reklamë

Jeta, koha dhe paqja shpirtërore, sipas Senekës

Mark Pashku Lucgjonaj

Lumturia gjendet brenda nesh dhe baza kryesore është dituria

Nga Mark Pashku Lucgjonaj

Leximi dhe njohja janë dy elementet kryesore të cilat jetës së njeriut i japin mundësinë për të gjetur paqen si dhe për ta kuptuar kohën. Shpesh herë, ne humbasim nëpër jetët e të tjerëve, varemi nga mendimi i të tjerëve, jepemi pas asaj se çfarë do të thonë të tjerët për ne duke humbur fillin e të jetuarit të jetës sonë.

Secili individ e ka botën e vet, e ka jetën e vet e si rrjedhojë, ka edhe të pashmangshmen të cilën e harrojmë e që është vdekja. Frika e madhe për vdekjen, frika e madhe se kemi pak kohë për të bërë gjërat që duam, shpesh herë na le në udhëkryq duke pritur se si t’ia  fillojmë.

Asgjë nuk është më e thjeshtë se sa të jetuarit, nëse e kuptojmë drejtë, pasi bota ka lënë një përvojë të jashtëzakonshme prej se njeriu ka filluar t’i ruaj gjurmët e veta përmes librave dhe formave të tjera të cilat ne tashmë i kemi deshifruar. Në këtë mënyrë, jeta jonë nuk jeton vetëm në një dimension, në atë të së tashmes, por ajo lundron në të shkuarën e cila është pjesa më e sigurt e jetës, për të kërkuar të ardhmen e cila nuk e dimë se si do të jetë, sepse e tashmja nuk mund të ndalohet. Përveç kësaj pjese që thamë më lart, frymëzuar prej tij, Seneka thotë se: “Njeriu i mençur nuk e ndien jetën të shkurtër, sepse përmes dijes dhe mendimit ai bëhet pjesë e një kohe më të madhe se ajo që i është dhënë për të jetuar”.

Seneka jetoi në shekullin e parë, dhe nëse e lexon përvojën e tij politike, filozofike dhe librat e tij, ti je duke komunikuar me gjashtë deceniet e para të shekullit të parë. Ai na porositë se Filozofia e mëson njeriun të jetojë me kuptim dhe me masë. Pra, jemi ne ata që e kërkojmë e duhet ta kërkojmë kuptimin e jetës, dhe të kemi masë e mos ta teprojmë në asgjë e cila jetën tonë mund ta çojë drejt shpenzimit të kotë të kohës, pra thënë më thjeshtë, mos ta shpenzojmë jetën kot. Nisur nga kjo, Seneka thotë se ai që është zot i kohës së vet, jeton plotësisht.

Njerëzit shpesh mendojnë se lumturia qëndron në zotërimin e gjërave të jashtme siç janë pronat, pasuritë e mëdha, ndërtesat, fabrikat,  korporatat etj, por harrojnë se paqja e vërtetë gjendet në mendjen e njeriut. Nëse e ke kuptuar jetën, nëse e ke kuptuar vetën, atëherë ti je i kënaqur dhe gëzon një jetë të plotë. Njeriu e kupton këtë, nganjëherë tepër vonë. Po marrim dy shembuj të dy individëve që lanë gjurmë në histori, siç janë Aleksandri i Madh dhe Stiv Xhobs, të cilët në të njëjtën formë, para se të vdisnin treguan se asgjë materiale për ta nuk kishte rëndësi më sepse nuk mund t’i merrnin me vete dhe nuk mund t’i ndihmonin në zgjatjen e asnjë sekonde në jetë. Ata na lanë porosi që ne të jetojmë, asgjë tjetër.

E, nëse dikujt i kërkojmë një pjesë të pasurisë ose të pronës së vet, është në gjendje të vdesë për të, ose nuk ta jep edhe pse ndoshta prona e tij është me mijëra hektarë, por nëse i kërkon kohë, ai ta jep pa hezitim, e shpenzon jetën kot. Nëse e krahasojmë pronën me kohën e jetës, vetë vlerësojeni se cila ka më shumë rëndësi.

Pra, sa më shumë që të mësojmë ta bëjmë tonën përvojën e të kaluarës, edhe vetjake edhe atë të të tjerëve, aq më shumë do të bindemi  se nuk jetojmë shkurt. Jeta e mirë nuk arrihet përmes pasurisë, pushtetit apo kënaqësive të përkohshme, por përmes virtytit dhe përmes një mendjeje të qetë.

Si rrjedhojë, ata që kërkojnë pasuri e pushtet, rrinë duke u përgatitur që të jetojnë, deri në çastin që e kuptojnë se jeta e tyre ka mbaruar pasi pushteti për dreq, është diçka fiktive dhe humbet. Koha nuk pret askënd dhe çdo ditë që  kalon është pjesë e jetës sonë e cila nuk kthehet më.

Nesër do të lexoj.

Nesër do të jem me familjen.

Nesër do ta përqafoj gruan.

Nesër do të luaj futboll me fëmijët që ma kërkojnë çdo ditë.

Sapo të arrijë cakun e pasurisë, do t’i përkushtohem familjes dhe qetësisë sime.

Pra, siç po e shohim, koha jonë shpenzohet duke kërkuar diçka tjetër të tepërt dhe duke lënë diçka që jeta na e ofron vetëm një herë. Pastaj, fëmijët rriten. Prona fillon të ndahet. Gruaja është plakur. Puthjet janë venitur. Pushteti na ka lëshuar. Ne nuk kemi jetuar, thjeshtë kemi këmbyer jetën tonë me prona e pasuri. Pastaj, njeriu e kupton se ka lënë shumë gjëra pa bërë në jetë, dhe ai që s’ka jetuar mirë e ndien këtë. Pra e kupton se gjatë gjithë jetës, ke jetuar i  mbështjellë në një gënjeshtër të madhe.

Seneka na porositë: “Lumturia e vërtetë nuk gjendet në pasuri ose në lavdi, por në një jetë  të jetuar me urtësi, me masë dhe me qetësinë shpirtërore.“ Jeta është e gjatë për atë që di dhe mëson se si ta jetojë.

ObserverKult


Lexo edhe:

Mark Pashku Lucgjonaj, fitues i çmimit “Shtigjeve të Besës” në Panairin e Librit në Tuz