Pjetër Rraboshta, është një tjetër fotograf i shquar në qytetin e Shkodrës. Ai gjithmonë është njohur si fotografi i njerëzve të thjeshtë dhe ishte i apasionuar shumë pas traditës dhe kulturës qytetare shkodrane.
Të tilla janë edhe fotografitë e tij të përzgjedhura nga muzeu “Marubi”, të cilat janë ekspozuar në këto ambiente në një ekspozitë dedikuar fotografit.
Në arkivën e përbërë prej rreth 16 mijë imazhesh të shkrepura nga fotografi, për t’u ekspozuar janë përzgjedhur vetëm 80 prej tyre. Këtë fond arkivor e dispononte familja e fotografit dhe tashmë të gjithë këtë fond ja ka dhuruar muzeut të fotografisë “Marubi”.
Në përgjithësi tematika e fotove është bazuar tek jeta e banorëve të thjeshtë, apo edhe festa familjare dhe dasma të zhvilluara në rrethinat e zonës së Shkodrës.
Kuratori i kësaj ekspozite, Zef Paçi, ka bërë këtë seleksionim të veçantë i cili nuk duhet humbur pa u vizituar.
“Për mua ka qenë një përvojë shumë e bukur për të hulumtuar me muaj të tërë në arkivin e vendosur nga muzeu. Kur i shikon këto imazhe të vijnë në mend përjetime që i ke pasur në fëmijërinë tënde. Nga fotot e “Marubit” ti shikon gjëra që i ke parë edhe më përpara”, tha Paçi.
Fotografi i njohur Pjetër Rraboshta ka zhvilluar aktivitetin e tij si fotograf gjatë regjimit komunist në Shqipëri. Ai lindi më 1917 dhe ndërroi jetë më 1987./ATSH