arsye fisnike, dhe kështu ia heq një Lëvizjeje mbështetjen financiare kaq të nevojshme për të.

Por, unë besoj që ky është problem i gënjeshtërt. Padyshim heq dorë nga 250.000 koronat, sepse nuk dua të kthem në institucion, as në Lindje dhe as në Perëndim. Por, nga na tjetër, nuk mund të më kërkohet që, për 250.000 korona, të heq dorë nga parime të cilat janë jo vetëm të miat, por u besojnë edhe të gjithë miqtë e mi. Kjo është ajo që e ka bërë kaq të vështirë qëndrimin ndaj Çmimit dhe mospranimin e tij, të cilin jam i detyruar ta bëj.
Dëshiroj që ta përfundoj këtë deklaratë me një mesazh vlerësimi të lartë për publikun suedez.

Jean-Paul Sartre

________

Shënim

Çmimi Nobel për Letërsinë në vitin 1964 iu dha shkrimtarit dhe filozofit francez Jean-Paul Sartre “për një vepër të pasur me ide, e përshkuar nga shpirti i lirisë dhe të kërkimit të së vërtetës, me ndikim të madh në epokën tonë”. Sartre nuk e pranoi dhe e shpjegoi mospranimin e Çmimit Nobel në një deklaratë që bëri për shtypin suedez në 22 tetor. Deklarata u botua në Le Monde e botuar në përkhtimin në gjuhën frënge të miratuar nga AI. Ky përkthim në gjuhën angleze është bërë nga Richard Howard.

Përktheu nga anglishtja: Granit Zela

ObserverKult

Jean-Paul Sartre
Jean Paul Sartre

ObserverKult

Lexo edhe:

ÇFARË MENDONTE SHKRIMTARI DHE FILOZOFI JEAN PAUL SARTRE PËR GJON MILIN?

Lexo edhe:

SARTRE: ÇDO GJË ËSHTË ZBULUAR PËRVEÇ FAKTIT SE SI JETOJMË

Disa nga aforizmat më të famshme të Jean-Paul Sartre janë:

– Jeta nuk ka kuptim në momentin që ju humbisni iluzionin e të qënit të përjetshëm.
– Çdo gjë, çdo gjë do të ishte më mirë se agonia e mendjes, kjo dhimbje që të gërryen, por që nuk dhemb kurrë mjaftueshëm.
– Ferri janë njerëzit e tjerë.
– Ne nuk dimë çfarë duam dhe përsëri jemi përgjegjës për atë që jemi.
– Çdo gjë është zbuluar përveç faktit se si jetojmë.
– Çdo gjë që ekziston është lindur pa arsye, përzgjatet në gjendje të dobët dhe vdes rastësisht.
-Ne duhet të zbulojmë pasionin tonë përpara se ta ndjejmë atë.
– Zoti është mungesa. Zoti është vetmia e njeriut.
– Njeriu është një pasion i kotë.
– Njeriu është i dënuar për të qenë i lirë, sepse sapo hidhet në botë, ai është përgjegjës për çdo gjë bën.
– Fjalët janë pistoleta të mbushura.

ObserverKult

Lexo edhe:

DASHURIA, POEZI NGA ENVER GJERQEKU


Dashuri e lashtë, që n’një çast me ne
Linde kur pamë dritën dhe n’jetë na bekove,
Ndër furtuna t’egra pastaj na lëshove
Si mërkatarë të mëdhenj me dy grushta dhe,

Ditëve ua dhamë atë ngjyrë t’dhembjes sate
E ndër kohë ylberat flakruan n’bebzat tona.
Mbi atë shpresën tënde derdhi lot lëhona,
Kur në vend të foshnjes dorën shkurt ia zgjate!

Rruga jot’e gjatë sa qerpik rrah syri:
Kur e mbyll je pranë, kur e çel ke tretur.
(Veç një shpuz’ e jote n’dorë na paska mbetur).

Ja kjo loja jote në një rreth na ndryri,
Prej kah s’dimë të dalim, se s’ta njohim derën;
N’dimër presim verën, në vjeshtë paraverën!

Dritë e rrugës sonë, pse ndoj herë n’mugtirë
Syrin tim ma mb’shtjell? N’vend të një pranvere
Tash acar më ndjell! Gjuha e një ere
Shqim lpin ballin tim. Por, ja, s’kërkoj mëshirë!

O sa e çuditshme je ti ndjenjë fisnike!
Botës i ke dhënë farfuri përrallore!
Kur na ngreh për hunde dhe na rrok për dore,
Çdo gjë është e jona-gruaja më besnike.

Dhembjen ta kem borxh-gazin për stoli,
Sëmundjet që s’kanë bar-shirat n’verë të ngrirë!
N’duart tua zjarrin për ujë ta kem pirë!

Kush do t’shkojë me ty, do t’humbë në kaltri.
Të një bote tjetër, që ndjejmë as erën
Ti shpesh na thanë gojën , për ty sytë na shterren…

Ku mund të t’strehoj, o enigmë njerëzore,
Asnjëherë pa ty s’ecëm në këtë jetë.
Nuk dimë a qe përrallë, o qe e vërtetë,
Por, ja, vetullat tona plot me fjolla bore.

Kohën do ta ngjeshim n’grushtat tanë të tharë
E atë gjurmën tënde si peng do ta mbajmë…
Thua veç pikllimin sëbashku do ta ndajmë,
Dhe mandej secili n’shteg të vet për t’mbarë.

Jo, ti s’je e kotë! Je një zog i gjallë,
Që herë shfaqesh n’yll, herë vjen si hare.
Kur të kam në gji, m’dukesh si ëndrralë,

Kur them se je n’qiell, aherë zbret mbi dhe.
Me ty tërë kjo jetë përherë paska t’ngjarë.
Gjithkush të ka ndi, por askush s’t’ka parë

Përgatiti: ObserverKult