Jeta e vështirë e poetit të madh: Ndoc Gjetja i dëshpëruar dhe i braktisur…kujtimet e mikut

ndoc gjetja
Ndoc Gjetja - foto nga Kolec P. Traboini Athine, qershor ,1993

Nga Kujtim Dashi

Kishte filluar periudha e vështirë e tranzicionit të pasegmentarizuar shqiptar, ose siç thoshim në mes nesh, e “shkrepjes së demokracisë”. Pas mbylljes së revistës “Skena dhe ekrani” në mars të vitit 1992, Ndoc Gjetja mbeti pa punë, kaloi në asistencë sociale, e cila ishte e mjaftueshme sa për të siguruar vetëm thelën e bukës thatë e për të mbajtur frymën gjallë.

Ndihej shumë i dëshpëruar, i braktisur si rrallëherë në jetën e tij. Kolegët e tij, ose “Zabelinët” shqiptarë, siç pata evokuar në një shkrim timin që u mirëprit nga opinioni, figurën e inxhinierit rus te drama e mirënjohur “Orët e Kremlinit”, duke mos bërë pazar me veten e tyre, shisnin trotuareve të kryeqytetit shqiptar banane, ndërsa “heronjtë e partive”, pa asnjë vepër, jo vetëm kaq, por që s’iu kishin thënë, bie fjala, njëherë plaç shefave të tyre, tragjikisht iu turrën tribunave dhe bënin ligjin ngado… Edhe djalin, Renin, e kishte pa punë, ndërsa gruaja merrte një rrogë qesharake. Kisha kohë pa e takuar dhe më kishte marrë malli.

Në një nga ato ditë më kishte kaluar fare pranë meje diku pas Bankës Kombëtare prej nga dilnin makinat e blinduara që shpinin para anekënd vendit, sa m’u bë se i ndjeva edhe frymëmarrjen disi të rënduar dhe ia lexova dëshpërimin. Ecte dhe numëronte ca qindarka dhe as që e kishte mendjen fare nga unë. Nuk i bëzana. E lashë të qetë të bënte atë hesap me qindarkat e mbetura, ndoshta vriste mendjen nëse mund ta kalonte ditën me to. E lashë të fliste me vete në atë cep të teatrit absurd shqiptar, i cili do të rëndohej edhe më shumë pas disa kohësh, në marskatrahurën shqiptare, kur u shembën firmat piramidale, të cilat zunë përfund me mijëra fate shqiptarësh… Kur ia kujtoja ndonjëherë këtë fakt Ndocit, më thoshte si për t’u shfajësuar “S’të kam vënë re, për besë.

Ishte koha që, ndoshta, as për veten s’më binte fort ndërmend”. Nuk shihte asnjë perspektivë për t’u punësuar ndokund. U largua nga revista “Skena dhe ekrani”, që e kishte drejtuar për dymbëdhjetë vjet, për të punuar në një revistë tjetër. Së bashku me Preç Zogajn krijuan revistën “Spektër”. Në revistën e re kishte rrogë më të mirë, gati trefishin e rrogës së mëparshme, por ajo dështoi shpejt dhe mbeti pa punë, ose siç do të shprehej më vonë në “Autoportretin” e tij (një nga më të bukurat në opusin e krijimtarisë poetike ndocgjetjane, si dhe në kopshtin e poezisë së gjersotme shqipe e, që krejt pa drojë mund të trokiste e të hynte në çdo antologji botërore, do të nënvizonte një recenzent dashamirës apo adhurues i tij), si “Mbetje teknologjike e administratës shtetërore se nuk diti t’u japë përkuljet e duhura eprorve”.

Punon disa muaj edhe si kryredaktor i gazetës “Dita informacion”, por largohet vetë “për mungesë pasioni në detyrë”, duke kyçur fisnikërisht njëherë e përgjithmonë të vërtetat për papajtueshmëritë e tij me stafin, me politikën e ditës… Përkundër mjaft shokëve e miqve të tij poetë e shkrimtarë, që vërshuan nëpër parti apo shoqata joqeveritare me koperturë jofitimprurëse, në politikë nuk desh të angazhohej. Tipi i tij i tillë ishte, nuk kishte qejf të merrte mbi vete ngarkesa politike dhe e ndjente veten të paaftë për t’u ingranuar mirë në ato probleme që lipsnin jo pak paturpësi.

Kishin tentuar ta afronin me Partinë Demokratike, në fillim të viteve ’90 e jo dokushdo, po vetë kreu i saj, por pati refuzuar. E kujtonte shpesh atë çast, kur mund të thyhej për t’iu dorëzuar Shën Politikës, siç bënë mjaft kolegë të tij. Qe takuar rastësisht në rrugën mes Durrësit e Lushnjës me Sali Berishën. Ky udhëtonte në një makinë të keqe që kishte atëherë PD-js, në të cilën ishin rrasur brenda nja dhjetë vetë. Ata për t’u liruar i kishin nxjerrë dorën. Ndoci kishte ndalur makinën e tij dhe në të hipi Berisha. Në hollin e Hotel “Adriatiku”, në Durrës, teksa pinin kafe, Berisha kërkoi me këmbëngulje që t’i vinte emrin si kandidat për deputet të Lezhës, por Ndoci kundërshtoi prerë, pa e ndier se po bënte ndonjë gabim.

Kur e merrnim ose e rimerrnim këtë episod mes nesh, herë e përmendte e herë nënkuptohej se as kësaj radhe intuita (gjithnjë besoj se ai ka një sistem të vetin të perfeksionuar) s’e kishte lënë të gabonte. Pra, atmosfera politike dhe sociale atë vit, kur Ndoc Gjetja e pa veten, si “mbetje teknologjike e administratës shtetërore” ka qenë e ankthshme sa të merrte frymën me atë duhmën shpërthyese që vinte nga rrapëllima e thyerjes së sistemit monist.

Në këtë kohë ndërsa bridhte i papunë rrugëve të Tiranës të mbarsura me rreziqe të shumta, që vinin nga turmat dhe individët, të cilëve u kishte rënë në kokë liria e shfrenuar, takon krejt rastësisht në bulevard një djalosh nga Lushnja, që quhej Gazmend Kapllani, edhe ai mjekërxhi si vetë Ndoci, me atë “mjekër të thinjur nga moslejimi kaq vite i saj”, siç do të vetëportretizohej te “Autoportreti” i tij. Ai, natyrisht, ia kishte dëgjuar emrin si krijues, si poet, veçanërisht nga bashkëqytetarët e tij, Visar Zhiti, Bujar Xhaferri e ndonjë tjetër dhe, në shenjë respekti i ofroi pirjen e një kafeje.

Dhe, duke pirë kafenë e biseduar, ndodhi ajo që Ndoc Gjetja më vonë do ta cilësonte si “mrekullia e madhe”. Nga fundi i humnerës të shkoje drejt ëndrrës! G. Kapllani e ftoi të shkonte në Greqi për të ndjekur një kurs gjashtëmujor për filozofinë e lashtë greke dhe qytetërimin helen pranë Universitetit të Athinës. Gazmendi ishte student në vitin e tretë në Fakultetin Filozofik të Athinës dhe ishte deleguar në Tiranë për të organizuar nisjen e 32 profesorëve shqiptarë të fakultetit të filozofisë që do të ndiqnin këtë kurs. Ai e ftoi Ndoc Gjetjen si një përjashtim, pasi, dihet, ai nuk ishte profesor filozofie dhe si i tillë nuk i plotësonte kriteret e pranimit. “Unë jam i bindur që ti do të pranohesh në kurs jashtë kritereve, sepse ti je më shumë se një profesor, ti je një poet…”, i tha Gazmendi.

Ai i kërkoi që t’i jepte shtatë vëllimet e tij poetike të botuara deri në atë kohë me qëllim që t’i dorëzonte në vend të kurrikulumit pranë Kryetarit të Komisionit dhe profesor Vodhurisi-it, i cili kishte qenë iniciator i kursit dhe i ftesës për profesorët shqiptarë, njëkohësisht dhe profesor i Gazmendit. Pas disa ditësh vërtet doli ajo që kishte parashikuar studenti shqiptar i filozofisë, një poet i talentuar e publicist kurajoz e vizionar.

Librat e Ndoc Gjetjes e kaluan me sukses provimin e pranimit, nëpërmjet një poezie që ia kishte lexuar Gazmendi në greqisht profesorit Kostandin Vodhuris. “O Zot, sa herë jam vënë në vështirësi, kur profesori më bënte begenisje të veçanta në sy të bashkëkombësve të mi të nderuar, vetëm e vetëm pse isha poet!” më kish treguar një ditë Ndoc Gjetja me atë thjeshtësinë e tij proverbiale, çka bënte që shpeshherë të më “humbisnin” dhjetëra e dhjeëtra fakte e ngjarje mjaft interesante nga jeta e tij jo vetëm në Greqi, po edhe gjetkë, të cilat do të më vlenin shumë për të bërë rikonstruksionin e jetës së poetit.

Sikur të kisha bërë më parë me Ndocin një “pakt çkyçjeje”, me siguri, do të kishim fakte dhe detaje akoma më interesante nga jeta e tij, por le t’ia lëmë këtë së ardhmes… Shpeshherë i shmangej profesorit të shquar Kostandin Vodhuris, autor i një varg veprash filozofike, se e bënte të skuqej me respektin që tregonte për të, që javën e parë kur i treguan se Ndoci është poet.

Edhe në hotelin ku fjeti për gjashtë muaj, gjithë personeli, që nga pastrueset deri te pronari e kundronin me një sy tjetër, sepse dikush u kishte thënë që ai ishte një “Pitis” (Poet). Nderime të tilla nuk i kishte përjetuar kaq tepër në Shqipëri. I ishte krijuar përshtypja se në botë nderohet shumë krijuesi. Ai shtet që nuk nderon e çmon krijuesit padyshim është ndërtuar keq, mendonte Ndoc Gjetja.

Kishin kaluar tre muaj nga fillimi i kursit, kur profesori, i cili do të mbante një leksion për filozofin grek Herakliti (540-480 para Krishtit) i bëri një të papritur të këndshme. Në një çast ai shtypi butonin e projektorit, që kishte përpara mbi tryezë. Në tabelën e madhe të varur në mur, u projektuan titrat në gjuhën greke të poezisë së Ndoc Gjetjes, me titull “Heraklitit”:

Në moshën 70 vjeç filozofi Heraklit
pati kërkuar që t’i nxjerrin sytë.

– Pse Heraklit?- e pyetën kirurgu dhe shokët.
– Më pengojnë,- tha, – për të parë botën.

Dhe vrimat e veshëve i mbylli me dyllë
të dëgjojë gjithë zërat e vetvetes më mirë.

Dhe rrinte i ngrirë me orë të tëra
për të ndjellë në kokë mendime të thella.

Tmerrohej nga prekja e sendeve me duar
dhe çdo send e quante një djall i shëmtuar.

Për ta ruajtur të pastër dashurinë, i gjori,
tërë jetën një femër për grua s’e mori.

Dhe s’kishte shtëpi dhe u thoshte të gjithëve:
-Kam lindur dhe banoj në kokën time.

Para se t’ia lexonte vjershën auditorit, profesor Vodhuris tha: “Në mësimin e sotëm, siç e shikoni do të kontribuojë edhe bashkatdhetari i juaj, poeti Ndoc Gjetja!” Pastaj i tha Gazmend Kapllanit ta lexonte poezinë në shqip me qëllim që ta shijonte anën tingullore të origjinalit, ndërsa për Ndocin kishte planifikuar tri pyetje, të cilave kërkoi që t’u përgjigjej sa më shkurt.

Profesor Vodhuris e komentoi gjatë poezinë kushtuar Heraklitit, të shkruar nga poeti shqiptar. Fliste bukur e me pathos, sikur të ishte vetë ai filozofi i idesë se “zjarri është krijuesi i botës dhe i njerëzisë”, se do të shpallte, argumentonte e mbronte filozofinë e zhvillimit dhe të ndryshimit të vazhdueshëm të të gjitha sendeve (pantaei), si të ishin teoritë e tij, që po i publikonte e argumentonte për herë të parë dhe jo të paraardhësit antik, Heraklitit.

Kjo ishte një surprizë e këndshme për klasën, veçanërisht për Ndoc Gjetjen dhe për vetë Gazmend Kapllanin, i cili, si në atë çast dhe më vonë i përbetohej Ndocit se “sinqerisht nuk kam gisht fare në këtë sajim”. “Kjo surprizë e profesor Vodhuris,” do të kujtonte Ndoc Gjetja, “është një kujtim që nuk do të më shlyhet nga kujtesa.”

ObserverKult


Lexo edhe:

LASGUSH PORADECI, POETI QË MBANTE NË XHEP NJË PILULLË CIANURI NGA FRIKA SE DO ARRESTOHET NGA KOMUNISTËT

ObserverKult