Evropiani “i fundit” që bëri diçka të jashtëzakonshme

Gëte

Johan V. Gëte është personaliteti letrar më i rëndësishëm i letërsisë gjermane të kohëve moderne, aq sa shpesh krahasohet me Shekspirin dhe Danten.

Poet, dramaturg, regjisor, romancier, shkencëtar, kritik, artist dhe burrështetas, gjatë të ashtuquajturës periudha romantike e arteve evropiane.

Në ditët e sotme janë të shumtë shkrimtarët, filozofët dhe muzikantët, të cilët burimin e frymëzimit e gjejnë në idetë dhe dramat e tij.
Në vendet gjermanishtfolëse, por jo vetëm, veprat e Johan V. Gëte janë kaq të spikatura, saqë janë referuar si klasike prej fundshekullit të 18-të.

gëte lamtumirë

Johan V. Gëte lindi në Frankfurt (Main), por pjesën më të madhe të jetës e kaloi në qytetin e Veimarit, ku mori edhe titullin e fisnikut në vitin 1782. Prindërit u kujdesën shumë për arsimimin e tij. Ai shkroi poezi miqtë, ndoqi kurse arti, mësoi italisht. Shkroi pjesë të shumta teatrore dhe u miqësua me aktorët.

Si anëtar i shtresës së lartë, prej moshës dymbëdhjetë vjeçe në publik mbante një shpatë. Studioi në Universitetin e Leipzigut dhe, më vonë, bëri master për drejtësi në Universitetin e Strasburgut. Fliste shumë gjuhë dhe bëri udhëtime me distanca të largëta përgjatë gjithë jetës. Përballë sasisë dhe cilësisë së krijimtarisë së autorit, është e vështirë ta krahasosh me artistë të tjerë bashkëkohorë.

Arriti të bëhej i mirënjohur, duke botuar romane dhe drama ndërkombëtare, si “Vuajtjet e djaloshit Verter” (1774) dhe “Fausti” (1808).

Gëte mori famë që në moshën 25-vjeçare, gjë që shpjegonte edhe disa nga arratisjet (erotike) me të cilat supozohej se ishte përfshirë. Po ashtu, temat erotike gjetën rrugën e tyre në shkrimet e tij.

Luajti një rol të rëndësishëm në lëvizjen “Sturm und Drang”

Johan V. Gëte luajti një rol të rëndësishëm në lëvizjen “Sturm und Drang”, botoi vepra shkencore të vlerësuara, si “Metamorfoza e bimëve” dhe “Teoria e ngjyrës”. Studioi atributet psikologjike të ngjyrës dhe mënyrat tona subjektive se si i shohim ato. Po ashtu edhe ngjyrat plotësuese. Duke vepruar kështu, ai përmirësoi kuptimin tonë të vizionit të ngjyrave.

Si një i apasionuar pas udhëtimeve, Gëte pati takime interesante dhe miqësi me disa nga bashkëkohësit. Një prej atyre marrëdhënieve të jashtëzakonshme ishte ajo që ndau me Friedrih Shillerin. Në 15 vitet e fundit të jetës së Shillerit, ata të dy krijuan një miqësi të ngushtë, madje punuan së bashku. Në 1812, Gëte takoi Bethovenin, i cili, më vonë do të deklaronte: “Gëte – ai jeton dhe dëshiron që të gjithë, të jetojmë me të. Pikërisht për këtë arsye, mund të kompozohet”.

Ndikim të madh në letërsinë dhe muzikën gjermane

Johan V. Gëte kishte një ndikim të madh në letërsinë dhe muzikën gjermane. Madje herë pas here u shndërrua në personazhin e trilluar në veprat e autorëve të tjerë. Në vitet 1970, autori gjerman Ulrich Plenzdorf shkroi një vështrim interesant mbi veprat e Gëtes. Në “Vuajtjet e reja të djaloshit V.” ai solli historinë e famshme të Gëtes/Verter në Republikën Demokratike Gjermane të epokës së tij.

Shumë i dashur për vetë muzikën, Gëte frymëzoi jo pak kompozitorë dhe muzikantë. Në veçanti, në shekullin e 19-të shumë nga poezitë e Gëtes e gjetën veten në vepra muzikore të kompozitorëve Felix Mendelssohn Bartholdy, Fanny Hensel dhe Robert dhe Clara Schumann.

Për Gëten, qëllimi i udhëtimit nuk ishte çlodhja, apo thjesht marrja e një pauze nga rutina. Përkundrazi, në mendje ai kishte një qëllim më të madh: qëllimi i udhëtimit është të shkojmë në një vend, ku mund të gjejmë përbërësin e humbur të pjekurisë sonë.

Evropiani “i fundit” që bëri diçka të jashtëzakonshme

Gëte ishte evropiani “i fundit” që bëri diçka të jashtëzakonshme. Shkroi romane dhe drama të mëdha, njëherazi luajti një rol të rëndësishëm në shkencë. Interesimet e tij varionin nga gjeologjia, meteorologjia, fiziologjia dhe kimia. Por puna më e rëndësishme ishte në botanikë. Në 1790, ai prodhoi studimin: “Metamorfoza e bimëve”, si dhe mbi optikën dhe ngjyrën, kërkimi i të cilit u përmblodh në “Teoria e ngjyrave”, botuar në 1810.

Gëte ndërroi jetë në shtëpinë e tij në Weimar, në 22 mars 1832, në moshën 83-vjeçare. Kemi kaq shumë, për të mësuar prej tij. Shpesh, nuk i dëgjojmë njerëzit që shprehin dëshirën për të qenë pak më shumë “Gëte”. Nëse do ta bënim, bota do të ishte një vend më i gjallë dhe më njerëzor.

ObserverKult

LEXO EDHE:

Gëte: Kur nuk zotërojmë më vetveten, na mungon çdo gjë…